Sulmi terrorist nga serbët në veri të Kosovës më 24 shtator, ku si qëllim final kishte aneksimin e këtij territori, të kujton vitin 1990 të serbëve në Knin të Kroacisë, por në sajë të profesionalizmit të Policisë së Kosovës, një plan i tillë dështoi, duke treguar se është e përgatitur në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës. Ndërsa pas kësaj date dialogu ne mes Serbisë e Kosovës, nuk mund të zhvillohet si deri më tash, sepse në favor të paqes Serbia duhet të ndëshkohet nga faktori ndërkombëtar

Ngjarjet e ndodhura në veri të Kosovës më 24 shtator, nuk janë të rastit sepse ata ishin nën dirigjim të pushtetit në Serbi, ndërsa çdo arsyetim, duke ia mveshur këtë organizim serbëve lokalë është tentim për të hequr përgjegjësinë e një dështimi terrorist i cili si qëllim ka pasur aneksimin e Veriut të Kosovës.

Në lidhje me dështimin e këtij veprimi terrorist ka spekulime të ndryshme, por nga të gjithë vlerësohet angazhimi i strukturave shtetërore e në veçanti të Policisë së Kosovës, e cila arriti për një kohë të shkurtër të bllokojë veprimin e tyre, duke dëshmuar përgatitje dhe profesionalizëm. Ndonëse nga grupi terrorist u vra një efektiv i Policisë së Kosovës dhe u plagosën dy të tjerë, nga grupi i terroristëve zyrtarisht janë pranuar se janë vrarë tre dhe plagosur disa të tjerë. Nga ana tjetër, mbetet ende e pazbardhur tërheqja e grupit të terroristëve nga Manastiri i Banjskës dhe kalimi në territorin e Serbisë, duke e ditur se ata kanë qenë të rrethuar nga Policia e Kosovës.

Arsenal i armëve

Ndonëse në fillim është theksuar se në këtë aksion terrorist kanë marrë pjesë 30 individë, të armatosur me lloje të ndryshme armësh, me pas u dëshmua se ata kanë qenë rreth 90. Bëhet fjalë për konfiskimin e mijëra armëve, municioneve e pajisje të ndryshme dhe prezantimit opinionit të gjerë, ku ekspertet theksojnë se ata kanë pasur armatim për 200 individë, me vlerë rreth 5 milionë euro.

Gjatë ekspozimit, të tyre në bazë të një analize fillestare, shumë prej këtyre armëve dhe municioneve janë përdorur në sulmet e serbëve ndaj Policisë si dhe KFOR-it më 29 maj në Zveçan, e po ashtu janë hasur gjatë operacioneve të shumta të konfiskimeve të armëve në veri. Këto armë e bëjnë të dukshme lidhjen e këtij grupi terrorist me zyrtarët e Listës Serbe, përkatësisht nënkryetarin e saj Milan Radoiçiqin, si dhe shtetin e Serbisë.

Bartja e armatimit të tillë i cili ka qenë i llojllojshëm, pranë Banjskës, nuk është realizuar brenda ditës, por një kohë me të gjatë, mbetet enigmatike roli i KFOR-it i cili është me mision të ruajë kufirin e Kosovës. Nëse këtyre u shtohen edhe mjetet e ndryshme ushtarake të transportit, del qartë se një skenar i tillë për të destabilizuar Kosovën ka pasur mbështetje nga pushteti serb. Se çdo gjë ishte sipas skenarit të Serbisë, dëshmojnë deklaratat e A.Vuçiqit në mbledhjen e KS në OKB, duke theksuar se situata është e tensionuar dhe mund të ketë eskalim të saj në veri. Ishte ky një paralajmërim se këtu mund të ndodhin edhe të papritura nga ana e serbëve lokalë të cilët e realizuan më 24 shtator, por dështuan në qëllimin e tyre. Pikërisht në favor të këtij konstatimi është e dhëna se në Rashkë janë stërvitur një kontigjent i serbëve të cilët mund të përdoren për aksione të ndryshme në Kosovë. Ndërsa pranimi i këtij aksioni terrorist nga M.Radoiçiqi nga Mitrovica Veriore, ishte për të eliminuar gjoja përfshirjen e A.Vuçiqit në këtë akt terrorist.

Kisha Ortodokse në shërbim të politikës serbe

Opinioni i gjerë është i njoftuar se Kisha Ortodokse Serbe vazhdimisht ka qenë mbështetëse e politikës dhe të hegjemonizmit serb. Një dukuri e tillë nga ana e tyre është dëshmuar edhe gjatë luftërave në ish-Jugosllavi si në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe më pas në Kosovë. Në Kosovë si baza të tyre kanë qenë kishat dhe manastiret të cilat edhe kësaj here u dëshmuan se janë në mbështetje të politikës serbe. Por, pasi u dekonspirua aksioni i terroristëve, të cilët si mbështetje dhe shpëtim gjetën te Manastiri në Banjskë, për të shpëtuar nga një komprometim i tillë, nga ana e KOS-it janë paraqitur me deklaratë se ata nuk kanë mbështetur një veprim të tillë, pavarësisht se në oborrin e tyre kanë qenë individë të uniformuar dhe të armatosur.

Militarizimi i zonës kufitare

Sipas informacioneve, bëhet me dije se pushteti serb ka kohë që është duke militarizuar zonën kufitare me Kosovën. Bëhet fjalë për 48 baza ushtarake, 28 të ushtrisë dhe 20 të xhandarmërisë. Këto të dhëna dëshmojnë se me këto forca ata ushtrojnë tensione duke paralajmëruar konflikt duke shkelur edhe vijën kufitare të demilitarizimit prej pesë kilometrash, që është pjesë e marrëveshjes së Kumanovës (9 qershor 1999).

Pikërisht në lidhje me këtë çështje ka pasur reagime nga faktori ndërkombëtar, por pushteti serb pranoi se në këtë zonë janë të vendosur mijëra trupa serbe, por ata deklarohen gjoja se kanë bërë zvogëlimin e tyre në 4.500 trupa, por realiteti dëshmon se ata i zhvendosin nga njëra bazë në tjetrën për të krijuar përshtypjen se e kanë zvogëluar numrin e tyre, që është manipulim qe nuk e beson askush.

Nëse analizojmë shpërndarjen territoriale të bazave ushtarake serbe, del qartë se më së shumti janë koncentruar në anën lindore të Kosovës, sepse në këtë hapësirë territoriale në të dy anët e kufirit dominon popullsia shqiptare. Kemi të bëjmë me veprime perfide të politikës serbe për të mbajtur nën tension popullsinë vendore.

Ndonëse kanë kaluar 24 vjet nga lufta në Kosovë, në Serbi vazhdohet me strategjinë e Millosheviqit, çështje që duhet të jetë shqetësuese për faktorin ndërkombëtar, sepse politika serbe vazhdon të jetë destabilizuese për tërë regjionin. Madje qëndrimi i pavendosur nga ndërkombëtarët për të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, në favor të raporteve aktuale gjeopolitike, e ka nxitur politikën serbe të mbështesë aktin terrorist në Veriun e Kosovës.

Pikërisht duke marrë parasysh këto të dhëna kryeministri i Kosovës A.Kurti më 2 tetor njoftoi se Serbia nga 37 pika ka planifikuar të sulmojë Kosovën për të aneksuar veriun e saj. Kemi të bëjmë me një situatë e cila ka të bëjë me sigurinë e Kosovës, ku vendosja e trupave shtesë të NATO-s në veri të Kosovës, dëshmon se është çështje e stabilitetit në regjion.

Propozimet nga Rama, identike me ato serbe

Kur kemi të bëjmë me çështje madhore sikurse është sulmi terrorist nga serbet në veriun e Kosovës, ka qenë e udhës që Shqipëria e Kosova të bashkëveprojnë dhe të dalin me një qëndrim. Por, në sajë të moskoordinimit në mes dy vendeve, kryeministri i Shqipërisë E. Rama, doli me dy propozime të cilat nuk janë në favor të Kosovës, por të Serbisë.

Si me parë, por edhe pas sulmit terrorist në veri të Kosovës, kryeministri i Shqipërisë E. Rama, ka theksuar se është e nevojshme qe të mbahet një konferencë ndërkombëtare ku temë e takimit do të ishin raportet në mes Serbisë dhe Kosovës. Por, ai ka harruar se mbajtja e një takimi të tillë vlen për vendet e panjohura ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova është shtet i pavarur dhe e njohur ndërkombëtarisht nga mbi 100 shtete.

Nga ana tjetër, E.Rama ka propozuar që KFOR-i të udhëheqë me Veriun Kosovës, që është kritikuar nga Qeveria e Presidenca e Kosovës, sepse Kosova ka kapacitet për të ushtruar pushtetin në këtë pjesë të vendit, andaj një deklarim i tillë është identik sipas A.Vuçiqit dhe është në kundërshtim me sovranitetin e Kosovës.

Duke njohur rrethanat shoqërore e politike në regjion, ku destabilizues mbetet Serbia me politikën e saj hegjemoniste, E.Rama ka pasur mundësi ta prezantojë ide për një konferencë e cila do të ishte me efekt pozitiv nëse do të mbahej në lidhje me definimin e çështjeve të pakicave kombëtare në të dy vendet, duke u bazuar parimin e reciprocitetit.

Kemi të bëjmë me politikën me qasje të dyfishtë të pushtetit serb, sepse atë çfarë kërkon për pjesëtarët e popullit u mohon popujve të tjerë në Serbi. Por, për të trajtuar një temë të tillë E. Rama nuk ka guxim të deklarohet, edhe pse është i njohur me diskriminimin e shqiptarëve në luginën e Preshevës, që është rast tipik i spastrimit etnik.

Si të dialogohet me mbështetësit e terrorizmit?

Analistë të shumtë me kohë kanë theksuar se dialogu në Bruksel është treguar i pasuksesshëm. Si të tillë pala serbe e shfrytëzonte për të fituar në kohë, varësisht rrethanave gjeopolitike, ku dominon ajo nga agresioni rus në Ukrainë. Por, këtij dialogu të pasuksesshëm i kanë ndihmuar edhe ndërmjetësit ndërkombëtarë (Borrell-Lajçak) të cilët nuk kanë treguar balans në bisedime, por haptazi i janë qasur Serbisë. Madje kërkesat e tyre ndaj Kosovës për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës, ata kanë folur si zëdhënës të Serbisë. Me një qasje të dhe ledhatimi i Serbisë, madje duke i vendosur masa Kosovës, ata kanë barazuar kriminelët me viktimën, qe paraqet paradoks në procesin e dialogut.

Format i ri i dialogut

Por, pas 24 shtatorit me të drejtë bëhet pyetja si të dialogohet me mbështetësit e terrorizmit, madje ka zëra edhe për dorëheqjen e ndërmjetëseve se ata kanë dështuar në këtë proces. Dialogu duhet të vazhdojë, por në format tjetër, sepse pas 24 shtatorit, asgjë nuk është si më parë, andaj duhet gjetur një model tjetër me individë të balancuar dhe të pranueshëm për të dyja palët. Përvoja e deritashme në këtë proces politik, sidomos në eskalimin e sulmit terrorist në veri të Kosovës, me qëllim aneksimin e tij kërkon ndëshkimin e Serbisë, sepse nuk mund të dialogohet me mbështetësit e terrorizmit./koha.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here