“Dita – Qemal Poçi është Doktor i Shkencave Toksikologji-Veterinari, Profesor i asociiuar, nënkolonel në lirim. Ai ka mbaruar akademinë dhe kualifikimin profesional në vitin 1967 në Moskë me ‘Medalje Ari’. Z.Poçi, një nga specialistët e njohur të kësaj fushe jo vetëm në Shqipëri, (ka punuar 17 vjet në studime për zbulimin e elementëve mbrojtës nga përdorimi i LHL) mendon se ndaj popullsisë së pambrojtur në Siri, nga regjimi i Assadit është përdorur Zarin-a, një nga Lëndët Helmuese Luftarake(LHL) nga më të rrezikshmet dhe e ndaluar rreptësisht nga Konventat Ndërkombëtare.

Por në intervistën e dhënë për ‘Dita’, ai rrëfen edhe disa eksperimente që ai ka drejtuar kryesisht në 1978 në Shqipëri ku është përdorur kjo lëndë për testime. Ai shpjegon edhe përdorimin e Zarin-it në frontin e luftës, pasojat dhe mënyrën e identifikimit të saj në terren nga ekspertët e OKB-së, pasi sipas tij, ‘gjurmët e një masakre të tillë, nuk mund të fshihen’…

Zoti Qemal! Si një nga specialistët në fushën e toksikologjisë, çfarë mund të na thoni për ngjarjen e ditës, përdorimin e lëndëve helmuese luftarake nga regjimi i Assadit në Siri?

– Për mendimin tim, në Siri është përdorur armë kimike, si njëra nga armët e dëmtimit në masë… Dihet se prodhimi i armëve të dëmtimit në masë (kimike, biologjike, termobërthamore), me konventë ndërkombëtare është i ndaluar. Këtë konventë e kanë firmosur të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, duke përfshirë dhe shtetet kryesore që i kanë këto rezerva në sasi të konsiderueshme. Për mendimin tim, në Siri është përdorur grupi i lëndëve helmuese luftarake neuro-paralitike, ose siç quhen ndryshe, gaze nervore.

Në bazë të një dokumenti zyrtar të OKB-së në vitin 1969, në armatimin kimik të shteteve kryesore, nga mijëra përbërje lëndësh të studiuara në laborator, kanë qenë vetëm 7 lëndë helmuese luftarake.

Nga grupi më i fuqishëm i lëndëve neuro-paralitike ka qenë grupi i Zarin V-x, të cilat kanë helmueshmërinë më të lartë dhe fati i të helmuarve me këtë lëndë mund të zgjidhet vetëm në vatrën e dëmtimit kimik, në fushën e betejës. Kjo, pasi helmimi me këto lëndë është aq i shpejtë dhe aq i rëndë, saqë mjekimi në etapa të ndryshme, është i vështirë. Grupi i dytë, është Ipriti (mussard gaz)… Ky gaz, për mua, nuk është përdorur në Siri.

Nga niseni që arrini në këto konkluzione?

-Për problemet e mbrojtjes kundër-kimike veterinere, unë, krahas studimeve që kam kryer në Akademinë e Veterinarisë në Moskë, kam kryer dhe tre specializime: Në Moskë, 12 muaj në vitin 1957, me kinezët në Shqipëri gjatë viteve 1968-1972, si dhe kam kryer një specializim tjetër në Kinë në vitin 1971. Pra, kam pasur mundësinë të njihem realisht me të gjitha LHL të cilat në kohën e vet kanë qenë në organikë në vende të ndryshme të botës. Ndërsa me Zarin-ën që është përdorur në Siri, unë kam punuar si specialist për 17 vjet dhe kam studiuar gjerësisht klinikën e helmimit të kafshëve eksperimentale-bujqësore, profilaksinë, mjekimin specifik, degazimin, etj… Madje, për këtë lëndë, kam mbrojtur dhe disertacionin (për Zarin-ën) dhe kam fituar titullin Doktor i Shkencave. Vetëm me Zarin-ën, kam kryer eksperimente dhe kam helmuar mbi 1000 kafshë të ndryshme (përveç atyre të disertacionit), duke zhvilluar mësime treguese instruktive-metodike me efektivë të kohëve të luftës, me studentë e specialistë. Në këto stërvitje kanë marrëpjesë rreth 11 mijë shikues,përveç punonjësve të ekonomive bujqësore, të cilët janë përfshirë realisht në kryerjen e këtyre eksperimenteve. Pra, bëhet fjalë për një grup (Zarin-a) që unë e njoh mirë si LHL dhe efektet shkatërruese të saj…

Në çfarë lloj kafshësh u eksperimentua dhe rezultatet?

-Ne kemi përdorur nga të gjitha llojet e kafshëve: minj, kavje, lepuj, qen, dhen dhe kuaj… Pra, si kafshë laboratorike e eksperimentale, ashtu dhe bujqësore…

Për se i keni bërë të gjitha këto eksperimente me LHL?

-Meqenëse grupi i LHL paralitike është grupi më i fuqishëm, ne duhet të studionim dhe të provonim në vendin tonë, paketën kundër kimike (PKK) të kalit e cila kishte shiringën atomike fushore dhe dekasdatorin universal. Shiringa automatike fushore, ishte në gjendje të mjekonte 3 doza vdekjeprurëse të LHL për kalin… Po ashtu, edhe degazatori që studiuam, ishte në gjendje që të neutralizonte 3 doza vdekjeprurëse mbi lëkurën (trupin) e kalit… Ne ja arritëm këtij qëllimi dhe dhamë projektin(formulën) tonë për përgatitjen në seri. Kur ne u bindëm me rezultatin, atëherë kaluam në eksperimente publike me përdorimin konkret të LHL…

Ku dhe si u bënë këto eksperimente në Shqipëri?

-Mësimet instruktive metodike me eksperimentet në kafshë, janë kryer me pjesëmarrjen e udhëheqjes më të lartë partiake e shtetërore të kohës, atë lokale, me studentë të fakultetit të Veterinarisë dhe të Mjekësisë, me organikat e kohës së luftës së reparteve të ndryshme ushtarake dhe me punonjësit e ekonomive të mëdha bujqësore të cilët do të qëndronin realisht në ekonomitë e tyre në kohë lufte dhe do të mbroheshin nga përdorimi i mundshëm i LHL nga ana e armikut. Këto mësime kishin për qëllim që të tregonin se ndonëse arma kimike është armë e rrezikshme, për mbrojtjen prej tyre, ka dhe mjete të mbrojtjes individuale, mbrojtje kolektive, si dhe kundërhelmet e fuqishme që kishim studiuar ne… Përdorimi me kohë i këtyre mjeteve gjatë helmimit, do e ulnin në maksimum efektin e armës kimike në rast se përdorej nga armiku…

Më konkretisht, ku u bënë këto eksperimente masive?

-Ne kemi bërë 105 mësime treguese, 14 stërvitje në bazë rrethesh dhe 10 stërvitje kombëtare për mbrojtjen nga LHL. Stërvitjet kombëtare i kemi bërë kryesisht në vitin 1978, në Toshkëz të Lushnjës, Risili të Vlorës, Sofratikë të Dropullit, Pogradec, Rrëshen, Fushë-Krujë, Tiranë (3 herë), Shijak, Durrës, Librazhd, Tushemisht, Ferma “Gjergj Dimitrov” Kamëz, NB Vorë, Lezhë, Gramsh, Fier, Sarandë, Lushnje, Sukth, Korçë, me të gjithë fakultetet e Universitetit të Tiranës etj…

Meqenëse, ju jeni specialist e njohës i kësaj fushe, sa lëndë helmuese luftarake ka pasur Shqipëria në vitet e monizmit?

-Duhet të sqarojmë diçka. Duhet të dallojmë LHL nga arma kimike. LHL, është një përbërje e tillë kimike që plotëson disa kushte dhe bën të mundur përdorimin e saj në luftë për qëllime luftarake, për dëmtimin e njerëzve, të kafshëve, të bimëve, për ndotjen e teknikës luftarake, të terrenit ku kryhen luftimet, të godinave, burimeve ujore, etj… Por LHL nuk është armë. Me armë kimike, ne kuptojmë LHL së bashku mjetet e hedhjes dhe përdorimit të tyre. Këto mjete, mund të jenë municione të çfarë do lloj, por që në vend të eksplozivit, janë të mbushura me LHL.

Prandaj, atje ku shpërthejnë, nuk shkaktojnë dëmtime materiale dhe plagime në kafshë e njerëz, por reja (aerozoli), tymi, i LHL, lëviz me anën e erës dhe gjejnë gjallesën (njeriun, kafshën) atje ku jeton dhe i merr jetën. Në fillim, unë thashë se në armatimin kimik kur unë kam punuar, kanë qenë vetëm 7 lloj LHL. Por ne në Shqipëri, nuk kemi pasur LHL të mirëfillta, nga ato që kanë qenë në armatimin kimik në shtetet që na furnizonin ne (Bashkimi Sovjetik, Kina), por ne kemi pasur LHL mësimore. Për shembull, ne kemi pasur Iprit mësimor rreth 20 ton, i cili përmbante vetëm 5% lëndë aktive dhe 95% tretës organik. Kemi pasur sasi shumë të vogla(në kg) Iprit dhe Luizit me të cilat ne kemi kryer eksperiment e dhe helmime të mbi 1000 kafshëve në mësimet treguese… Kemi pasur në sasi të vogël Zarin të pastër, ai që është përdorur në Siri. Me këtë zarin, ne kemi kryer studime shkencore, me synim marrjen e masave mbrojtëse. Ndërsa me Ipritin mësimor, kanë kryer stërvitje reale në terren, për imitimin e një zone(vatre) të dëmtimit kimik dhe kanë vepruar atje sikurse me qenë në një vatër të vërtetë të dëmtimit kimik…

Si konkluzion?

-Për deri sa ne nuk kishim LHL të mirëfillta, nuk kishim si të kishim armë kimike. Për rrjedhojë, nuk kemi pasur arsenal kimik.

Aktualisht, a ka LHL sot në Shqipëri?

-Këtë duhet ta dinë ata që janë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, por meqenëse në vitin 2007, ne kemi deklaruar se kemi zhdukur armët kimike(16 ton, sasi e pa mjaftueshme për të krijuar një goditje kimike) dhe në vend të tyre kemi shkatërruar LHL mësimore, nuk duhet të kemi…

Mund të na thoni diçka për efektet e gazit zarin?

-Zarin-a, si çdo lëndë helmuese luftarake, përhapet me anën e ajrit dhe me kalimin e kohës, humbet vetitë toksike të saj. Efekti më i madh toksik, është në çastin e shpërthimit, e sidomos në drejtimin e lëvizjes së erës. Eksperienca ka treguar që pas disa orësh, efekti i kësaj LHL zhduket në këtë mjedis.

Ju, si miliona njerëz, keni ndjekur në ekran pamjet filmike të përdorimit të LHL në Siri… Si specialist, çfarë mendimi keni?

-Për mendimin tim, në Siri, personat që janë helmuar me zarin-ë, nuk janë mjekuar me antidotin specifik për këtë grup të lëndëve helmuese. Ndryshe, i helmuari duhej të çohej në këmbë disa minuta pas helmimit. Kam përshtypjen, se atje është përdorur vetëm mjekimi simptomatik, domethënë, që janë mjekuar kohë pas kohe shenjat e helmimit, siç është vështirësia në frymëmarrje apo shenja të tjera, por nuk është neutralizuar lënda helmuese. Kjo ka bërë që akoma, sot edhe kësaj dite, të mbijetuarit mbajnë dhe sot janë me maska dhe përdorin oksigjen ose u bëhet mjekim simptomatik, siç është atropina… Këto mjekime, vetëm lehtësojnë helmimin…Ju pohuat se Zarin-a shkatërrohet shpejt.

Në Siri, si mund të verifikohet nga specialistët e OKB-së nëse është përdorur ose jo?

-Grupi i specialistëve, kam përshtypjen që do të shikojnë shumë aspekte të goditjes kimike dhe do e hetojnë imtësisht ngjarjen në vend. Ata do të marrin kontakt me personat e helmuar, e nisur nga simptomat klinike të helmimit, do të hetojnë mbi llojin e LHL të përdorur. Besoj se do të njihen me kartelat e mjekimit dhe do të shikojnë se me çfarë medikamenti janë mjekuar dhe cilat janë këto shenja që nuk po largohen akoma. Ata do të përpiqen të gjejnë pjesë të predhave ose municioneve të tjera që kanë qenë të mbushura me LHL, të cilat kanë një strukturë të posaçme. Por në qoftë se ata arrijnë të shkojnë në vatrën e dëmtimit, ku është kryer goditja kimike, edhe pse LHL është shkatërruar, mbetjet, lidhjet e saj jo toksike mund të zbulojnë toksikisht llojin e helmit. Ato nuk prishen, domethënë nuk zhduken, më saktë lënë gjurmë. Sigurisht, grupi i ekspertëve ka dhe të dhëna të tjera që ne nuk i dimë, apo ende nuk janë bërë publike.

Me çfarë janë përdorur LHL kundër popullsisë në Siri?

-Janë përdorur artileria, ose raketat. LHL mund të hidhet me çfarëdo municioni…

Sipas jush, ku i ka marr Siria LHL?

-Përderisa Rusia është furnitori kryesor e tradicional i Sirisë me armë, e nuk kemi (nuk ka) të dhëna se Siria prodhon vetë armë kimike, nuk përjashtohet mundësia që të jenë dhënë nga Rusia… Ashtu si dhe ne dikur i morëm nga aleatët e kohës.

Ju jeni specialisti i vetëm në këtë fushë e me eksperiencë të gjatë, e keni eksperimentuar(helmuar) me Zarin… Keni dokumente për këtë qëllim?

-Lidhur me pyetjen tuaj, dua tu them se akoma unë ruaj protokolle të stërvitjeve që janë bërë, datat (dhe orët), vendet, pjesëmarrësit e çfarë do detaji tjetër… Së dyti, kam disertacionin për të cilin janë kryer eksperimente në 681 kafshë, përkatësisht lepuj, qen dhe kuaj. Pra vetëm për disertacionin tim. Me gjithë atë, unë xhirova atëherë një film të shkurtër, gjysmë ilegal dhe në një farë mënyre diletant, i cili në mënyrë të përmbledhur, përfshinë rezultatet e punës time voluminoze 17 vjeçare. (pamjet-dëshmi që botohen sot në DITA janë marrë nga ky filmim)

Çfarë ka konkretisht në këtë film?

-Në film jepet klinika e helmimit të lepujve, qenve, dhenve dhe kuajve si dhe rezultatet e mjekimit dhe të degazimit të kafshëve të helmuara sipas studimeve të kryera nga ne.

******

Poshtë, filmimi nga eksperimenti i fund-viteve ’70 në grupe kafshësh për rezistencën dhe pasojat e përdorimit të lëndëve helmuese luftarake. “Xhirova në mënyrë gjysëm ilegale” – thotë Dr.Poçi për Dita.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here