Rritja e vazhdueshme e temperaturave do të sjellë pasoja negative edhe në furnizimin me energji elektrike
Një pjesë e madhe e vendeve evropiane këtë fillim viti regjistruan një dimër shumë të ngrohtë duke bërë që disa vendpushime për skitë të mbylleshin.
Për të afruar turistët në mënyrë që t’i shmangeshin falimentimit disa resorte vendosën borë artificiale. Teksa emetimet e shkaktuara nga djegia e lëndëve djegëse vazhdojnë të ndryshojnë klimën, temperaturat në fillim dhe mesin e këtij muaji ishin mjaftueshëm të ngrohta sa për të shkrirë borën. Pasojat shkojnë përtej sporteve dimërore, duke dëmtuar furnizimin me ujë dhe biodiversitetin.
“Bora luan një rol të rëndësishëm në ciklin e ujit Bora ruan ujin për një kohë të caktuar. Uji në borë nuk rrjedh menjëherë, por në verë dhe pranverë,” shprehet Daniel Farinotti, një ekspert nga universiteti ETH Zyrih dhe Instituti Federal Zviceran për Kërkimin e Pyjeve, Borës dhe Peizazhit.
Vetëm kur bora shkrihet, uji lëshohet gradualisht nëpër liqenet, lumenjtë dhe ujërat nëntokësore përreth. Bora vepron si një lloj pajisje ruajtëse dhe ndikon në sasinë e ujit gjatë vitit. Lumenjtë e ushqyer pjesërisht nga shkrirja e borës gjithashtu përfundojnë me nivele më të ulëta uji dhe kjo përfshin edhe lumin e Rinit, një nga rrugët ujore më të rëndësishme të Evropës.
Ekspertët shprehen se mungesa e borës sjell pasoja negative për transportin dhe furnizimin me energji elektrike. Një studim i Komisionit Ndërkombëtar për Hidrologjinë e Basenit të Rinit tregon se reshjet e shiut nuk do të jenë në gjendje të kompensojnë mungesën e ujit të shkrirë. Anijet e mallrave mund të ndërpresin transportin për më shumë se dy muajsh në vit, thuhet në raport.
Prodhimi i energjisë elektrike mund të pakësohet ndërsa furnizuesit e ujit të pijshëm dhe fermerët do të duhet të përgatiten për mungesa më të shpeshta në një verë rrjedhimisht të nxehtë dhe të thatë, kur uji është në kërkesë edhe më të madhe. Jo vetëm kaq por studimi thekson se mungesa e ujit nxit gjithashtu dëmtimin e tokës pasi insektet e kanë më të lehtë rrugën e tyre për të ngrënë në pemë të thata dhe të dobëta.
Klan News