Pal Engjëlli (1417-1470) ishte një klerik katolik arbëror i shekullit 15-të që shërbeu si Arqipeshkv i Durrësit. Pal Engjëlli ishte gjithashtu një bashkëpunëtor i ngushtë dhe shumë besnik i Skënderbeut.

Në librin e Marin Barletit, “Historia e Skënderbeut”, shkruar në Romë mes viteve 1508-1510, Barleti përshkruan Pal Engjëllin me këto fjalë:

“Ky kryepeshkop qe epirot, nga qyteti i Drishtit, bir i Andrea Engjëllit për të cilin folëm më lart, burrë i pajisur me mendje shumë të lartë e me zotësi të rrallë në të folur, me dituri si askush dhe i vaditur në letërsinë e shenjtë dhe në letërsinë humane…burrë që Skënderbeu e mbajti mbi krye për maturinë e tij, kulturën e pastërtinë e jetës, burrë që e rrespektonin dhe e dëgjonin si ndonjë orakull të gjithë epirotët dhe arbërit…”

Në një nga fjalimet e Pal Engjëllit para luftëtarëve shqiptar më 1461, sipas Barletit, ai kishte thënë:

“Fatbardha dhe fort të lumtura janë ato republika, mbretëri dhe shtete, që qeverisen nga njerëzit më të mirë dhe më të ditur…Në kohën e sotme ne e shohim qartë si drita se këtë fat e kanë pasur Arbërit tanë, të cilët qeverisen nga Skënderbeu, i vetmi princ aq i ditur, aq i mirë dhe kapedan i pathyeshëm…”

Përmbajtja e disa letrave na lejon të kuptojmë se Pal Engjëlli ka takuar dhe humanistin e njohur Françesk Filelfon (1398-1481) i cili në letrat e tij shkruan:

“Skënderbeu është shpirtmadh dhe i stërvitur nga turqit që në moshë të re…Pas tij janë shumë kalorës dhe këmbësorë shqiptar nga më trimat…Midis gjithë popujve tjerë ndërmjet Danubit e Adriatikut dhe kufijve të Italisë, arbërit qenë të vetmit që u bënë ballë turqve me trimëri të madhe…”

📸 Në foto mund të shikoni një portret të Pal Engjëllit nga dorëshkimet e shekullit 15-të, i cili gjendet në librin mesjetar “Statutet e Drishtit”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here