Gjatë historisë sonë, kemi pasur klerikë të shumtë, musliman e të krishterë, të cilët sakrifikuan jetën për çështjen kombëtare. Në këtë post do flasim për 3 klerikë të shquar shqiptarë, Atë Shjefën Gjeçovi, Mulla Idriz Gjilani dhe Papa Kristo Negovanin, të cilët u vranë pabesisht nga armiqtë tanë për veprimtaritë e tyre atdhetare.
1️⃣ Atë Shjefën Gjeçovi, i lindur në Janjevë më 3 tetor 1873, ishte një frat françeskan shqiptar, veprimtar i lëvizjes kombëtare, folklorist, arkeolog dhe publicist i njohur. Ai konsiderohet si babai i studimeve folklorike shqiptare, ndërsa kryevepra e tij, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, është përmbledhja më e përmendur e ligjit zakonor shqiptar. Për shkak të veprimtarisë së tij kombëtare, u vra nga shovinistët serbë në Zym, më 14 tetor të vitit 1929.
2️⃣ Mulla Idriz Gjilani, i lindur më 4 qerdhor 1901 në Veleknicë, ishte një imam musliman shqiptar, luftëtar i lirisë dhe patriot i flaktë i çështjes kombëtare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte myfti dhe imam ushtarak i Regjimentit IV të Ushtrisë Mbretërore Shqiptare në Tokat e Lirueme. Drejtoi forca paraushtarake nën flamurin e Mbretërisë Shqiptare duke luftuar për Shqipërinë Etnike kundër jugosllavëve dhe bullgarëve deri në vjeshtën e 1944, ku më pas jetoi i fshehur nga Regjimi Jugosllav deri sa u kap nga barbarët serbë, të cilët e dogjën për së gjalli natën e 25-26 nëntorit 1949.
3️⃣ Papa Kristo Negovani, i lindur në vitin 1875 në Negovan, ishte një prift ortodoks shqiptar, arsimtar, botues dhe veprimtar i lëvizjes kombëtare. Luftoi kundër synimeve shkombëtarizuese të kishës e të qarqeve shoviniste greke. Papa Kristo Negovani meshonte në gjuhën shqipe, gjë që nuk i pëlqente aspak kishës dhe hierarkisë greke, të cilët madje e kishin shpallur gjuhën shqipe të mallkuar. U masakrua barbarisht me sëpata nga andartët kriminelë grekë me urdhër të priftit grek Karavangelis, më 12 shkurt 1905.