Libri i Kaloçit “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist…”, Ekskluzive: Zbulohet korrespodenca sekrete e Ministrisë së Jashtme me Misionin shqiptar në OKB në 1973-in, lidhur me letrat që dërgonte atje sekretarja e Fan Nolit, Maria Xhons

Telegrami sekret: “Mundohuni mos nxirrni prej saj ndonjë gjë tjetër nga arkivi i Nolit, që nuk është dorzuar tek ne”.

Ashtu siç kemin parë dhe në një nga kapitujt paraardhës të këtij libri i cili bën fjalë mbi një dokument arkivor të vitit 1960, ku misioni shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me anë të një telegrami shifër “Tepër sekret”, njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtëme në Tiranë lidhur me një fjalim të mbajtur nga Peshkopi Fan Noli në Kishën e Shën Gjergjit në Boston (ku ai kishte folur mbi “….mjerimin e Kishës në Shqipëri dhe perden e hekurt….”, telegram i cili nga ana e Pirro Bitës iu dërgua Enver Hoxhës dhe katër sekretarëve të Komitetit Qëndror të PPSH-së, edhe pas vdekjes së Nolit, regjimim komunist i Tiranës vazhdonte të mbante të njëjtin qëndrim negative ndaj figurës, emrit dhe kujtimit të tij. Kjo gjë bëhet e ditur më së miri edhe nga ky dokument arkivor i vitit 1972-’73, ku bëhet fjalë mbi një korrespodencë ndërmjet misionit shqiptar në OKB dhe Ministrisë së Jashtme në Tiranë, ku një nga funksionarët e atij misioni (Rako Naço), informon zv/Ministrin e Punëve të Jashtme, Reiz Malile, për një letër që sekretarja e Nolit, Maria Xhons, u ka dërguar atyre në selinë e misionit. Sipas dokumentit në fjalë, ajo kërkon që t’i dhurojë shtetit shqiptar disa objekte, relike, piktura, abazhur, etj, të cilat kanë qenë në zyrën e Fan Nolit kur ajo ka punuar pranë tij.

Madje për këtë gjë, ajo ka dërguar edhe letra të tjera në adresë të misionit shqiptar në OKB, por nuk ka marrë asnjë përgjigjie. Dhe nisur nga ky fakt, ajo është detyruar që të shkruajë përsëri, madje me një hatërmbetje për mos marrjen e një pergjigjie prej atij misioni. Por, ashtu si në letrën e parë, edhe për këtë letër ajo nuk ka marrë kurrë një përgjigjie…?!

Ndonëse në telegramin shifër në fjalë, zv / Ministri i Punëve të Jashtme në Tiranë, Reiz Malile, ka vënë shënimin: “Shoku Thanas (Nano) të bisedojmë”, duket që më pas ai ka hequr dorë prej kësaj…?! Pasi më pas, me anë të një telegrami “Tepër Sekret” të shkruar me dorën e tij, ai i ka porositur funksionarët e misionit shqiptar në OKB, që asaj, (Maria Xhons), të mos i kthehet përgjigjie dhe kërkesa e saj të lihej në heshtje. Madje jo vetëm kaq, por ai në telegramin në fjalë (shiko faksimilen përkatëse), i porosit vartësit e tij, që ata të sillen korrekt ndaj saj dhe nëse i viziton në mision, ta presin dhe të sillen njerzishëm me të dhe të mundohen që t’i marrin asaj ndonjë gjë tjetër nga ato që ka pasur Noli në arkivin e tij.

Por kjo porosi, edhe vetë Maliles i është dukur e pa vënd, (për të mos thënë tepër diabolike), aq sa ai ka hequr dorë prej saj dhe e ka prishur atë fjali në fund të telegramit. Ky qëndrim, pra heshtja dhe injorimi që i bënte Tirana zyrtare zonjës Maria Xhons, e cila kishte shërbyer vite me rradhë si sekretare e Nolit, duket se nuk kishte të bënte fare me të, por asaj i vinte “fatura” që regjimi komunist i Tiranës do t’i dërgonte Nolit nëse ai do të ishte ende gjallë. Kjo gjë lidhet me pozitën dhe qëndrimin politik që Peshkop Noli, vazhdonte të mbante prej kohësh ndaj Tiranës zyrtare dhe njëkohësisht politikës së Enver Hoxhës. Por të gjitha këto, mbaheshin tepër sekret dhe regjimi komunist vazhdonte “të luante” me figurën e Nolit, me dy fytyra: Ndërsa për konsum të brendshëm dhe të jashtëm e paraqiste atë si patriot që “kishte luftuar kundër satrapit Zog në Revolucionin e Qershorit të ’24-ës”, apo si përkthyes, shkrimtar e poet që kishte kënduar për Luigj Gurakuqin, Bajram Currin etj, në të vërtetë ndaj tij mbante një qëndrim tepër negative dhe e survejonte prej vitesh atje larg në SHBA në çdo hap të tij dhe duke mbajtur shënim çdo gjë që bënte dhe çdo fjalë që ai thoshte. Ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve të këtij libri, edhe këto botohen të plota ashtu siç ndodhen në dosjen përkatëse në Arkivin e Ministrisë së Brendëshme në Tiranë.

D E SH I F R I M

Të rikthehet në organin e shifrës TEPER SEKRET

Ndalohet me nxjerr kopje Nr. i fletës 84

Nr 1323 Nga Neë Yorku

………………………………………………………………………………………………………………

Nr. 80 Datë 18 / 1 / 1973

MINISTRISE SE JASHTME

Në një letër që Mari Xhons, ish sekretarja e Nolit na njofton se dëshiron që të dërgojë dhuratë në Shqipëri kopjen e një pikture me autograf të autorit, të cilën e ka marrë në Paris në vitin 1934 dhe që origjinalja është pikturë muri në faqen e një muri në ndërtesën e gjykatës në Bourg La Reine, në periferi të Parisit, si dhe një abazhur qelqi nga ata që varen në tavan, që Mari Xhons mendon se do të shkojnë në zyrat ku celebrohen martesat. (Vijon)

………………………………………………………………………………………………………

D E SH I F R I M

Të rikthehet në organin e shifrës TEPER SEKRET

Ndalohet me nxjerr kopje Nr. i fletës 83

Nr 1220 Nga Neë Yorku

………………………………………………………………………………………………………

Nr. 81 Data: mbaroj

Ajo lutet që t’i përgjigjemi brenda javës, a mund t’i dërgoj ato meqë shtëpia e saj prishet meqënë se e zë planimetria e qytetit. Në letër ajo bën aluzion se këto i dhuron për kujtim të Nolit, dhe ankohet se nuk ju përgjigjëm letrës për disa muaj të shkuara

mbi çka ajo dëshironte të bënte për kujtim të Nolit dhe për të cilin ju kemi njoftuar me tel Nr. 197, datë 3 maj 1972.

Rako

……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….

Shkruhet vetëm me bojë dhe me shkrim të pastër TEPER SEKRET

Gjithë korigjimet vërtetohen nga nënshkruesi dhe përpiluesi Nr. i fletës 6

SH I F R I M

Nr 377 Datë 31 / 1 / 1973

Adresa: Ministrit në Neë York

Lidhur me ofertën e sekretares së Nolit, mos t’i ipni përgjigjie, e linin ë heshtje. Ndaj saj të mbani qëndrim korrekt, po t’ju vizitojë e pritni njerzishëm, mund t’i bëni dhe ndonjë dhuratë simbolike. Mundohuni mos nxirrni prej saj ndonjë gjë tjetër nga arkivi i Nolit, që nuk është dorzuar tek ne.

Reiz

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here