KARKANXHOLLI

Figurë e besimeve popullore, që i përngjan Kukudhit a Lugatit dhe që përfytyrohet si një burrë i veshur me këmishë të hekurt* apo si ujk. Bredh andej-këtej në kohën e dymbëdhjetë netëve të shenjtëruara të Kërshëndellave deri në festën e Teofanisë. Emrin e kësaj qenieje të zoologjisë imagjinare Meyeri e nxjerr të prejardhur nga turqishtja karakand-oloz “lugat në hie të ujkut” [Fjal. etim., f. 231]. Që këtej, Çabeji e identifikon me gjerm. Werwolf dhe gr. Kalikancaros [Stud. gjuh., V, f. 198].

Në Smokthinë, ku e quajnë Karakanxho, besojnë se vjen çdo natë të muajit të dhjetorit nëpër muret e shtëpive. Ruhen shumë prej tij dhe nuk flenë kurrë afër mureve, se thonë se i mbyt natën në gjumë. Për ta larguar nga shtëpia, çdo natë djegin një copë bri dashi dhe gjatë tërë këtij muaji lënë në vatër një patkua. Enët, në të cilat hanë e pinë ujë, i mbajnë të mbuluara gjatë gjithë muajit, sepse besojnë se Karkanxhoja mund të pështyjë brenda tyre, për t’u lëshuar kësisoj ndonjë lëngatë të keqe [K. Kamsi, Bes. të pop. në Lab., në “Dit.”, 1928, 8, f. 316-317]. [Shih SHËNË NDREU]

Shkëputur nga: Fjalori i Mitologjisë dhe Demonologjisë Shqiptare – Azem Qazimi /Trungu & InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here