Ishte djali i madh i Kronit dhe me vëllezërit e vet, Zeusin dhe Poseidonin, formonte trininë e zotërave supremë grekë. Kur lindi, i ati, Kroni, ishte sundues suprem i gjithësisë, mirëpo frikësohej pa masë se ndonjëri prej fëmijëve të tij do t’ia rrëmbejë fronin. Prandaj pasardhësit e vet i gëlltiti posa i lindën dhe i burgoste në barkun e vet. Ata jetuan edhe më tutje, për arsye se, si qenie hyjnore, ishin të amshueshëm. Nga ky fat ka shpëtuar vetëm Zeusi, djali i tij më i vogël, të cilin nëna e lindi fshehtazi dhe e strehoi në Kretë. Kur u rrit Zeusi, ndodhi pikërisht ajo prej çka friksohej më së shumti Kroni: u çua kundër babait, e detyroi që fëmijët e burgosur t’i lirojë dhe e ftoi në luftim. Vëllazërit e tij, Hadi dhe Poseidoni, iu bashkuan Zeusit dhe me aleatët e tjerë i ndihmuan që ta mposhtë Kronin dhe t’ia rrëmbejë pushtetin. Pas ngadhënjimit vëllezërit u morën vesh që trashëgimin e Kronit me short ta ndajnë ndërmjet tyre. Zeusi e rregulloi që atij t’i takojë pushteti në qiell dhe tokë, Poseidoni e fiton pushtetin në det, ndërsa Hadi u bë sundues i gjithëpushtetshëm në perandorinë nëntokësore.
Nuk mund të thuhet se Hadit i ka takuar me short pjesa më e mirë, por natyrës së tij të errët dhe të pamëshirëshme sundimi mbi botën nëntokësore i përgjigjej plotësisht. Dhe perandoria e tij nëntokësore ka qenë vërtet e tmerrshme: fshihej në thellësitë e tokës dhe në të kurrë nuk depërtoi rrezja e dritës së diellit. E formonte rrafshin e zymtë përplot me lule të verdha të asfodeles (“lulja e vdekjes”) nëpër të cilin rrjedhin pesë lumenj, të cilët njëherit ishin edhe kufijt e saj: Stiksi, që i mbërthente të gjithë me përqafimin e akullt, Akeronti, lumë i vajtimit, Kokiti, lumi i pikëllimit, Piriflegetoni, lumë i zjarrtë dhe Leta e errët, ujërat e të cilëve bënin që të harrohet çdo gjë ç’është e kësaj bote. Se si ka qenë në të vërtetë e ndarë dhe se si dukej perandoria e Hadit, njerëzit nuk e dinin me siguri, pasi që asnjë i vdekur nuk është kthyer i gjallë nga atje e që do të tregonte se si është atje. Disa heronj (Herakliu dhe Enea), të cilët kanë zbritur në të dhe sërish janë ktheyr nuk kanë mundur ta shohin tërësisht. Mirëpo, supozohej se në perëndim shtrihen fushat e Elizeut, ku jetën e tyre të amshueshme e çonin shpirtërat e të drejtëve. Diku në thellësira gjendej Tartari, ku mëkatarët i vuanin dënimet e amshueshme dhe në pjesën më të errët të kësaj perandorie të zymtë ishte Erebi ku gjendej pallati nga i cili Hadi, së bashku me gruan e vet, Persefonën, sundonte me zotërat e botës nëntokësore dhe shpirtërat e të vdekurve.
Shpirtërat e të vdekurve zbritnin në perandorinë e Hadit përmes humnerave të errëta. Njëra prej tyre ishte në ngushticën Tenar, në jug të Peloponezit, ndërsa tjetra në Kolon,duke shkuar nën Etnën në Sicili. Sipas Homerit hyrja në perandorinë nëntokësore ishte diku në perëndim, ku më nuk depërtonin rrezet e diellit. Hyrjen në botën nëntokësore e ruante Kerberi, qeni trekrerësh. Ata të cilët hynin i lëshonte me kujdes, mirëpo askënd nuk e lëshonte të dalë jashtë. Prej hyrjes rruga shpinte kah ujërat e Akerontit, nëpër të cilin i çonte shpirtërat e të vdekurve plaku i vrazhd, Haroni. Kuptohet se i çonte vetëm në boten nëntokësore, por jo edhe mbrapa dhe për këtë punë të vdekurit kanë qenë të detyruar t’i paguanin. Nga anija e Haronit shikonin të gjithë para fronit të Hadit, te i cili gjendeshin të ulur gjykatësit, Minosi, Radamanti dhe Eaku, djemt e Zeusit. Vetëm rallë ndonjë shpirt arrinte në Elize, ku çonte jetë të lumtur.Të fajësuarit dënoheshin sipas veprave të keqia të bëra, dhe kush nuk ishte as i mirë dhe as i keq (ose ka qenë i mirë dhe i keq), ka qenë i detyruar të shkojë në fushat e Asfodelit, ku bredhte pa hare dhe pikëllim, pa asnjë dëshirë dhe ndjenjë, si hije. Njerëz të tillë gjoja ka pasur, më së shumti dhe në mesin e tyre gjendeshin edhe kreshnikët më të mëdhenj (madje edhe vetë Akili; çfarë jete çonte atje, dimë nga rrëfimi i tij i brengosur, të cilin e ka shënuar Homeri: “Kisha dashur më tepër të punoja si mëditës jashtë në fushën e burrit me pronë të vogël, ku nuk ka ushqim të begatshëm, se sa këtu në perandorinë e Hadit të jesh sundues i hijeve të gjithë njerëzve të tillë të vdekur”.