Nga: Ervina Toptani

Në një telegram dërguar presidentit Puankaré prej ambasadorit francez Jules Cambon (gjatë kësaj periudhe Jules Cambon ishte ambasador në Gjermani), më 7 nëntor 1912 sqarohet marrëveshja e fshehtë që Italia dhe Austro-Hungaria kishin me njëra-tjetrën që prej vitit 1901 për çështjen shqiptare. Cambon takon në Berlin ministrin e Jashtëm italian, markezin San Giuliano, dhe bisedën me të ia përcjell me telegram Presidentit të Francës. San Giuliano i thotë ambasadorit francez: (telegrami si dokument gjendet në Ministrinë e Jashtme franceze, marrë prej atje si dokument pasqyrues në librin tim të parë prej nga ku është shkëputur dhe pjesa e shkruar në këtë postim)

“Ju padyshim e keni marrë vesh se kemi një marrëveshje me Austro-Hungarinë që në vitin 1901. Ne kemi rënë dakord që Shqipëria për momentin të mbetet e paprekur nën flamurin turk. Nëse një ditë ky flamur do të bjerë, atëherë ne do të mbështesim pavarësinë e Shqipërisë, pa ndikuar në pushtetin e saj të brendshëm, vetëm nëse shqiptarët do ta kërkojnë vetë diçka të tillë. Nëse Serbia shkel në territoret shqiptare, atëherë marrëveshja jonë bie dhe ekuilibri i Adriatikut kërcënohet rëndë, atëherë ne do të jemi të detyruar të biem në akorde të reja me Austro-Hungarinë që do të shkojnë larg, edhe përtej kësaj çështjeje”.

Duhej penguar me doemos dalja e Serbisë në det dhe sigurisht që nëpërmjet kësaj pengohej dhe politika pansllaviste e Rusisë.

Te paktën në dy momente të veçanta, njëherë në dhjetor 1912 e njëherë tjetër në prill 1913, Austria ka pasur konflikt të hapur me Serbinë dhe Malin e Zi rreth çështjes shqiptare.

Austro-Hungaria aneksoi Bosnjën në vitin 1908, e pretendonte edhe Selanikun, ndaj interesat e saj ishin tepër të prekshme nga Luftërat Ballkanike. Austro-Hungaria pretendonte të ndërtonte një linjë hekurudhore nga Bosnja përmes Sanxhakut e Mitrovicës, e cila do të mbërrinte deri në Selanik, madje kishte marrë edhe koncensionin për fillimin e ndërtimit të kësaj hekurudhe, por pushtimi i krahinës së Sanxhakut nga forcat serbo-malazeze gjatë Luftës Ballkanike e ndërprenë projektin austro-hungarez. Duke pasur nën kontroll Bosnjën, Austro-Hungaria mendonte të kontrollonte situatën ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi. Por, Serbia në dhjetor 1912 pushtoi Durrësin dhe në Konferencën e Londrës u propozua ndërtimi i linjës hekurudhore për qëllime tregtare që do t`i krijonte mundësinë Serbisë të kishte dalje në Adriatik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here