Më 1873, piktori zviceran Rudolf Koller bëri këtë pikturë:
“Die Gotthardpost” (Posta e Gotthardit).

Gotthardi është një masiv kodrash që ndan Zvicrën qendrore me atë italiane. Atëherë posta dhe mallrat nga Europa veriore drejt asaj jugore barteshin me qerre, me kuaj. Pak vite më vonë u hap tuneli i Gotthardit dhe Zvicra pushtoi botën moderne. Piktura e Rudolf Kollerit është pjesë e historisë mentale të Zvicrës. Është botuar në shumë albume e kalendarë, në 150 vitet e fundit mbase nuk ka zviceran e zvicerane që nuk e ka parë.

Piktura ka diçka të frikshme: tre kuaj të bardhë vrapojnë furishëm, dy kuaj bojëkafe duket se qëndrojnë pak më të qetë, ndonëse janë afër grahësit i cili vringëllon kamxhikun. Rreth e rrotull skenën e përcjellin disa lopë. Pluhuri duket se ngjitet në qiell. Qerrja me kuaj duket se do të rrëzohet po vazhdoi të ec me këtë ritëm. Më i rrezikuari duket një viç që vrapon para kuajve. Shpejtësia e qerres simbolizon një vend që ngarendë pas ardhmërisë, viçi këtu është viktimë e përparimit të civilizimit. Kur u pikturua kjo pikturë, tuneli i Gotthardit tashmë kishte filluar të ndërtohet.

Më 2016 u hap tuneli tjetër i Gotthardit, 57 kilometra, më i gjati tunel hekurudhor në botë. Treni e kalon për 17 minuta. Në hyrje të tunelit, ende në Zvicrën gjermane, mund të bie shi apo borë, pas 17 minutave qielli është i kaltër dhe rrezet e diellit përqafojnë kreshtat e maleve: jugu, Zvicra italiane, në horizont duket Italia.

Piktura e Rudolf Kollerit edhe në vitin 2023 është një referencë e rëndësishme e historisë”.
Enver Robelli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here