Tani zotëri oficer i lartë i Rajhut, po ju dëftoj se si Serbia e ka likuiduar parinë tonë politike në vazhdimësi: Më 1902, likuidohet Haxhi Zeka në Pejë…
Edhe pse nën pushtimin gjerman, shqiptarët e Prefekturës së Mitrovicës (Vushtrri, Podujevë, Mitrovicë e Pazar i Ri) e shihnin të realizuar idealin madhor. Organet e pushtetit në prefekturën e Mitrovicës ngritën administratën shqiptare dhe u angazhuan me ngulm për rimëkëmbjen e segmenteve të ndryshme të jetës në këtë hapësirë, ku vendin kryesor e zuri arsimi.
Forca ushtarake e Gjermanisë gjatë ditëve të para, së bashku me krijimin e qendrave komanduese, filloi të zgjidhë edhe çështjen e administratës civile. Kështu, komandanti i Divizionit 60 të motorrizuar, gjenerali Eberhardt, me të shpejtë e thërret një tubim të krerëve shqiptarë më 21 prill të vitit 1941, në Mitrovicë në sallën e hotelit “Jadran”. Në këtë tubim morën pjesë përfaqësuesit e Kosovës, Pazarit të Ri dhe Senicës, edhe ata nga Mitrovica: Xhafer Deva, për Senicë: Omer Qiniq dhe Emin Çerkez, ndërsa për Pazar të Ri, Aqif Blyta dhe Ahmed Daci. Në këtë takim Aqif Blyta i drejtohet gjeneralit Eberhart me këto fjalë: “Zotëri Gjeneral, ne jemi një popull shumë i vjetër që jemi mësuar të pranojmë në këtë tokë jallane shumë kalimtarë. Ne për libër të shenjtë e kemi kuranin (përkthen Xhafer Deva). Zotëri gjeneral, në fund të Kuranit shkruan se Zoti i madhnueshëm betohet në kohën. E ne, kemi humbur shumë kohë e mote në vuajtje dhe mjerim ekonomik. Unë jam nga Sanxhaku. Populli atje e mban mend kur ajo trevë frymonte e tëra në plisa. Por, më 1912 e këndej çështja e plisit ishte tragjedia më e madhe për një popull nëse vendoste për ta mbajtur. Ka pasur raste kur vojvodët serbo – malazezë, janë kërcënuar se lumenjtë do të bartin vetëm koka dhe plisa të shqiptarëve me muaj të tërë. Kjo do të thotë se pushteti i Serbomalazezëve gjithmonë ka provuar të na shfarrosë.
Ne, zotëri oficer, më 1919 në Shkup e kemi pas themeluar një organizatë që quhej Xhemjet. ….ne kemi pasur qenë të detyruar që organin tonë ta quajmë “Hak” që do të thotë “Drejtësi”, ndërsa Xhemjet do të thotë “Bashkim” …Pushteti e ka lejuar këtë parti me emër turk, për të propaganduar se “ja këta janë turq, organizatat dhe organizimin gazetaresk e kanë në turqishte dhe një ditë duhet të shkojnë kah kanë ardhur”. Kjo politikë shfarrosëse është drejtuar në trojet tona me zjarr, pushkë, topa, tatime, grabitje të pronave tona, moslejim që të shkollohemi në gjuhen tonë e brutalitete të tjera që nuk kanë qenë të papërdorura edhe në regjimin e sulltanëve, sepse shqiptarët ishin liridashës, por, edhe kryengritës pa pushim. Unë me shumë patriotë të tjerë, prej tyre kemi kërkuar asgjë më tepër se të na lejohet edhe neve të drejta ashtu si u lejohen hungarezëve dhe gjermanëve në Vojvodinë. Ne tani zotëri, oficeri im i lartë i Rajhut, kërkojmë të na lejohet ta legalizojmë KMKK. Duam sepse kjo parti politike e Kosovës do të hapë së pari shkolla, do të organizojë administratë shqipe nëpër prefektura dhe nënprefektura. Ne duam që organi i KMKK “Populli” të na lejohet. Nëse ky emër nuk lejohet, atëherë ne kërkojmë që të na lejohet një emër zëdhënëseje (gazetë ) me emrin “Kosova”. (Të gjithë u ngritën në këmbë duke iu drejtuar Aqifit:) “Të lumtë goja shkëlqesi”.
Ne zotëri kemi vuajtur shumë nën robërinë osmane dhe serbiane. Tani jemi në pozitë që me ndihmën tuaj ta shkurtojmë kohën, duke hapur shkolla, duke ndërtuar rrugë e duke i lidhur krahinat tona të izoluara mes vetes me rrugë, ura e sidomos me telefoni moderne. E Ferhat Begu këtu nuk është, por me të dëgjuar se Ju jeni pajtuar që t’i dëgjoni hallet tona, ky gjest fisnik flet për mundësinë që t’i përvishemi punës dhe vendin ta nxjerrim nga prapambetja ekonomike, që nga toka jonë e ëmbël të nxjerrim bukë dhe të gjitha të mirat e tjera materiale. Ne, zotëri oficer, zanatet nuk i kemi të huaja, por i kemi kultivuar brez pas brezi për të pasur mjete të punës që na nevojiten. Dhe e përgëzoj zotëri Hoxhë Visokën që e hapi çështjen e librave. Por më duhet të them se Bajaram Ajvazi është një tregtar nga Llapi që ka sjellë libra tinëzisht në këto troje nga viti 1927. Ai së bashku me Ibrahim Gjakovën, Asim Luzhën e shumë atdhetarë të tjerë më 1927, i patën sjellë 57 libra shqip, për nevoja të djemëve tanë. Por ato libragjithmonë kanë qenë në ilegalitet të përdorura.
Ne tani në popull e kemi një bindje se ardhja e juaj na ka shpëtuar se përndryshe do të ishim sipas Konventës të detyruar të shpërngulemi në Anadolli, ku popull jonë atë klimë nuk e duron dot, sepse është klimë moçalike dhe shumë infektive. Prandaj, kërkojmë që pushteti të funksionojë në gjuhën shqipe dhe të krijojmë një kulturë shtetërore administrative në të gjitha fushat e jetës. Ne kemi administratorë që gjatë viteve 1918-1941 kanë qenë të detyruar të emigrojnë në Shqipëri, dhe ata si intelektualë janë cilësi e mirë që të fillojmë shkollimin dhe administratën shqipe në trojet tona.
Tani zotëri oficer i lartë i Rajhut, po ju dëftoj se si Serbia e ka likuiduar parinë tonë politike në vazhdimësi: Më 1902, likuidohet Haxhi Zeka në Pejë; më 1913 likuidohet At Pali në rrethinën e Prizrenit; më 1915 likuidohet Isa Boletini në Podgoricë; më 1920 likuidohet paria shqiptare e prefekturave; më 1923 likuidohet Mulla Ahmet Shtimja;më 1924 likuidohet Azem Galica; më 1925 likuidohet Bajram Curri; më 1927/8 likuidohet Nazim Gafurri; më 1929 likuidohet Shtjefen Gjeçovi (prift shqiptar); më 1927, 1929 dhe 1931, provohet me atentat të më likuidojnë mua; më 1931 likuidohet Millan Shuflaji në Zagreb një historian, mik i kombit shqiptar. Më 1933 likuidohet me hjekësi në Selanik prijësi ynë kombëtar Hasan Prishtina; më 1935 tentim likuidimi të Hoxhë Brexhnicës; më 1937 tentim likuidimi i Beqir Vocës dhe tentim likuidimi për mua; më 1939 tentim likuidimi për Feta Dragën; dhe më 1941, likuidimi i Beqir Vocës, vetëm pse kundërshtoi depërtimin e shqiptarëve në Anadoll në Skupshtinën e Jugosllavisë!
Dhe nëse keni ardhur zotëri me qëllim që të ndihmoni këtë popull të shtypur, ne jemi të gatshëm ta përqafojmë ndihmën dhe t’u jemi mirënjohës. Por nëse i toleroni bandat serbiane me flamujt e tyre të përgjakur, atëherë ne jemi në anën e kundërt të frontit të kësaj lufte të përbotshme.
Tani jemi këtu dhe duam ta vazhdojmë jetën e lirë, por si komb kërkojmë të jemi të bashkuar, pra jo një pjesë nën administrimin tuaj e një pjesë nën administrimin e Mbretërisë Italiane. Ne duam të jetojmë të gjithë shqiptarët në një shtet etnik. (Ia dorëzon Eberhartit një hartë linguistike deri ku shtrihen kufijtë e Shqipërisë, hartë kjo e projektuar nga Instituti Etnografik i Berlinit më 1876. Ia dorëzon hartën gjeneralit) dhe përfundon me: Rroftë Shqipëria Etnike, Rroftë Flamuri i Skenderbeut.
Takimi në fjalë dha shumë rezultate pozitive për shqiptarët. Por edhe pse shqiptarët e këtij mjedisi gëzonin një liri shumë të gjerë në krahasim me kohën midis dy luftërave botërore, ata, megjithatë, ishin të pakënaqur me faktin se Prefektura e Mitrovicës (Mitrovica, Vushtrria, Podujeva e Pazari i Ri) iu nda trungut kombëtar dhe iu bashkua Serbisë. Kështu, disa nacionalistë dhe intelektualë shqiptarë organizuan tubime të mëdha popullore në Mitrovicë, Podujevë, Vushtrri e Pazar të Ri, në të cilat ngritën zërin dhe kërkuan me këmbëngulje që të bashkohen me Shqipërinë.”
Krahas angazhimit në drejtim të organizimit të procesit mësimor e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, u shtrua nevoja e një mobilizimi të përgjithshëm për mbrojtjen e kufirit verior dhe të popullatës shqiptare në shumë fshatra atje për shkak të rrezikut që i kanosej nga sulmet e forcave çetnike. Ideja për organizimin e forcave të rregullta mbrojtëse mbështetej njëzëri nga atdhetarët e intelektualët, si: Xhafer Deva, Ago Agaj, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejanie e të tjerë. Gjatë vitit 1941, shqiptarët më të spikatur në Mitrovicë, si: Xhafer Deva, Ferhat Draga, Pajazit Boletini, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica e atdhetarë të tjerë që kishin qenë rreth “Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës”, në gusht të vitit 1941, morën nismën për themelimin e një organizate në Mitrovicë, të cilën e pagëzuan me emrin ”Lidhja Popullore Shqiptare”. Kryetar i parë ishte zgjedhur Rexhep Mitrovica, nënkryetar Bedri Pejani, sekretar Xhelal Mitrovica, ndërsa anëtarë të kryesisë ishin: Xhafer Deva, Ali Draga, Pajazit Boletini dhe Shaban Mustafa. Ndër veprimtarët e dalluar ishin edhe Aqif Blyta, Ahmet Daci, Ibrahim Lutfiu, Pajazit Boletini, Jusuf Gradica, e shumë të tjerë.
Roli i kësaj organizate ishte thjeshtë kombëtar e patriotik. Udhëheqësit kërkonin t’i bashkonin shqiptarët në një shtet unik kombëtar. Fill pas themelimit të “Lidhjes Popullore Shqiptare”, u formua Organizata e Rinisë në krye të së cilës u emërua Bedri Ibrahim Gjinaj. Përveç tij, në udhëheqje të rinisë u zgjodhën edhe Ali Gaxha, Lina Shkreli, Melihate Deva, Abdyl Zhubi, Salih Bilalli, Kemajl Mujka, Zehra Zhubi, Rexhep Rexha etj. Mitrovica ishte qendra e kësaj organizate të rëndësishme, e cila ndihmoi shumë në formimin e pushtetit vendor që shikohej në unitet me zhvillimet në shtetin amë, pra në Shqipëri. “Lidhja Popullore Shqiptare” që në fillim e kanalizoi veprimtarinë e vet patriotik në dy drejtime:
a) të hapë sa më shumë shkolla në gjuhën shqipe, të arsimojë popullin, sidomos rininë e për të zgjuar në rend të parë ndërgjegjen kombëtare; dhe
b) të krijojë degët e veta që do të vepronin në rrethin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri për të propaganduar që Qarku i Mitrovicës t’i bashkohet patjetër Shqipërisë.
Pra, si në programin e “Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës”, ashtu edhe në atë të “Lidhjes Popullore Shqiptare” në rend të parë theksohej qëllimi dhe strategjia për bashkimin e të gjitha trojeve etnike. Vetëm me bashkimin e trojeve etnike mund të shpëtojë kombi shqiptar dhe kultura kombëtare e tij.
Në një mbledhje të rëndësishme u bënë riemërime, ku kryetar i “Lidhjes Popullore Shqiptare” u zgjodh Ali Draga, ndërsa sekretar Vehbi Frashëri.
Në vitin 1941, Rexhep Krasniqi emërohet komisar i lartë i shkollave shqipe në Kosovë. Pas formimit të Misionit Arsimor, Dr. Rexhep Krasniqi, bashkë me anëtarët e Misionit Arsimor të Mitrovicës, vizitoi gati të gjitha vendbanimet e Qarkut të Mitrovicës dhe të nënprefekturave: Vushtrrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri. Pasi mori numrin e përgjithshëm të nxënësve dhe konstatoi gjendjen e objekteve shkollore, propozoi numrin e shkollave, të paraleleve si dhe të mësuesve që do të nevojiteshin. Në Qarkun e Nënprefekturës së Mitrovicës në vitin shkollor 1941/42, parashihej hapja e gjithsej 48 shkollave fillore shqipe, për të cilat nevojiteshin 104 mësues.
/Vijon : Hapja e shkollave në Pazar të Ri/
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse