Qazim Namani

Dasma traditë në fshatrat shqiptare të Medvegjës

Që nga fillimi i sulmeve barbare sllave në trojet shqiptare të Sanxhakut të Nishit, por edhe pas pushtimit të atyre viseve popullata shqiptare që mbeti brenda kufijve të shtetit serbë, popullata shqiptare ishte e rrezikuar për jetë dhe e penguar që të zhvillojë jetë normale. Në fshatrat shqiptare të Leskocit dhe Medvegjës, popullata shqiptare ishte mobilizuar për të ruajtur traditën dhe nderin e familjes. Në fshatrat shqiptare bëhej roje dhe të gjitha lëvizjet që hynin në pronat dhe lagjet e tyre vëzhgohej me kujdese.

Këto treva janë të njohura edhe në kohët e më hershme, sepse edhe gjatë sundimit Osman, asnjë i huaj nuk mundë të lëviztë lirshëm nga qytetet nëpër fshatrat shqiptare pa përcjelljen e shqiptarëve. Këtë e dëshmojnë edhe udhëpërshkruesit e huaj si: Ami Bue, Johann Georg von Hahn, si dhe Mita Rakic e tj kur i vizitoj këto vise.

Organizime për ruajtjen e fshatrave shqiptare sidomos bëheshin gjatë festive të ndryshme, dhe organizimit të dasmave. Të gjithë banorët, miqtë si dhe pjesëmarrësit e dasmorëve si nga fshati i vajzës apo djalit, ishin të organizuar që gjatë ceremonisë martesore të mos ju ndodhë ndonjë e keqe gjatë rrugës për marrjen e nuses.

Të gjithë dasmorët kur shkonin me marrë nuse, porsa ju afroheshin shtëpive të ndonjë lagjeje të fshatrave, ishin të obliguar që të gjithë të paralajmërojnë me zë të lartë duke thënë: Oooooo Jo, Jo, Po Po, Jo, para se të mbërrinin në lagjen e huaj, për mos ti shqetësuar banorët e lagjeve.

Gjatë rrugëtimit të dasmorëve në krye të dasmorëve vendosej njeriu që konsiderohej se ishte më i mençuri, pas tij vendosej njeriu që ishte më i pasuri në mesin e dasmorëve, i treti me radhë ishte dasmori i cili konsiderohej se është më i guximshmi, ndërsa i katërti në rendin e dasmorëve ishte njeriu më i largët nga fshatrat dhe fisi i dasmorëve (Jabangjiu).

Kjo renditje kësisoj bëhej si pas zakonit dhe përvojës së më hershme për këto arsye: Në raste të papritura nëse ju del ndonjë prite apo ngatërrese gjatë udhëtimit të dasmorëve, njeriu i parë që konsiderohej si njeriu më i mençur provonte të zgjidhë problemin me dialog. Nëse ky nuk arrinte ta zgjidhë atë problem ndërhynë dasmori i dytë i cili provon të zgjidhë problemin duke paguar me para. Nëse edhe ky nuk arrinte ta liroj rrunën për të marshuar më tutje dasmorët, ndërhynë njeriu i cili konsiderohej më i guximshmi, duke e paralajmëruar konfliktin. Nëse edhe ky nuk arrinte ta lirojë rrugën, ndërhynë dasmori i katërt i cili si njeri i huaj, ju lutet të dy palëve në konflikt që të lirojnë rrugën.

Kjo ishte njëra nga traditat e ruajtura me shekuj në mesin e popullatës shqiptare në fshatrat e Medvegjës, që u praktikua deri në fund të shekullit XX.

Të dhënat janë marrë nga Fadil Krasniqi i lindur në fshatin Grashticë, komuna e Prishtinës i cili kishte pas rastin ta përjetoi rrugëtimin e tij si dasmorë në një dasmë në njërin nga fshatrat shqiptare të Medvegjës para tri dekadave.

Po ashtu nga Fadili mësova edhe kuptimin e sharjes së moçme tradicionale të ruajtur me shekuj: Q..shta Myth!

Myth (rreshka e fundit), mbetje e pestilit në enë, mbetjet e rreshkave të piteve në tepsi, mbetjet e drurit para se të kalbej tërësisht etj. Kjo sharje i bëhet atij që konsiderohej i pa vlerë, mbetje e fundit, mbeturinë!

Fotot janë huazuar nga interneti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here