Një luaneshë është pikasur në Chad, ku prej vitesh tashmë besohej se lloji i saj ishte zhdukur. Luanesha u zbulua në Parkun Kombëtar Sena Oura, ku specia e saj nuk ishte parë që nga viti 2004.
Një fotografi e saj u publikua nga një ekip ambientalisësh nga qeveria e Chad-it dhe organizata amerikane Wildlife Conservation Society.
‘Fotografia tregon një luaneshë të rritur, shumë të shëndetshme, rreth 5 vjeç,’ bëri të ditur drejtuesi i ‘Big Cat Programme’, Luke Hunter për BBC.
‘Jam i sigurt që ajo nuk është e vetme,’ shtoi ai.
Fotoja, e kapur nga një kamera e vendosur në zonën e mbrojtur në shkurt, u publikua këtë të enjte.

‘Ky është një lajm shumë i mirë pasi femrat drejtuese janë baza e çdo popullate luanësh, dhe ato nuk vërdallisen shumë. Zakonisht jetojnë në zona që kanë pre dhe ku mund t’i rrisin të sigurt të vegjlit e tyre.’
Hunter shtoi gjithashtu se prania e luaneshës është një shenjë e hershme që popullata e tyre po rikuperohet në një park kombëtar ngjitur në Kamerun.
Në vitin 2014, Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Listës së Kuqe të Llojeve të Kërcënuara në Natyrë, vendosi që luanët ishin zhdukur në Sena Oura.