Bua është një prej mbiemrave që haset më së shpeshti në dokumenta mesjetare që kanë të bëjnë me shqiptarët. Buat kanë qenë një prej fiseve të hershme shqiptare që depërtuan deri në Peloponez, formuan aty njësitë e tyre politike dhe ushtarake dhe ishin mes prijësve kryesorë të qëndresës arbërore ndaj osmanëve në More. Më vonë u zhvendosën edhe drejt Italisë, ku pinjolli më i famshëm i familjes ishte gjenerali Mërkur Bua. Në Shqipëri, familja Bua gjendet edhe sot në Dhërmi. Shkrimtari Petro Marko tregon në librin e tij “Intervistë me vetveten” se fiset Marko dhe Gjoni në Dhermi rrjedhin nga fisi Bua.
Rezultati gjenetik i familjes Bua nga Dhërmiu është R1b-Z2103>Z2705>MF5057. Siç e kemi përmendur më parë, R-Z2705 është linjë atërore karakteristike shqiptare dhe ka luajtur rol thelbësor në etnogjenezën arbërore/shqiptare.
Edhe familja Marko ka po të njëjtin rezultat, pra lidhja e gjakut me Buat është e sigurtë. Mirëpo e njëjta linjë atërore gjendet edhe në Vuno dhe në Himarë në familje që nuk mbajnë mend lidhje mes tyre, tregues i qartë i vjetërsisë së këtij trungu gjenealogjik në zonën e bregut. Edhe pse ekzistojnë disa të dhëna historike që lidhin Buat e Dhërmiut me fisin mesjetar Bua të Peloponezit dhe Italisë, nevojitet edhe një verifikim gjenetik për siguri të plotë. Në këtë drejtim do të ishte me shumë vlerë të mësohet linja atërore e Buave arbëreshë (ftojmë lexuesit të na ndihmojnë për kontakt nëse njohin dikë prej tyre).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here