Ekspozita personale “Deri kur…” e skulptorit Bedri Hazirajt, e cila është hapur sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, është ekspozitë që u kushtohet të pagjeturve; plagë kjo që ende brengos shoqërinë e Kosovës, sidomos familjet e prekura në luftën e fundit nga forcat serbe.
Koncepti i ekspozitës ka një porosi konkrete, të materializuar në forma skulpturale e në variacione të ndryshme; është një përpjekje për t’i vizualizuar mendimet përmes formës plastike në pozitën e një kronisti, që flet për të kaluarën dhe të sotmen.
Bedriu materializon në dru eshtrat e viktimave të pafajshme të luftës, me ç’rast njerëzit shndërrohen në numra nga regjistrimet e ruajtura; nga ato që janë gjetur deri më tani, të cilat janë një revoltë vizuale për moszbardhjen e rasteve të tjera.
Subjekti që autori ka zgjedhur është një koncept tragjik, që flet për pasojat e shoqërisë së Kosovës, në të cilën po përballet shoqëria jonë në dy dekadat e fundit të pasluftës; nuk ndalon së kërkuari drejtësi e rrugë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, gjë që lëngon si plagë e përhershme dhe e pashëruar në dhjetëra vatra të Kosovës.
Imazhet që sjell autori ndoshta na kujtojnë romanin e Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që kryesisht flet për luftën dhe pasojat e saj.
Skulpturat janë skalitur me një seriozitet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, që paraqesin konkretisht dramën njerëzore dhe golgotën e shqiptarëve të Kosovës.
Vizualizimi dhe skalitja në dru ka motiv një narracion të autorit e riaktualizimi i kësaj teme është konsumuar edhe nga autorë të tjerë, në forma dhe mediume të ndryshme të artit pamor.
Ismet Jonuzi