(Naum Dhimitër Naçi, i njohur më shumë si Nuçi Naçi: Shkrim i Revistës “Diturija”, mars 1927)

Nga vitin 1877 gjer 1885 çéshtja kombiare morri shpirt e trup, edhe shoqërira që u-filluan në Stamboll, në Bukuresht, zun’ e shtypnin libra e gazeta në gjuhën amtare. Në gjithë qytetet e mëdhenj të Shqipërisë u-dërguan ftesa me këshilla që të kërkojnë mësonjetore për të kënduar vegjëlia gjuhën shqipe.

Shqiptarët që kishin themeluar shoqërinë shqiptare në Stamboll arritnë të marrin nga Ministri e Arësimit të Turqisë leje për të çelur shkollë private në gjuhen shqipe, në Korçë.

Leja u dha mbi emërin e te ndjerit Pandeli Sotiri nga Selckë e Përmetit.

Shoqëria e Bukureshtit “Drita” u-muarr vesh me atë të Stambollit që, më parë të përdornin masa të buta me njerëzit që atëherë kishin ndjenja te tjera, si edhe me kryetar e kishës, Dhespotët e atëhershmë, që të viret gjuha shqipe ne shkollat qe sundoheshin prej Patrikanës.

Për këtë qëllim u dërgua nga Bukureshti anëtar i shoqërisë i ndjeri Thimi Marko, që të fjaloseshe me burrat që ishin në Stamboll. Thimi Markua ardhi në Korçë më 1885, ne verë, edhe u paraqit në mbledhjen e Mitropolisë, u tregoj dëshirën e gjithë Korçarëvet të Bukureshtit, si edhe një letër nga Anastas Lakçe, në të cilën Lakçeja i thosh Dhimogjerendisë se, interesi e doj që të futej gjuha shqipe në shkollat e komunotetit te Korçës, që të mesonej nga çunat e vajzat.

Këshilla bashkë me Dhespotin e asaj kohe (Fillotheos) së pari thanë se munt të bëhej pun’ e tillë, por me pas thanë se duhej leje nga Patriku. Leja u kërkua, po përgjigjeja ishte që nuk mundeshe të pranohej në shkollat e komunitetit të Korçës një gjë e tillë, masi nuk rrithte nga dëshirë e popullit, por nga disa njerëz të blerë prej propagandës Austriake, e nga disa Protestanë!

Kjo gjë shkaktoi grindje midis këshillit dhe anëtari i saj Jovan Kosturi, u largua nga mbledhja.

Si u-vërtetuan atdhetarët se me anë të Mitropolisë s’behej as gjë e dobishme, atëhere dërguan edhe thërriten Pandeli Sotirin, qe akoma s’ishte nisur nga Stambolli. Në mbarim të vitit 1885 çeli shkollën të parë shqipe për djem e vajza ne Korçë. Mytesarrif i Korçës atë kohë ishte Mahmud Pashë Elbasani, i cili e përkrahu idenë kombëtare. Ndërtesa e vëllazërisë Kristaq Terpo – që sot është shkollë Normale e vajzavet – në pllate të Shëngjergjit, u-çel për shkollë. Këtë ndërtesë ashtu si është edhe sot, e përmendure vëllazëri e pati blerë prej komunotetit orthodoks disa vjet më parë, dhe komuniteti e kish marë për shkak borxhi nga Drenovari Kunxho. Asi kohe kjo godinë u-ble për 480 lira turke; sot vlefta e saj arin gjern 3,000 napolona dhe është e falur nga e përmendura vëllazëri që të përdoret për shkollë.

Aty nisë të nepëshin të parat ditë mësimet e gjuhës shqipe nga Pandeli Sotiri; për vitin shkollar 1885-1886 pati ndihmës z. Thanas Sina nga Postenani i Leskovikut, edhe për gjuhën turqishte avukat Ibrahim Efendinë.

Si ky vit i fillimit ashtu edhe viti 1886-1887 pati nxënës, çupa e djem, afëro 200.

Intrigat e Mitropolisë dhe Patrikanës shtrënguan Pandeli Sotirin  të hiqet, pa ardhur funt i vitit 1887.

Pandeli Sotiri kishte grua greke nga Fanari; ajo e shtrëngoi  të largohej së këtejmi. Shkolla mbeti në duart e z. Thanas Sinës. Pandeliu u-hoq në Stamboll ku, pas ca kohësh, gjeti vdekjen e tmerruar: E kishin flakur nga penxheret e shtëpisë  tre katëshe ku rinte. Thonë se këtë vdekje të tmerruar ia  përgatiti e shoqja (greke) edhe i vjehri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here