Temperaturat gjithnjë e më të larta në planetin tonë, po prekin edhe të ashtuquajturin “ngricë të përhershme”, shtresën e tokës së ngrirë ose Permafrost, e cila përmban viruse që “flenë”prej mijëra vjetësh. Por çfarë mund të ndodhë me shkrirjen e Permafrostit?

Kimberli Miner, shkencëtare e klimës në Laboratorin e Institutit të Teknologjisë të NASA-s në Kaliforni, thotë se situata është shqetësuese. “Ka disa elementë shqetësues në lidhje me ngricat e përhershme. Ndaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ruhet sa më e ngrirëpjesa më e madhe e Permafrostit”- thotë ajo. Permafrost mbulon 1/5 e Hemisferës Veriore.

“Viruset zombi” të gjallë pas 50 mijë vjetësh

Shkrirja e pjesshme e kësaj shtrese bart jo pak rreziqe, siç theksohet edhe nga studiuesi tjetër Zhan–Mishel Klaveri, profesor i mjekësisë dhe gjenomës në Universitetin e Marsejës, Francë. Shkencëtari ekzaminoi mostrat e Permafrostit të marra në Siberi për të kërkuar ato që ai i quan “viruse zombi”.

Shkencëtari studion lloje të veçanta të viruseve të zbuluara që në vitin 2003. Për shkak të madhësisë së tyre, ato janë të dukshme përmes një mikroskopi normal. Në vitin 2014, profesori arriti të rikthejë në jetë një virus të izoluar nga ngrica e përhershme. Nëpërmjet përdorimit të kulturave qelizore, virusi ka rifituar karakteristikat e tij infektive pas 30.000 vjetësh.

Për arsye sigurie, eksperimenti përfshiu një virus të aftë të prekte vetëm organizmat njëqelizore, dhe jo kafshët apo njerëzit. Në vitin 2015, ekipi e përsëriti studimin mbi një virus të aftë të prekte amebat. Ndërsa në studimin e fundit, të botuar më 18 shkurt në revistën “Virus”, Klaveri izoloi disa shtame virusi nga mostrat e shumta të Permafrostit të marra nga 7 zona të ndryshme në të gjithë Siberinë, dhe tregoi se çdo lloj i tyre mund të infektojë qelizat e kultivuara të amebës.

Virusi më i vjetër daton 48.500 vjet më parë. Më i riu 27.000 mijë vite më parë. “Ne i konsiderojmë këto viruse që infektojnë amebën si zëvendësues të gjithë viruseve të tjerë të mundshëm që mund të gjenden në Permafrost. Ne shohim gjurmë të shumë viruseve të tjera. Ne e dimë që ato janë atje. Nuk e dimë me siguri nëse janë ende gjallë. Por nëse viruset e amebës janë ende gjallë, nuk ka arsye pse viruset e tjerë të mos jenë ende të gjallë dhe të aftë të infektojnë bujtësit e tyre”– deklaroi Klaveri për CNN.

Viruse të rrezikshme për njerëzit

Tashmë në Permafrost janë identifikuar gjurmët e viruseve dhe baktereve që mund të infektojnë njerëzit. Në fragmentin e një mushkërie të marrë nga trupi i një gruaje, të zhvarrosur në vitin 1997 nga ngrica e përhershme në një fshat në Gadishullin Sjuard në Alaskë, u identifikua materiali gjenomik i llojit të gripit, që ka qenë përgjegjës për pandeminë e vitit 1918.

Në vitin 2012, shkencëtarët konfirmuan se mbetjet 300-vjeçare të mumifikuara të një gruaje të varrosur në Siberi, përmbanin gjurmë të virusit që shkakton linë. A ka rreziqe reale nga shkrirja e Permafrostit? Shkencëtarët nuk e dinë se edhe për sa kohë çdo virus i “ngrirë”mund të mbetet efektiv pasi të jetë ekspozuar ndaj kushteve të sotme.

Po ashtu nuk mund të përcaktohet me siguri as se sa gjasa ka që virusi të ndeshet me një bujtës të përshtatshëm. Jo të gjithë viruset janë patogjenë që mund të shkaktojnë sëmundje. Disa janë beninje apo edhe të dobishëm për strehuesit e tyre. Megjithatë, Klaveri thotë se “rreziku do të rritet në kontekstin e ngrohjes globale, sepse shkrirja e ngricave të përhershme do të vazhdojë të përshpejtohet, dhe më shumë njerëz do të popullojnë Arktikun si rezultat i nismave industriale”. / today.it – bota.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here