Pak ditë më parë prof. Ksenofon Krisafi lexoi kumtesën në Konferencën shkencore kushtuar 140 vjetorit të lindjes së Fan Nolit, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti Fan Noli, Korçë. Ajo titullohej Noli në diplomacinë shqiptare. Diku nga pjesa e fundit e saj, bëhej fjalë edhe për aktin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe ish Bashkimit Sovjetik, çka bëri shumë bujë në atë kohë. Disa nga lexuesit i janë lutur autorit për të dhënë disa shpjegime më të hollësishme rreth kësaj ngjarjeje. Prandaj gazeta vendosi të botojë shkrimin e mëposhtëm, të dërguar prej tij.
Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe ish Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) ose më shkurt Bashkimit Sovjetik, kanë një trajektore zhvillimesh gati unikale. Pas vendosjes së tyre për herë të parë, janë ndërprerë dhe rivendosur edhe dy herë të tjera.
Ato u vendosën në vitin 1924, kur në krye të vendit ishte qeveria e Fan S.Nolit, e cila është etiketuar si qeveri e majtë dhe vetë Noli si bolshevik. Ai erdhi në pushtet pas përmbysjes me revolucionin e qershorit 1924 të qeverisë së Ahmet Zogut. Zogu dhe përkrahësit e tij, por edhe përfaqësues të shteteve të tjerë që i trembeshin përhapjes së komunizmit në Ballkan, e konsideruan këtë hap si një mëkat të madh, që “njollosi” Shqipërinë dhe politikën e saj me “bolshevizëm”, duke rrezikuar ta shndërronte atë në një vatër infektive komuniste në rajon.
Duke i gjykuar ngjarjet me objektivitet, nga një distancë kohore gati shekullore, mund të thuhet pa hezitim se nuk bëhet fjalë për kurrfarë mëkati dhe nuk ka asnjë arsye për ta qortuar ose për ta akuzuar Nolin. Ishte një veprim normal, që ndërmerret nga çdo shtet i porsa ardhur në jetë dhe nga çdo qeveri e një shteti të tillë ose nga ana e çdo qeverie që vjen në fuqi në rrugë jokushtetuese, siç ndodhi me qeverinë e Nolit. Në këto raste sigurimi i sa më shumë njohjeve ndërkombëtare i shërben afirmimit ndërkombëtar dhe është conditio sine quoi non për vazhdimin e ekzistencës normale të tyre. Prandaj nuk vështrohet shumë se cili është regjimi dhe natyra politike e shteteve “ku trokitet” për njohje.
Nga ana tjetër, Rusia sovjetike e asaj kohe, e bojkotuar gjerësisht nga shtetet e tjerë, kur u krijua pas përmbysjes së regjimit carist, me shndërrimin në BRSS, në vitin 1922, filloi të pranohej si një realitet ndërkombëtar i pamohueshëm, sepse e kishte kapërcyer periudhën e izolimit politik. Është për këtë arsye që veprimi i qeverisë shqiptare të qershorit 1924, s’ka arsye të paragjykohet.
Ka edhe një tjetër arsye formale. Procedura e njohjes së ish Bashkimit Sovjetik kishte nisur një vit e gjysmë përpara ardhjes së Nolit në krye të qeverisë shqiptare, diku nga fundi i vitit 1922 dhe fillimi i vitit 1923. Moska shfrytëzoi interesimin e Tiranës zyrtare për riatdhesimin e disa shqiptarëve të mbetur në Rusi, përpara vitit 1917. Në vazhdim të korrespondencës zyrtare, më 3 janar 1923, ajo i propozoi qeverisë shqiptare vendosjen e marrëdhënieve normale midis të dy vendeve. Në një letër të firmosur nga zëvendëskomisari (zëvendësministri) për punët e jashtme, M. Litvinov, thuhej se “Qeveria e Republikës Ruse e shtyrë nga dëshira për të vendosur marrëdhënie normale e miqësore me të gjithë popujt që nuk kanë lakmi imperialiste, duke përgëzuar popullin shqiptar për luftën e guximshme për pavarësinë e tij të plotë, mendon se ka ardhur koha për të vendosur marrëdhënie diplomatike midis popujve rus e shqiptar, që do të lejonte të zgjidheshin të gjitha çështjet me karakter politik që ekzistojnë midis dy popujve” (AQSH, F.151, V.1923, D.198). Ahmet Zogu, kryetar i qeverisë shqiptare, më 26 janar 1923 iu drejtua Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke i kërkuar mendim për propozimin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe shkëmbimin e përfaqësuesve diplomatike (AQSH, F.149, V.1923, D.I-550, fleta 33).
Nuk rezulton që të ketë pasur ndonjë veprim tjetër nga autoritetet shqiptare.
Çështja do të lëvizte pozitivisht në drejtim të finalizimit, me ardhjen në pushtet të qeverisë së Fan Nolit, në qershor 1924. Pak ditë pas konstituimit, më 28 qershor 1924, ajo mori vendim për ta shtruar vet çështjen e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me qeverinë sovjetike. Në zbatim të tij, në fillim të korrikut Ministria e jashtme shqiptare, nëpërmjet një note që iu dorëzua përfaqësuesit sovjetik në Romë, K. Jureniev, i komunikoi komisarit për punët e jashtme, Georgij Vasileviç Çiçerin, dëshirën e qeverisë shqiptare për të vendosur marrëdhënie diplomatike e miqësore midis popullit shqiptar dhe atij rus. (AQSH, F.151, V.1924, D.296). Siç u tha, ky veprim nuk ishte ndonjë hap i paprecedent. Shtete të tjerë, madje Fuqi të Mëdha, Britania e Madhe, Franca etj kishin vendosur prej kohe marrëdhënie diplomatike me ish-Bashkimin Sovjetik.
Përgjigja e Moskës ishte shumë e shpejtë dhe pozitive. Jurenjev, iu përgjigj legatës shqiptare në Romë se qeveria sovjetike e priti me kënaqësi propozimin për të vendosur marrëdhënie normale midis dy vendeve. Kontaktet vazhduan me anë të përfaqësuesve të tyre në Romë, çka bëri që legatat shqiptare në Londër, Paris, e gjetkë të përcillnin në drejtim të Ministrisë së Jashtme të njoftime shqetësuese. Në shtypin perëndimor si dhe në atë të vendeve fqinje kishte filluar një zhurmë e madhe, me akuza se Shqipëria po kthehej në një qendër bolshevike në Ballkan. Noli u step. Më 19 gusht, Ministri i Jashtëm, Sulejman Delvina, udhëzonte legatën shqiptare në Romë, që në qoftëse përfaqësia sovjetike e atjeshme, kërkonte shpjegim mbi këtë çështje, të jepte përgjigje evazive, jo përfundimtare (AQSH, F.151, V.1924, D.296). Prandaj përçapjet e përfaqësisë sovjetike, mbetën pa reagim. Të njëjtin fat pati edhe ndërhyrja personale e Çiçerinit, i cili, me anë të një letre që i dërgoi Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, në fillim të shtatorit, kërkonte shpejtimin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Formalisht marrëdhëniet diplomatike midis BRSS dhe Shqipërisë u vendosën më 17 shtator 1924, duke mbetur në letër, pa ndonjë veprim për konkretizimin e tyre praktik.
Ishte Noli, i cili ndërmori një hap të mëtejshëm në vjeshtën e 1924, në kohën e udhëtimit të tij në Gjenevë, ku do të merrte pjesë në sesionin e zakonshëm të Asamblesë së Lidhjes së Kombeve. Në nëntor të atij viti, rrugës për t’u kthyer në atdhe, u ndal në Romë, ku priti për vizitë përfaqësuesin sovjetik në Itali. Në takim u arrit marrëveshja për shkëmbimin e përfaqësuesve diplomatikë. Njoftimi u bë shkak për rifillimin e zhurmës, tashmë me tone edhe më agresive, çka e trembi qeverinë e Nolit, e cila u tërhoq sërish dhe kësaj radhe përfundimisht. Më 10 dhjetor kryeministri i telegrafoi Legatës shqiptare në Romë që të njoftonte përfaqësinë sovjetike se qeveria shqiptare e shihte të nevojshme të shtyhej për më vonë shkëmbimi i përfaqësuesve diplomatikë, për të mos i dhënë një armë në dorë partive të opozitës, të cilat përpiqen me çdo mënyrë t’i krijojnë vështirësi qeverisë. Përpara se njoftimi t’i transmetohej Komisarit për punët e jashtme, personeli i Legatës sovjetike, i përbërë nga 7 vetë, i kryesuar nga Arkadi Krakojevski, nëpërmjet Vjenës, ishte nisur për në Shqipëri dhe mbërriti në Tiranë më 16 dhjetor 1924. Qeveria shqiptare kishte caktuar Kostë Boshnjakun me detyrën e ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Bashkimin Sovjetik.
Mbërritja e personelit diplomatik sovjetik në Tiranë, e vuri në vështirësi serioze qeverinë, e cila duhet të përballonte presionet e ashpra të përfaqësuesve diplomatikë të perëndimit. Ajo e shqyrtoi çështjen në një nga mbledhjet e saj të fundit dhe në 20 dhjetor 1924, vetëm pak ditë para se të rrëzohej, botoi një komunikatë, në të cilën njoftohej se përfaqësuesve sovjetikë iu ishte kërkuar të largoheshin nga Shqipëria. Ata e lanë Tiranën vetëm pas nja dy ditësh qëndrimi. Më 18 dhjetor 1924, Noli i kërkoi Këshillit të Naltë (regjencës), organ që kryente funksionin e kryetarit kolektiv të shtetit shqiptar, shkarkimin e Nush Bushatit sepse pa qenë i autorizuar iu kishte dhënë vizë diplomatëve sovjetikë që do të vinin në Tiranë. (AQSH, F.149, V.1924, D.I-652, fleta 121).
Noli u përmbys nga pushteti me rikthimin e Ahmet Zogut. Për koincidencë ai u ndihmua jo vetëm nga qeveria serbe por edhe nga kundërshtarët e qeverisë sovjetike të strehuar në Jugosllavi, të njohur ndryshe si forcat vrangeliste, nga emri i drejtuesit të tyre, gjeneralit bjellogardist Vrangel (Piotr Nikolaïevitch Wrangel). Marrëdhëniet e mirëfillta do të vendoseshin në shtator të vitit 1934, kur qeveria shqiptare iu përgjigj pozitivisht propozimit të përsëritur të BRSS për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Niveli i tyre ishte në rang legatash. Legata sovjetike ishte me rezidencë në Athinë.
Në janarin e vitit 1935 postin e ambasadorit sovjetik në Shqipëri do ta merrte Mikhail V. Kobetsky, përfaqësuesi fuqiplotë i BRSS në Greqi. Më 23 janar 1935 u emërua njëkohësisht edhe përfaqësues fuqiplotë i BRSS në Shqipëri (Gazeta “Izvestija”, 24 janar 1935). Në prillin e vitit 1937, u emërua Nikolai Sharonov, i cili e përfaqësoi vendin e vet në Shqipëri deri në pranverën e vitit 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste dhe marrëdhëniet diplomatike u ndërprenë.
Siç shihet, në kohën e Nolit vendosja e marrëdhënieve diplomatike me ish Bashkimin Sovjetik, u konsiderua sakrilegj dhe u shoqërua me pasoja. Rivendosja dhe rifillimi i lidhjeve në kohën e Zogut, 10 vjet më pas, ndodhi si një veprim normal dhe i pakomentuar, ndonëse ishte i njëjti shtet, që kishte mbetur ende socialist.
Marrëdhëniet Shqipëri – Bashkimi Sovjetik u ndërprenë në prill 1939, si rrjedhojë e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, që u bë shkak i ndërprerjes së personalitetit të saj juridiko-ndërkombëtar.
U rivendosën në 1945, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1956 ato u ngritën në nivel ambasadash. Në nëntor 1961 qeveria e BRSS, njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike, tërhoqi nga Tirana personelin e ambasadës së vet dhe kërkoi mbylljen e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Moskë dhe largimin e personelit. Me përfundimin e procedurave dhe veprimeve konkrete, që përkoi me dhjetorin e vitit 1961, marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike, u ndërprenë sërish. Kësaj radhe shkaku kishte të bënte me mosmarrëveshjet ndërmjet drejtuesve të të dy shteteve. Ato u rivendosën sërish në korrik 1990.