Shkëputur nga: Tregime të Moçme Shqiptare nga Mitrush Kuteli /Trungu & InforCulture.info

Trima për kokën e trimave ishin Muji dhe Halili! Ata kishin mbushur tërë Krahinën e Kralisë me bujën e bëmave të tyre; s’linin baloz deti të kthehej i gjallë nga fusha e luftës, s’linin kral të shkelte Jutbinën, s’linin kapedanë, çetarë e pendurë Kralie të dilnin bjeshkëve të Krahinës; ata të dy me të tridhjetë shokët hidheshin gjer në Kotorret e Reja, luftonin me kralet, u rrënonin kullat, u vinin zjarr pallateve, u rrëmbenin vashat e ktheheshin fitimtarë, me këngë në gojë, në Jutbinë. Kur i vranë Mujit në pritë Omerin e vogël, ata të dy me shokë u hodhën gjer në Zaharë, luftuan dhe i vunë zjarr.

Shpesh sillnin edhe ndonjë kaptinë kapedani varur për mustaqesh në mollë të shalës së kalit.

Domosdo, herë-herë, edhe ata linin shokë të vrarë në shesh të luftës, merrnin plagë shpate në shtat, sepse kështu e ka lufta. Gjeto Basho Muji vetë kish lënë shtatë bij bjeshkëve – shtatë Omerë, të gjithë djem të njomë. Tani këta të shtatë bij të zemrës dergjeshin nën rrasa të rënda midis ahesh, që i qanin e vajtonin për jetë, barabar me Ajkunën, zogjtë e malit e zanat e bjeshkëve. Ata i vajtonin, po gjithë Jutbina u këndonte trimëritë, sepse bijtë e Mujit kishin luftuar e vdekur si kreshnikë, për të mbrojtur dheun e tyre.

Po ç’na ndodh?

Ngrihen ca njerëz në Stambolle i marrin krahun Kralisë. Ata venë me dhurata dhe i bien më gjunjë mbretit, i falen, i truhen. -O mbret – i thonë ata dhelpërisht – ti që je kaq i madh e që sundon anembanë mbi tokë e det, pse vallë nuk sundon edhe mbi Jutbinë? Atje sundon Muji me Halilin: janë bërë me vete e thyejnë dromet, zveshin shtegtarët, vrasin djem të vegjel e vajza të vogla. Të falemi, o mbret: shtroje Mujin e Halilin, siç ke shtruar gjithë botën. Kapi të dy e prejau kokën e verjau ne kamaret e mureve që të vijë t’i shikojë gjithë Stambolli, se ata janë hainë.

Mbreti merr dhuratat që i kanë sjellë, dëgjon, vret mendjen, pastaj përpjek llap-llap të dy duart. Urdhër, mbret! – hidhen i thonë gjithë ata që rrinin me

këmbë e prisnin urdhër. Dua kartë e kallam që t’i shkruaj një kartë atij Gjeto Basho Mujit të Jutbinës.

I sjellin kartë të bardhë, të hollë, i sjellin kallamar me boje të zezë, i sjellin kallam me majë. Mbreti rri shtruar në shtrojce e ia fillon kërr-kërr i shkruan kartë Mujit. Si e shkruan kété kartë, e palos, e vulos me dyllë të zi e ia jep tartarit:

Këtë kartë t’ia shpiesh Gjeto Basho Mujit në Jutbinë të Krahinës. Të vijë shpejt këtu, se po s’ardhi do t’i vete unë vete me gjithë ushtri e s’do t’i le gur mbi gur në kullë, do ta ndjek bjeshkëve, do ta var në litar.

Tartari fut kartën në gji, i hyp kalit, bëhet erë e sos në Jutbinë tërë djersë e pluhur. Shkon drejt në kullë të Mujit, troket, i jep kartën në dorë e kthehet prapë nga kish ardhur.

Gjeto Basho Muji e hap kartën, e këndon. Vetullat i ngrihen toje-toje në shesh të ballit; syri i erret.

Halili e vëren e i thotë:

Bacë Muji! Shumë karta ke kënduar ti, po kurrë s’të kam parë kaq të zymtuar. A mos të ka vdekur ndonjë mik i mit a ndonjë vëllam? A mos ka dalë ndonjë baloz i ri nga den e të fton të dalësh në luftë? Apo krali i Senjës ka mbledhur gjithë kapedanët, gjithë çetarët e pendurët e do të hidhet Jutbinë? Mbahu burrë, o Muj! Ne kemi me vete tërë Jutinin e Krahinën.

  • Pusho, Halil, të vraftë Zoti! S’më ka vdekur as mik i mirë, as vëllam. E as baloz i ri s’ka dalë nga deti, se ti e di se unë s’përtoj t’i dal në shesh të luftës e t’i pres kryet. As kral dhe kapedanë, çetarë e pendurë s’po hidhen mbi Jutbinë, se tuten mos mbeten aheve e rraheve. Po kanë vajtur ca njerëz e i janë ankuar mbretit të Stambollit. Thonë se ne thyekemi dromet, zveshkemi shtegtarët, vrakemi djem të vegjël e vajza të vogla. Unë, Halil, s’di ç’të bëjmë. Mbreti thotë: ja të vish ti, Muj, këtu e të më thuash si e qysh, ja do të vi unë vetë me tërë ushtrinë, do të të rrethoj e s’do të të le gur mbi gur. Keq e kemi, besa. S’luftohet dot me mbret e me kral bashkë… A mbyllemi në kullë e luftojmë gjersa të vritemi? Apo marrim bjeshkët përpjetë e . luftojmë andej e, po të na qarkojnë mbret e kral bashkë, vrasim sa mundim e pastaj hidhemi nga maja e shkëmbit që të mos u biem të gjallë në dorë?
  • A di çfarë, Muj? – thotë Halili, – të shkojmë të pyesim nënën. Si të na thotë ajo, ashtu të bëjmë. -Mirë, Halil, shkojmë e pyesim. Shkojnë e i thonë nënës: “kanë vajtur e i janë ankuar mbretit se ne thyekemi dromet e zveshkemi shtegtarët, vrakemi djem të vegjël e vajza të vogla. Mbreti u ka zënë besë, na dërgon kartë e na thotë ja të vini ju këtu të më thoni si e qysh, ja do të vi unë vetë me gjithë ushtrinë e s’do t’ju le gur mbi gur.” Ç’të bëjmë ne? Të mbyllemi në kullë e të luftojmë gjersa të vritemi, apo të marrim bjeshkët përpjetë e, po të na qarkojnë mbret e kral bashkë, të vrasim sa mundim e pastaj të hidhemi e shkëmbit që të mos u biem të gjallë në dorë? nga maja Nëna qesh e u thotë: vishuni e mbathuni mirë, shaloni kuajt e shkoni drejt te mbreti, As në kullë të mos mbylli, as bjeshkët të mos merrni, po qe ju pret, e ia thoni të gjitha ato që kini për të thënë: ju drome nuk thyeni, shtegtarë nuk zvishni, djem e vajza nuk vrisni, po luftoni në shesh burrë me burrë.
  • Mbreti s’pyet shumë e na vret, moj nënë; thërret harapin e na pret kokën.
  • Jo, nuk ju vret, djem; nuk thërret harapin t’ju presë kokën, se ju dromet s’kini thyer, shtegtarë s’kini zveshur, fëmijë të vegjël s’kini vrarë, po kini luftuar me baloza, me krale e me kapedanë, i kini dalë zot Jutbinës e Krahinës . Ju s’jini cuba fëlliqësish, po luftëtarë. Mbreti duhet ta dijë këtë punë. E në s’e di, ia thoni. Hajt, djem, shaloni kuajt e nisuni. Mirë, nënë, do të nisemi. Kur agon drita, Muji e Halili mbathin mirë e mirë gjoget, i shalojnë, vishen e shtrëngohen, hedhin gunat mbi krye, varin mustaqet tërposhtë, që të mos i njohin njerëzit kur do të kalojnë nëpër Krali. Kuajve ua lidhin këmbët me sengjirë, që të çalojnë. Çuditet i madh e i vogël kur i sheh. “Ç’janë këta gabelë të mëdhenj si lisa bjeshkësh me gunat kryes e me mustaqe të varura? Ne s’kemi parë kurrë kësi njerëzish”. Kështu thonë ata dhe vështrojnë nga larg, po s’guxojnë t’u afrohen.
  • Bacë Muj – thotë Halili – pse na bëre kështu për faqe të zezë më keq se ditën e vdekjes? A dalim sheshit? Dalim, Halil. U zbresin shpejt kuajve, u heqin sengjirët, ulin gunat, ngrenë mustaqet përpjetë. Ata që ishin mbledhur për të shikuar, i njohën e ua mbathën me të katra, duke thirrur:
  • Muji me Halilin! Muji me Halilin! Edhe mbyllen katonjve. – Po ata të dy ishin aty e s’janë më: lenë prapa tym e mjegull. Kuajt nxjerrin nga goja flakë të verdhë të përzjerë me shkumbë. Dushku i malit merr zjarr që hapet tejpërtej. Bjeshkët s’duken kurrkund nga tymi.

Ata të dy çajnë Kralinë e mbretërinë gjer brenda në Stamboll. Çunat e mbretit habiten e thonë: Ç’janë këto bumurima që bumurojnë? Gjëmon qielli apo

bien topa në Krali? Mbreti bën be e thotë:

  • Jo, s’janë bumurima qielli, as gjëmë luftrash në Krali, po vjen Muji me Halilin, se i kam thirrur. Ata të dy shkojnë kaluar drejt në derë të mbretit. Aty u zbresin kuajve. Rojet çuditen kur i shohin: “Njerëz janë këta apo lisa bjeshke?” U hapin udhë. – Ti, vëlla – i thotë Muji Halilit – rri këtu e bëji sytë katër. Po të thërresë mbreti harapin të më presë kryet, preja ti më parë e më thirrë, se ne do ta shpiem gjakun gjer në gju brenda në Stamboll, brenda në pallat të mbretit. Armët e brezit i kam në vend. Kur bën Muji të ngjitet lart, shkallët e mbretit krisin, përkulen e nuk ia mbajne dot shtatin. Sjellin shpejt mjeshtërit t’i ndreqin e t’i forcojnë. Kur bën Muji të hyjë në odë, dera e mbretit nuk e nxe dot. Sjellin prapë mjeshtërit që ta zgjerojnë e ta lartojnë derën. Muji hyn brenda. Mbreti rri shtruar në shtrojcë, e shikon Mujin e mahnitet: njeri është ky apo mal? – thotë ai me mendje. Kryet e Mujit prek tavanin. Kofshën e ka më të trashë se sa shtatin e mbretit… Muji e përshëndet zotërisht:
  • Tungjatjeta, o mbret! Unë jam Gjeto Basho Muji i Jutbinës. Ti më thirre – unë ardha. Si je, o mbret, si shkon, si i ke çunat? Mbreti e fton të ulet pranë tij, e pyet për Jutbinë e Krahinë, për luftrat në Krali, për balozë deti. Muji ia thotë të gjitha shkoqur, pastaj ve buzën në gaz e hidhet e pyet: O mbret, a do të thërresësh njëmend harapin të më presë kokën? Mbreti fërkon mjekrën, e shikon i trembur Mujin.
  • Jo, Muj – thotë – s’kam përse ta thërres harapin. Unë ta kisha ndjerë emrin e desha të të shoh. Muji rri sa rri, kuvendon me mbretin, pastaj i thotë: -Nëm lejë, mbret, të shkoj se më pret poshtë im vëlla Halili. Mirëpo kamca e tirqeve të Mujit mbërthehet pas postes tek është ulur e rri mbreti i madh. Kur bën Muji të ngrihet e të dalë, kamca e heq zvarrë mbretin megjithë shtrojcë gjer në krye të shkallëve e ai s’ia ndjen fare peshën. Çliron kamcën, le mbretin aty, në krye të shkallëve, zbret poshtë, i hyp gjogut e ia merr, bashkë me Halilin, drejt e në Jutbinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here