Fotografia e muzikantit të trishtuar, Evandro João da Silva u klasifikua si një nga shkrepjet më prekëse në historinë e kohëve të fundit. Violinisti 12-vjeçar brazilian është duke luajtur pjesën e preferuar muzikore për mësuesin e tij në funeralin e lamtumirës.

Mësuesi Evandro João da Silva ishte një koordinator dhe udhëheqës shumë i vlerësuar i Grupit Kulturor AfroReggae që çoi muzikën, artin dhe kulturën në favelat e privuara të Rio De Zhaneiros, Brazil.

Qëllimi i AfroReggae ishte të adresonte pabarazitë sociale që gjenden në metropolin brazilian dhe të luftonte paragjykimet duke përdorur muzikën, artin dhe kulturën.

Mëngjesin e së dielës 18 tetor 2009, da Silva ishte jashtë me miqtë në Rio De Zhaneiro, kur u grabit dhe u qëllua për vdekje. Mediat lokale raportuan se grabitësit i morën telefonat, këpucët dhe portofolin, përpara se të qëllonin Evandron dhe të largoheshin nga vendi i ngjarjes.

Vrasja e tij tronditi grupin AfroReggae dhe shkaktoi zemërim dhe pikëllim në komunitetin artistik të qytetit. Gjithashtu u raportua gjerësisht si një simptomë tragjike e dhunës në rrugë të Rio De Zhaneiros.

Dhimbja dhe humbja u ndje thellë nga të gjithë të rinjtë që da Silva ndihmoi të dilnin nga varfëria dhe privimi. Dhe është pikërisht kjo foto që ka fiksuar violinistin 12-vjeçar, Diego Frazão Turkato, në mënyrë prekëse emocionin e atij momenti.

Foto është realizuar nga gazetari dhe fotografi Marcos Tristao. Dhimbja e fëmijës dhe emocioni i momentit shpërthen përballë botës si një dëshmi e fuqishme e tragjedisë së dhunës, fuqisë së muzikës dhe ndikimit të thellë të veprimit të disave, në favor të zonave të paprivilegjuara.

Që kur ishte shumë i vogël, Diego ka jetuar me sëmundje si meningjiti, por pavarësisht kësaj nuk e ka humbur entuziazmin për muzikën. Ai nuk ishte i trajnuar në mënyrë klasike, por performanca e tij përcolli një ndjenjë, e cila përfshinte lotët në funeralin e liderit Afroreggae, gjë që u raportua gjerësisht nga shtypi brazilian, gjë që do t’i jepte atij famë.

Gazeta O Globo, raportoi imazhin “si një nga më emocionalët e kohëve të fundit”. Diego mori pjesë në punëtoritë e grupit në Parada de Lucas dhe u bë ylli i orkestrës së harqeve të Afroreggae, një OJQ që punon për të luftuar hyrjen e të rinjve në trafikun e drogës. Në dhjetor të vitit 2009, ai mori pjesë në fushatën e fundvitit të Rede Globo.

Gjithashtu ai u nominua në vitin 2010 për çmimin Faz Diferença nga gazeta O Globo.

Fëmijëria e tij u shënua nga sëmundja. E fundit prej tyre çoi në një qëndrim 24-ditor në spital, kur ai pësoi infeksion të gjeneralizuar pas operacionit të apendiksit, që çoi në përkeqësimin e rastit. Ai varej nga ndihma e aparaturave për rregullimin e presionit të gjakut dhe pati një arrest kardiorespirator. Menjëherë më pas ai vdiq.

Gjatë kësaj periudhe, ai u shtrua gjithashtu në spitalin Saracuruna me leuçemi akute, por nuk mundi t’i nënshtrohej kimioterapisë për shkak të rrezikut të procedurës, vdiq më 1 prill 2010.

Përgatiti: Albert Vataj

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here