Selam Musai lindi më 1860, në fshatin Salari të Tepelenës nga një familje me tradita patriotike. Ishte udhëheqës i kryengritjeve në Vlorë dhe ra heroikisht për çlirimin e saj. Nuk ishte i arsimuar por ishte një patriot i lindur, një shqiptar i pabindur ndaj qeveritarëve turq. Mbasi u rekrutua ushtar, kaloj 5 vjet në Jemen, ku mori dhe titullin Agë. Më pas shtëpia dhe stani i Selam Salarisë ishin shndërruar në qëndra të rëndësishme për çetat patriotike dhe pjesëtarë i çetës së Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos. Në 1911 mori pjesë aktive në veprimtarinë patriotike të çetave që lëvizën kundër trupave turke e më pas kundër andarteve greke. Më 1912 i përgjigjet thirrjes së Qeverisë së Vlorës dhe në krye të çetave të Labërisë shkoi të mbronte Jugun e Shqipërisë nga forcat greke ku edhe u plagos.

Trimëria e shqiptarëve do të çudiste kolonelin Tomson që komandonte forcat e rregullta shqiptare. Në Hormovë lufta do të ishte e rëndë, Selam Musai do të plagosej. Bilbil Zekua nga Hormova, do ta shpëtonte nga vdekja duke rrezikuar jetën e tij. Andartët grekë do të masakronin në 29 prill 1914 më shumë se 200 burra nga Hormova në një kishë. Pjesa më e madhe e Labërisë do të shpërngulej. Ky kalvar do zgjaste deri më 1920, vit në të cilin Selam Musai do luante një rol të rëndësishëm.

Më 1920 bëhet anëtar i Mbrojtjes Kombëtare me kryetar Osman Haxhiun, të ngritur në krahinën e Tepelenës në Baçardha u mblodhën prijësat e Labërisë, më 23 Maj 1920, dhe u vendos t’i dërgohej ultimatum italianëve, për dorëzimin e Vlorës. Kur rreziku u bë i madh në fshatrat dhe qytetin e Vlorës, Selam Musai udhëhoqi fshatarët e Labërisë kundër forcave okupuese italiane me garnizonin e Kotës, Drashovicës, Kaninës e rrethinave të Vlorës.

Në luftime, u shqua aftësia e tij udhëheqëse dhe trimëria e tij, në luftimet që shkuan deri në trup më trup në “Qafë të Koçiut” dha jetën për çlirimin e vendit më 12 qershor 1920, dhe u bë simbol i patriotizmit, vendosmërisë dhe heroizmit popullor të Labërisë e mbarë Shqipërisë. Heroizmin e Selam Salarisë, populli e përjeton me këngë: “Ç’e zure topin nga gryka, lule more Selam lule”, kurse presidiumi i kuvendit popullor e deklaroi Hero të Popullit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here