Daut Dauti

Në Kosovë gjenerata ime është e para që ka filluar përdorimin e shamponit si mjet të përhershëm për larjen e flokëve. Kur kemi qenë fëmijë dhe kur nuk mund të laheshim vetë, nënat tona na lanin vetëm me sapun. Shamponi me siguri ka ekzistuar edhe në atëtë kohë (fillimi i viteve të 60-ta, të shekullit të kaluar), por nuk kishte hyrë ende në kulturën tonë të larjes. Ndoshta për shkak se ka qenë shtrenjtë.
Gjatë verës nëna ime na tubonte neve fëmijëve dhe na lante në oborr. Cipridon cullak i vënim duart para ‘marres’ dhe e pritnim radhën. Kur na vinte radha, uleshim në një cung druri dhe ajo nxirrte ujë me tas nga kusia, të cilin e vlonte në shporet dhe pastaj e përvokte me ujë të ftoftë duke e provuar temperaturën në dorën e saj. Pasi që familjet tona atëherë kishin shumë fëmijë, nën rrezet e diellit pritnim në radhë duke e soditur lakuriqësinë e njeri tjetrit dhe qeshnim. Disa edhe mrroleshin se nuk kishin dëshirë të laheshin. Po kush i pyeste nëse donin apo nuk donin. Ishte proces i domosdoshëm që verës ndodhte më shumë se një herë në javë.
‘Msheli sytë’ – dëgjohej zëri i nënës kur e sapunoste kokën dhe fytyrën tonë. Nuk laheshim gjithmonë me sapun. Shpesh ndodhte që kjo të bëhej edhe me deterxhente të rrobave, siç ishte ‘Radioni’, ‘Biljana’ e më vonë edhe ‘Faxi’. ‘Biljana’ krijonte më shumë shkumë dhe flokëve u mbetej një shkëlqim. Për ne, larja me këto deterxhente nuk ka qenë e preferuar. Nëse kishim ndonjë gërrithje të lëkurës, që si fëmijë na ndodhte gjithmonë gjatë lojërave të verës, deterxhenti krijonte një djegëje gati të padurueshme. Mu në fund të procesit, nëna e merrte një krahër me dhëmbë në të dy anët dhe pjesën e anës së shpeshtë e fuste në flokët tona që zakonisht kanë qenë të shkurtëra. Ajo këtë nuk e bënte vetëm për të na krehur, por më shumë për ta na e kontrolluar kokën nëse kishim morra apo thnia. ‘Qu’ dëgjohej zëri i saj kur e kryente punën dhe pasonte urdhëri ‘hajde tash ti’, që i drejtohej tjetrit në radhë. Një peshqir i vetëm pasohej nga dora në dorë dhe bëhej qullë kur mbërrinte te i fundit, i cili me këta rast e shikonte me mëri.
Ditëve tjera laheshim në xheriz. Shtëpitë e vjetra dhe të mëdha kanë patur ‘hamamxhik’ (nga turqishtja: banjo e vogël). ‘Hamamxhiku’ qëndronte i mbyllur me derë druri të stolisur me gravura dhe shpesh ishte zgjatje e yklykëve që e mbulonin tërë pjesën e murit dhe që shërbenin për vendosjen e rrobave. Gratë i lanin flokët me humëz, që ishte një lloj balte ngjyrë ulliri, por higjienike dhe krijonte shkëlqim në flokët pas lyerjes me kanë. Ka qenë edhe si lloj ‘conditioner’ për flokë.
Në krahasim me sot, kjo mund të duket mënyrë primitive e larjes, por për atë kohë ka qenë në rregull dhe mënyrë tejet adekuate për mbajtjen e higjienës së trupit. Në vendet tjera evropiane, deri vonë ka qenë edhe më keq. Ta zëmë, në Angli deri në fillim të viteve të 60-ta, kur shtëpitë nuk kishin ujësjellës dhe kanalizim, tërë anëtarët e familjes janë larë në një koritë (vaskë), të mbushur me ujë dhe zakonisht të vendosur në kuzhinë apo në ndonjë dhomë afër oxhakut. Larja është bërë pa e ndërruar ujin. Ne jemi larë me ujë të rrjedshëm edhepse me tas apo me lekë. Pra, kultura jonë e larjes ka qenë më e avansuar se ajo që ishte dikur në Evropën Perëndimore.
Sidoqoftë, kur u rritëm dhe kur filluam të laheshim vet, shamponi u bë i përhershëm. Më së shumti e përdornim shamponin që quhej ‘Brezov’ e që prodhohej nga një bimë që te ne vinte në qese, si kjo në foto. Unë i laja dy herë flokët me sasinë e kësaj qeseje. Kur fillova të shkoja në shkollë të mesme, e zbulova një shampon që atëherë shitej vetëm në barnatore. Ia kam harruar emrin, por ka qenë ekskluziv. Lëshonte një aromë të këndëshme që zgjaste me orë të tëra kurse flokëve ua rriste shkëlqimin dhe volumim. Kur fillova edhe të rruhesha, para kohës vetëm për t’u dukur sa më burrë, e pasurova arsenalin e deodorantëve. Rruhesha me zhileta që quheshin ‘super silver’ e që ishin prodhim i gjigandit të njohur botëror ‘Gillette’. Për shkak të emrit të kësaj firme i quanim zhiletat. Ato që ishin për një përdorim, që i quanim ‘BIC’, që ishin me mbajtje të plastikës dhe me të sigurtë për rruarje, erdhën më vonë dhe kushtonin më shtrenjtë.
Sidoqoftë, pas rrojës e përdorja ujin e kolonjës ‘Brion’ që kishte aromë fantastike, por për fat të keq nuk zgjaste shumë. ‘Brioni’ e kishte paketimin e plastikës dhe formën e atyre shisheve të metalta e të shtypura që nëpër filma njerëzit e rëndësishëm e mbajnë të mbushur me alkool dhe kohë pas kohe e nxjerrin nga xhepi për ta quar ndonjë gëllënkë. Pastaj, fytyrës ia jepja një shtresë ‘Solea’ ose ‘Nivea’, dhe kështu, siç thot një fjaë ‘i rruar dhe i kruar’, e krijoja vetëbesimin, ndoshta të tepruar, që të dilja i krekosur para vajzave.
Gratë i lanin teshat me dorë. Në kazan hudhnin hi që ishte zëvendësues për sapunin ngjyrë kafe dhe formë tulle. Me shporta të mëdha e të mbushura me tesha dhe perajka nën sjetull i shihje duke shkuar te përroi apo lumi i fshatit. Kjo ka qenë punë e vështirë edhepse atëherë njerëzit kishin më pak rroba.
Në fillim të viteve të 70-ta qytetet tona në Kosovë u pajisën me ujësjellës dhe kanalizim. Kjo gjë e lehtësoi larjen dhe e shtoi edhe përdorimin e deterxhenteve dhe deodorantëve të higjienës personale. Tregu qe mbushur me këto prodhime që ishin edhe frima të njohura botërore. Megjithatë, mua më së shumti më pëlqente një shampon dhe ujë kolonje që e sillnin punëtorët tanë nga Zvicra. Shamponi që vinte në shishe të plastikës kishte masë 0. 5 l., me ngjyrë rozë dhe aromë të këndshme. Uji i kolonjës kishte shishe të qelqtë me masë 200 ml., dhe përshkohej me një dizajn të vijave të theksuara artistike të zeza që kur prekej, krijionte një ndjenjë të veçantë. E digjte flakë fyytën kurse lëkurën e shtrëngonte duke i zhdukur rrudhat sikur pas operacionit plastik. Që të dyja e kanë patyr të shtypur çmimin 0. 80 SFR. Këto dy gjëra kanë lënë përshtypje të madhe te unë, sa që gjithmonë mendojë se kur të shkoj në Zvicër, do t’i kërkoj për t’i gjetur dhe blerë. Por, sa herë që shkoj në Zvicër, harroj ta bëjë këtë gjë. Kushedi, ndoshta më nuk ekzistojnë. Kanë kaluar 40 vitë që kur i kam përdorur për herë të parë.
Shamponi, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë është mjet i ri i përdorimit të larjes së flokëve. Por, në Lindje është prodhim që përdoret me mijëra vite dhe për herë të parë është prodhuar në Indi. Fjala ‘shampon’ është fjalë e disa gjuhëve që fliten në Indi, por rrënjën e ka nga sanksrishtja. Prandaj, evropianët e parë që kanë rënë në kontakt me shamponin kanë qenë anglezët, por nuk e kanë përdorur deri vonë për shkak se atëherë në Evropë, burrat dhe gratë, i përdornin paruket që i mbulonin flokët.
Për herë të parë në Evropë, gjegjësisht në Angli, shamponin e solli një indian i quajtur Sake Dean Mahomed, i cili ka qenë udhëtues, mjek dhe afarist. Mahomed, me gruan tij irlandeze Jane Daly, më 1814 në Brighton e hapi një banjo publike (hamam) dhe klientëve ua propozoi shamponin, së bashku me deodorantë tjerë. Shamponi përjetoi pupullaritet të madh dhe filloi të prodhohej dhe përdorej, por vetëm në mesin e aristokracisë britanike. Megjithatë, për përdorim të përgjithshëm, pra kur doli në treg, ka qenë viti 1927 kur e ‘zbuloi’ Hans Schwarzkopf në Gjermani.
Sapuni është përdorur më herët në Evropë. Mendohet se është prodhuar para 4000 viteve në Babiloni apo në Irakun e sotëm. Megjithatë, në Evropë erdhi vonë dhe e sollën arabët, të cilët në Spanjë kishin ndërtuar një sistem të sofistikuar të ujësjellësit e kanalizimit dhe së bashku me të edhe pastërtinë e trupit. Vendet evropiane filluan gradualisht ta merrnin këtë prodhim nga Spanja dhe e mësuan mënyrën e mbajtjes së pastërtisë. Megjithatë, në Angli, prodhimi i sapunit filloi në disa qytete dhe u popullarizua shpejt, por jo sikur në Itali ku përjetoi përdorim më të shpejtë dhe më të madh.
Sapuni është përdorur që herët edhe në viset shqiptare. Është vështirë të dihet përmasa e përdorimit të tij, por dihet se gjatë sundimin otoman është prodhuar me të madhe që nga Alepo e deri në Ballkan. Prodhimi dhe përdorimi i sapunit te ne me siguri është shtuar kur në Ballkan erdhën hebrenjtë që u përzunë nga Spanja. Ata që u vendosën në Selanik, sollën jo vetëm shprehinë e prodhimit dhe përdorimit të sapunit, por edhe një kulturë të re që ishte praktikuar në Spanjën e sundimit arab.
Sot banjot tona janë të mbushura me lloje të ndryshme të sapunave, shamponave e kondicionerëve, por dikur mezi e kemi patur një nga këto lloje. Pasi që unë i mbaj mend këto gjëra, kjo nuk është kohë e largët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here