Ndërsa ishte duke vuajtur dënimin e tij të dytë, Spiro Nasho, zhvendoset në kampin e Spaçit, ku në vitin 1973, shpërtheu revolta e të burgosurve. Të dënuarit morën në zotërim kampin për tri ditë duke hedhur parulla antikomuniste, duke kërkuar të drejtat e tyre dhe duke qëndruar përballë forcave të armatosura deri në dhëmbë të ushtrisë dhe policisë shqiptare, derisa mëngjesin e 23 majit, u mposhtën. Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj u dënuan me pushkatim; organizatorët, por edhe disa që thjesht ishin piketuar: Dashnor Kazazi, Luan Burimi, Syrja Lame, Sami Dangëllia, Lush (Paulin) Vata, Jorgo Papa, Hodo Sokoli dhe Luan Koka, me 25 vjet burg dhe dhjetëra të tjerë u gjykuan me grupe, në vazhdim, duke marrë dënime të ndryshme. Ndër ta ishte edhe Spiro Nasho, i cili u dënua për herë të tretë. 47 vjet nga revolta e Spaçit, sjell rrëfimin e pjesëmarrësit të asaj revolte, i cili kujton tri ditët kur shtresa më e përndjekur dhe më e keqtrajtuar e shoqërisë shqiptare, gozhdoi diktaturën me thirrjet e saj për liri dhe ngriti mbi Spaç flamurin shqiptar pa simbolin komunist.

Lexo edhe : “Unë jam dëshmitar i shumë arrestimeve ‘në emër të popullit’”/ Rrëfimi i poetit Hajdari
Ishim në Zvërnec dhe pasi mbaroi puna në Nartë të Vlorës, te kriporja, u bë argjinatura dhe nga Vlora na çuan në Spaç. Ai famë madhi, Mehmet Shehu, që atje përfunduan dhe djemtë e tij. Jo me mua, por atje përfunduan dhe ata, në atë burg që e bëri babai i tyre. Edhe na çuan në Spaç, në minierë, konditat të jashtëzakonshme, e rëndë, jeta e vështirë shumë, në ca kapanone të këqija, një jetë e tmerrshme, po me vuajtje, duke mallkuar veten: pse ke lindur!

Çfarë pune bëje konkretisht në Spaç?

Si ishte trajtimi nga ana e personelit?

Edhe kur vdiste ndonjë njeri, se më janë vrarë dhe shokët në duart e mia…!

Të janë vrarë shokët?

Po, po, Sabri Keçi, nga Kruja.

Si ka vdekur?

I ra blloku, i ra mali përsipër i hapi kokën, i hapi kafkën e kokës, edhe policët thoshin: “U pakësua një armik”. Domethënë kërkonin vdekjen tonë. Ai punonte për ta dhe prapë: “U pakësua një armik”!

Kjo ishte sjellja e tyre?

Kjo ishte sjellja e tyre dhe thonin: “S’kemi ç’i bëjmë ligjit, se ne ju pushkatojmë të gjithëve, nuk lëmë asnjë gjallë”, thoshin oficerët edhe policët: “Nuk kemi ç’i bëjmë ligjit, se për shpirt, ne ju vrasim të gjithëve”.

A kujton emra nga ata që janë sjellë më keq?

Posi…! Operativ i kampit ka qenë një Fejzi Liço, nga Tërbaçi i Vlorës, një qen bir qeni, burrë më të poshtër s’kishte toka, e ishte gjithashtu Preng Rrapi, Pjetër Koka, policë në Spaç, Pjetër Gjini. Harrova shumë emra, se vajta bëra 17 vjet në Spaç. Plot 17 vjet, në minierë.

Si filloi revolta e Spaçit?

Filloi pa asnjë shkak. Qe një djalë, Pal Zefi. Edhe ai u pushkatua. U iku nga birucat, se i mbaroi afati. “Jo, s’të mbaroi afati i 30-ditëshit në birucë”, i thane policët. Për një ditë, del nga afati, e na vjen në kamp atje. Po kjo revolta ziente, pakënaqësia ishte në shpirt, te ne. Nuk ishte vetëm shkaku i këtij. Ky Pali, vjen atje dhe thotë: “Më shpëtoni, mos më lini në duart e tyre”.

Ngurrojnë të burgosurit, se trembeshin, kishin ligjin, fuqinë, ata. Ajo qe një diktaturë e jashtëzakonshme. Një djalë, një Syrja Lame nga Kolonja e Korçës, tha: Jeni burra, a ç’m….. jeni”?! “O burra, o sot o kurrë më”! Kur tha këto fjalë, iu hodhën të burgosurit sipër, e shpëtuan dhe filluan rrahën policët. Rrahën policët, por një djalë, një Jorgo Papa, minoritar ai, ka kapur tetë policë dhe i ka shtrirë përtokë sikur ishin lecka, jo njerëz. Kaq djalë i fuqishëm. Rron tani, është emigrant në Greqi, a kupton, po shumë i guximshëm.

Kontribuoi dhe ai me ne. Filloi revolta. Nxorëm policët jashtë nga kampi. Tentojnë për të hyrë herën e dytë policët, me forcë, brenda. Qëndrojnë në rresht të hapur me të burgosurit. Dolën jashtë. Shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Kampi çlirohet, nuk hyn asnjë brenda. Ishte nata e dytë. Nipi i Abaz Ermenjit, Tomorr Allajbeu, (djali i motrës) kishte një çarçaf të kuq. I themi: Na i jep o ti Tomorr, se duam të bëjmë flamurin shqiptar. “Posi, na, urdhëro”, na tha Tomorri.

Vemi te Mersin Vlashi, që ishte disenjator, nga Mati, i burgosur dhe ai, kishte bërë…ishte shembur në burg. Më thanë se ka vdekur. I thamë: Na bëj shkabën. Mersin Vlashi tha këtë: “Është nderi më i madh që më është bërë ndonjëherë, s’më është bërë ndonjëherë tjetër ndonjë nder më i madh, sesa ky që po më thoni ju, që po bëj për ju”.

E bëri me kënaqësi Mersini. Ngritëm flamurin, natën e dytë të revoltës. Ngritëm flamurin. Dua të cilësoj: për ngritjen e flamurit kanë marrë pjesë nacionalistët shqiptarë, të mirëfilltë, ata që themi ne, qoftë nga Mirdita, qoftë edhe nga Jugu, nacionalistët, ballistët.

I kujton emrat e atyre që morën pjesë në ngritjen e flamurit?

Posi! Tomorr Allajbeu, Gjetë Kadeli, Neim Pashaj, Ndrec Çoku…ka edhe të tjerë.

Çfarë ndodhi pas ngritjes së flamurit?

U ngrit flamuri. Në kat të tretë u ngrit flamuri me shkabë pa yll, që nuk kishin mundur as bandat që ishin në mal të ngrinin flamurin, ne e ngritëm atje. E ngritëm flamurin. Një plak, Riza Dyli, me gjithë të vëllanë, nga Berati, nacionalist edhe ai, kishte qenë me batalionet e Ballit Kombëtar, tha: Ai flamur, ulet vetëm me gjak.

“Shiko,- i thashë – xha Riza: me gjak ulet flamuri, nuk duhet të ulet pa gjak, por do japësh ti shembullin i pari, sepse ti ke marrë pjesë në repartet nacionaliste, kundër komunistëve. Do japësh shembullin ti, të ndjekim ne nga prapa”. Na ka ndjekur plaku prapa, edhe në gjyq me ne, ky plak, nuk e di jeton a s’jeton, s’besoj.

Riza Dyli, familje e mirë, të dy vëllezërit, nacionalistë të mirë, nga Berati. Kalon dita e dytë e revoltës. Se kjo qe dita e parë, 21 maj ‘73-it. Dita e dytë e revoltës: kur pa këtë gjendje të jashtëzakonshme, Sulë Manoku, kryetari i Degës Brendshme të Mirditës, lajmëroi qeverinë që, këtu është bërë një gjendje alarmante. Komisari donte ta ulte, një Shahin Skura, por nuk mund të përmbahej një revoltë kaq e madhe.

Lajmëron qeverinë. Kur shikojmë ditën e dytë, vjen policia. Policët e Kasëm Kaçit. Kasëm Kaçi ishte drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Republikës. Polici, jo ushtri. “Shiko, – tha -, dëgjoni vendimin e qeverisë: në qoftë se nesër, deri në orën 9.00, nuk dorëzoheni, do të përdorim të gjitha mjetet që disponon diktatura e proletariatit, do t’ju shtypim me zjarr dhe me hekur”! Hajde këtu, se ju presim, jemi gati! – u tha Mersin Vlashi me të burgosurit, Edhe një Pjetër Gjoka, nga Dukagjini, kërcente, thoshte: “S’kam ç’i dua më trima, pa pushkë, se ju”, thoshte ky Pjetri.

Si u shtyp revolta?

Ditën e tretë, vijnë 24 makina me ushtarë, 4 me municion dhe një kuzhinë, të dërguara nga komandanti i Kompanisë së Laprakës, të Reparteve të Ndjekjeve që ishte Bako Dervishi, ish-gjeneral-major. Sollën edhe tank, përdornin edhe bombat me gaz, për të vënë në gjumë, që nëse nuk dorëzoheshim, të na hidhnin në gjumë. Mua më thanë ata djemtë: “Hajde, të rezistojmë natën e fundit, të mos dorëzohemi”.

U thashë: Djema, Spiro nuk harron. Nuk kam njeri në shtëpi, jam djalë i vetëm, jam me ju! Nuk ju harroj. Ata qëndruan atje, gjithë natën. Në mëngjes, rezistuan. Rezistuan, por 4 veta ishin. Rezistuan me një ushtri të tërë. U vërsulën 600 burra mbi ta. Qe një djalë, Dervish Bejko nga Pogradeci, edhe hidhet një major, më i tmerrshmi i Tiranës, ta kapte me dorë.

I bie Dervish Bejko me levë në kokë, e shtriu në tokë. Hidhet një kapter ta kapë prapë Dervishin, i bie dhe atij tjetrit: të gati të vdekur m’u në vend edhe atë. Hidhen edhe nja dy të tjerë, plagosin nja dy të tjerë të burgosurit. Ky Kasëm Kaçi, drejtor i Policisë së Republikës, i thotë komandantit të kampit: “Sa kemi të plagosur deri tani, nga ne”?

Lexo edhe : 104 vjet nga vdekja e Ismail Qemalit
-“Katër veta”, i thotë ky komandanti i kampit. I thotë: “Hap zjarr! Hap zjarr”, i thotë.

“Jo, jo,- tha Kasëm Kaçi,- mos vrisni, se do dalin në gjyq. Mos vrisni asnjë. Do dalin në gjyq, të gjithë”. Atje vazhdonte përleshja, bap e bap, kërciste druri bam e bam e bam e bam. Më në fund u shtypën, nuk kishin çfarë të bënin më. I shtypën, i nxorën gjysëm të vdekur. I futën në barelë dy nga dy dhe i hedhin në stivë atje

Vjen Kolegjiumi Ushtarak i Gjykatës së Lartë, në Spaç. Vazhdojnë seancën gjyqësore. Se u bë gjyqi në kamp në Spaç: seancë gjyqësore në gjendje të jashtëzakonshme. Qenë 11 veta. Katër veta dënohen me vdekje: Hajri Pashaj, më trim s’e bënte nëna, Dervish Bejko, Skënder Daja dhe Pal Zefi që, u bë gjithë shkaku.

Për Palin u grimë ne, për Pal Zefin, për asnjë tjetër.

Dua të cilësoj, ai djali, ai Hajriu, djalë më trim nuk ka si e bën toka e Shqipërisë, jua them ndershmërisht, nuk ka si i lind më trim djalë. I tha Feçor Shehut: “Nuk më njeh mua, tha, unë jam djali Zenel Brahushit”.

“Ty nuk të njoh, – tha Feçor Shehu se ishte nga një fshat me Feçorin. – Babanë tënd e kam njohur, tha. Babai yt ka pushkatuar 12 anëtarë këshilli. Ka djegur 500 shtëpi”. “Babai im nuk ka vrarë,- tha Skënderi, por ti mor zagar,- i tha Feçorit,- ti dhe shokët e tu i keni hequr kapelën babait tim”.

“Hajde se ta rregulloj unë”. “Do më …”! Se po flasim kështu…! “Çfarë ke për të thënë në fund?” I tha ai: “Ju jeni aventurierë politikë, me jugosllavët u prishët, me rusët u prishët, me kinezët e dh….Ti,- i tha,- ti do vish këtu ku jam unë”. E pushkatoi Hajriun, por djalë më trim…Qe edhe një Bedri Çoku, djalë dhe ai shumë guximtar, sa s’kishte më, edhe një Paulin Vata.

Paulini, tepër i zgjuar, tepër i aftë, por karrierist. Ç’kishte bërë Paulini? Paulini kishte bërë në Jugosllavi 15 vjet burg, dënuar atje. Atje, në burg në Jugosllavi, gjen adresën e Leka Zogut, Mbretit. Edhe i thotë që unë dhe familja ime, jemi zogistë të betuar. I ka dërguar për 14 vjet rresht rrogën si oficer rezervë, po oficer kishte qenë në Shqipëri Paulini, në Degë të Shkodrës, po shumë djalë i fortë, edhe karrierist.

Sa herë jeni dënuar?

Tri herë.

Kur ka qenë hera e tretë?

Hera e tretë ka qenë pas 21 majit të ‘73-shit. Jam dënuar 24 vjet, herën e fundit.

Ku e keni kaluar burgun e fundit?

Po në Spaç, pak në Burrel, pastaj kam qenë në Qafë-Bari.

Episode dhune nga ruajtësit tuaj, a ju kujtohen?

Për ne që erdhëm nga hetuesia e Tiranës, në Mirditë, atje përdorën edhe mjetet e helmimit, për të helmuar të burgosurit, për shembull kishim një djalë nga Teshtaniku, ka vdekur ai tani, një Gëzim Medolli, edhe u tha ai: “Unë gjithë plumbat tuaj i pres këtu me gjoks”, tha. Ka vdekur i shkreti, djalë trim, Gëzim Medolli nga Teshtaniku, trim shumë. “I pres plumbat në gjoks këtu”, u tha.

Çfarë metodash kanë përdorur ndaj jush në hetuesi?

Hetuesia ooo! Kam bërë hetuesinë këtu te Burgu i Ri, te dhoma e hetuesisë, kam bërë hetuesi nga Drejtoria e Dytë e Zbulimit. Kjo është në ‘76-ën, nuk është në ‘73-shin. Në ‘76-ën kam bërë hetuesi këtu, hetuesi speciale. I shikoje: “Njerëz të mirë”, të veshur me kollare, por drurin e përdornin si bisha. Ata hetues që kisha unë, kishin qenë hetues me “bandit” e Veriut. I kishin mobilizuar pleqtë për tek unë.

Të kujtohen emrat e hetuesve, kush ishin?

Posi, por ata i kanë vrarë të gjithë. Pas rënies së Mehmet Shehut, ata u zhdukën të gjithë. Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Muço Saliu; Andon Butka, hetues; Skënder Sadiku, hetues. Me këta të dy kisha të bëja. Edhe më këtë drejtorin e Sigurimit të Shtetit, ishte një rast, vjen brenda. Ishte një burrë i shkurtër, po me 5-6 veta mbrapa. Vjen te porta. Fol ai, fol unë, fol ai, fol unë.

Unë nuk e njihja kush ishte. “Djalo”, më tha. “Urdhëro zotëri”, (se “zotëri” u thoshim atëherë policëve se nuk donin “shok”), “s’jam shoku yt, unë”, zotni. Ky hetuesi që më rrihte me dru, më vuri dorën këtu në gojë të tij. “Unë jam ai që të pres biletat për në botën tjetër”. Ky ishte Muço Saliu, drejtori i Sigurimit të Shtetit. Edhe Nevzat Haznedari, vinte si dëgjues Nevzati, jo si hetuesi.

Ndërkohë, ç’ndodhte me familjen juaj kur ju ishit në burg?

Kishim shtëpinë. E kishim dy kate, kishim dhe një bahçe. Rashë unë në burg, na e konfiskuan. Le që e shkatërruan përfundimisht, nga themelet, nuk i lanë gjë, por konfiskimi ishte ligji i Leninit, i atij që thoshin ata: “I dënuari nuk duhet ta ndiejë dënimin penalisht vetëm, por ta ndiejë edhe ekonomikisht”.

Na kanë marrë dhe lugët e gjellës. Çfarë mund t’i bësh më njeriut? Mund t’i marrësh të gjitha, por dhe lugët e gjellës, nuk ka gjë më poshtëruese. Mua më duket e rëndë shumë kjo luga e gjellës, ajo që fut në gojë.

Si i trajtonin prindërit?

I hoqën, i lanë në një kasolle atje, që i zinte sipër.

A vinin të afërmit tuaj t’ju takonin?

Vetëm babai dhe nëna, asnjë tjetër. Babai dhe nëna, motrat ishin të vogla. Brodhën gjithë Shqipërinë me trasta prapa.

Si udhëtonin dhe si i trajtonin kur vinin t’ju takonin?

Po atje kishte një 7-minutësh për takim që bënin ata, me orë. Sa të bëheshin 7 minuta, “hajde çohu”, thoshte ai.

Kishin mundësi të vinin dhe të iknin brenda ditës?

Jo, jo, nuk arrinin.

Ku flinin?

Flinin ndonjëherë dhe jashtë. Babait tim i kishte dërguar një mushama nga Australia, xhaxhai, mushama meshin, edhe flinin jashtë. Se s’kishte, sa të vinte mëngjesi. I zinte pasditja. Transporti qe shumë i vështirë atëherë.

Bashkëvuajtësit tuaj kanë treguar që, shoferët nuk pranonin t’i merrnin ngaqë, ishin familjarë të të dënuarve

Është shumë e vërtetë. Po kam dëgjuar dhe gjëra të tjera, që vinin gratë edhe ata ushtarët, i zinin, i çnderonin. Edhe këta ta dini! Se indinjohem, po s’kam çfarë bëj. Na kanë poshtëruar kaq shumë, sa s’ka më!

Në çfarë viti u liruat?

Unë jam liruar në dhjetor të ‘90-ës.

Si i pritët lëvizjet demokratike?

Mendimi i të dënuarve atje ishte që ajo lloj diktature, aq e egër dhe aq e ashpër, nuk mund të rrëzohej nga brenda; vetëm një fuqi e jashtme mund të na ndihmonte dhe sjellja përmbys e të gjitha gjërave, ishte revolucioni në Rumani, përmbysja e Çausheskut. Atëherë u thamë: “Do ju hamë të gjallë, do ju hamë me lecka”.

Si reagonin policët?

Të lëkundur, filluan të lëkundeshin. Na thoshin policët: “Ne nuk zbatojmë urdhrat, se po të bënim çfarë na thonë oficerët, ne do t’ju hanim të gjallë të gjithëve, por ne e bëjmë pak më të tolerueshme. Policët, jo oficerët”.

Edhe kishim një komandant kampi, një Edmond Caja, që ai pretendonte për t’u bërë ministër, ai duhet dënuar për kriminel lufte, për gjakësi. Njëri më i poshtër, s’kishte si bëhej. Sandër Sokolin, në Revoltën e Qafë-Barit, e ka mbytur në dru, një oficer kampi, një Lekë Ymeri nga Tropoja.

A keni ndonjë peng ndaj atyre që ju kanë bërë keq?

Pishman kam shumë se njerëz të një gjaku, të sillen me atë barbari si janë sjellë ata me ne, nuk ka si falet fare. Prapë, nacionalistët janë gjithmonë zemërgjerë, falës. Me gjithë ato poshtërsia që na kanë bërë, ne i falim prapë. Nuk jemi gjakmarrës, kriminelë si ata. Jemi njerëz humanë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here