Ali Pashë Tepelena (1740 – 1822)
Ali Pashën sot disa e gjykojnë sipas standardeve të një lloj nacionalizmi shqiptar që e shikon me syza të shek. XXI. Por, në kohën e tij gjërat kanë qenë ndryshe. Ali Pasha mund të akuzohet, së bashku me bushatlinjtë, për mos bashkim, e cila gjë e pamundësoi krijimin e një shteti të fuqishëm shqiptar. Atëherë ndjenja nacionale te shqiptarët nuk ka qenë sikur që është sot.
Megjithatë, Ali Pasha ishte më shumë se udhëheqës karizmatik, pa marrë parasyshë nëse ishte apo nuk ishte despot e tiran. Pashallëku i tij, praktikisht ishte shtet i pavarur. Por, nuk ishte shtet nacional (shqiptar) për shkak se kjo ide ende nuk kishte depërtuar në Ballkan.
Ali Pasha krijoi shtet në të cilin jetonin të sigurtë shqiptarët, grekët, vllehët, sllavët, etj. Në fakt, ky ishte shtet mbinacional në kuptimin e sotshëm politik, por e sundonin shqiptarët. Ndoshta kjo formë e sundimit, sikur të vazhdonte, do të ishte më e mira për ta stabilizuar Ballkanin. Ai pas vetes ka lënë shembullin se shqiptarët mund ta sundojnë veten dhe popujt tjerë. Kjo ide ka luajtur rol në zgjimin kombëtar të shqiptarëve. Nuk duhet harruar se Luani i Janinës, siç e quante bota, ishte shqiptari i parë dhe i vetmi që ia arriti të negocionte përnjëherë me tri fuqitë e kohës: Britaninë, Francën dhe Rusinë. Madje, me sukses arriti t’i manipulonte këto fuqi në llogari të tij. Dhe, kjo gjë nuk bëhet pa qenë faktor shumë i rëndësishëm dhe diplomat i rryer.
Për Ali Pashën është shkruar dhe vazhdohet të shkruhet. Por, studimi më serioz shkencor është ai i Noel Malcolm-it, me titull ‘Ali Pasha and Great Britain during the Napoleonic Wars’ e që gjendet në librin e tij ‘Rebels, Believers, Survivors – Studies in the History of Albanians’.
Vetëm në këtë studim mund të shihet roli politik dhe rëndësia e trashëgimisë që Ali Pasha ka lënë pas vetes si gjurmë shumë të rëndësishme në historinë botërore dhe në ndërdijen nacionaliste shqiptare.