Nuk ka shqiptar që nuk e ka dëgjuar të paktën njëherë në jetë këngën “Çou Rexho”. Historia e vërtetë si duket nuk është ajo që ne e kemi mësuar, së paku kështu pretendojnë disa zëra që e njohën mirë këtë ngjarje të vërtetë, e që më vonë u këndua në çdo cep të shqiptarisë.
Ngjarja kishte ndodhur në fshatin Stubëll të Medvegjës nga e ka edhe prejardhjen Qamili i muhaxherëve apo siç e njohim të gjithë Qamili i vogël, i cili para se të vdiste kishte rrëfyer për historinë e vërtetë të kësaj ngjarjeje.
Rexhën e kishte lënë në djep babai, i cili ishte mbytur në një aksident dhe për kujdesin e tij ishte zotuar axha i Rexhës, vëllau i babait të tij por duke kthyer pak më vonë edhe “nusen e vëllaut” për grua, ashtu siç procedohej te një pjesë e shqiptarëve. Ditën kur Rexha po martohej, axha i tij i cili kishte thurrur plane për ta vrarë, ngaqë frigohej se pasurinë që ia kishte marr vëllaut të ndjerë do t’i kthehej Rexhës së zotë e punëtor dhe ai do të ngelte nën hijen e tij, vendosi të kalonte në akt. Në fakt ishte një skenar që vetëm ai e shihte ashtu, kurse Rexha nuk kishte pretendime të tilla, ishte punëtor, zemërmirë, e donte dhe e respektonte axhën. Kur plani u “poq” mirë në kokën e tij, e ftoi Rexhën për të shkuar në ahur, gjoja për të ushqyer kalin dhe…….. pas shpine e godit në kokë, me një mjet të fortë. Djali vdiq në vend. Pasi vërtetohet se kishte ndërruar jetë, njohtoi familjen dhe krushqit se Rexhën me shqelm e kishte mbytur kali!
Me kalimin e viteve nëna e Rexhës dyshonte te axha i djalit dhe ishte e para ajo që e kishte kuptuar skenarin e vërtetë. Më vonë nuk ishte më sekret për asnjë pjesëtar të familjes. E tërë familja, një nga një, e kuptuan historinë e vërtetë të asaj tragjedie dhe kishin tentuar me çdo kusht ta mbajnë sekret familjar por kjo nuk u shkoi për dore. Pjesërisht edhe fshati Stubëll e kuptoi kronologjinë e kësaj ngjarjeje makabre.
Qamili i vogël e kishte mësuar gjithë këtë histori prej familjes së tij, e cila edhe kishte sjellur këngën me vehte nga Stublla në Gjakovë.