Në vitin 1455, pas rrethimit dyzetditor kishte rënë Artana..Në pushtimin e saj mori pjesë sullan Mehmedi II

Jahja Drancolli

Në vitin 1455, pas rrethimit dyzetditor kishte rënë Artana. Në pushtimin e saj mori pjesë sullan Mehmedi II, një nga perandorët më të shquar të Perandorisë Osmane, i cili dy vjet më parë (1453) kishte gjunjëzuar Kostandinopojën, qendra e Perandorisë Bizantine. Në atë kohë, në krye të këtij qyteti të lirë e autonom ishte Llesh Spani, një arbër i dalë nga dera e zotërve Spani. Pas rënies së qytetit dhe kalasë së Artanës, një pjesë e madhe e qytetarëve do të largohen nga vendi për të emigruar në Republikën e Venedikut, të Raguzës, Mbretërinë e Hungarisë, shtetin e Ankonës e gjetkë.
Në një mal, rreth 40 km në juglindje të Prishtinës, në lartësinë rreth 1100 m, ruhen ende rrënojat e qytetit dhe kalasë së Artanës (Nuouomonte, Nuouabarda, siç e quanin përgjithësisht venedikasit, raguzanët dhe italianët; Nyeuberghe, sipas saksonëve gjermanë; Novo Brdo, sipas gjuhëve sllave). Në mbështetje të dokumenteve të zbuluara deri më sot, Artana, përkatësisht Novobërda, me këtë emër e ndeshim për herë të parë në vitin 1319. Ngjashëm me toponiminë e sipërpërmendur ndeshemi me qytetin dhe fortifikimin në fjalë edhe një hartë botërore të quajtur “Il Mappamondo” redaktuar nga venedikas Frat Mauri rreth vitit 1450 (sot ruhet ne Biblioteca Nazionale Marciana di Venezia). Bëhet fjalë për toponimin Nuoua Barda i shoqëruar me miniera ari dhe argjendi (fosse oro et arçento).
Kështu e quanin qytetin dhe fortifikatën pothuajse të gjitha burimet e shekulli XV, madje dhe duke potencuar çdo herë pasuritë e minerave të qytetit, që prodhonin rreth 600 kg ari, si dhe rreth 7 tonelata argjend në vit. Nga kjo qendër e madhe, përkatësisht nga fortifikimet dhe vendbanimi i pasur me miniera, deri më sot janë ruajtur pjesë muresh, kulla mbrojtëse, si dhe disa gjurmë nga themelet e objekteve. Vetë fortifikimi, i cili përbëhet nga qyteti i sipërm dhe ai i poshtëm, është ndërtuar mbi kodër. Megjithatë, nënkalaja shtrihet në kodrat, në lindje dhe në juglindje të qytetit, tërësisht deri në minierën nën Malin e Madh.
Gjatë ndërtimit të kalasë së Artanës është përdorur kryesisht gur gëlqeror nga guroret lokale. Për qoshet e mureve dhe të dyerve është përdorur breça e kuqe e mbyllur. Muratura është punuar me gurë të thyer dhe suva prej zalli e zhavorri. Breça është punuar në katrore të drejta për kënde. /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here