Një pemë e lashtë alerce e njohur si “gjyshi i madh” në jug të Kilit mund të jetë më shumë se 5,000-vjeçare.
Shkencëtarët nuk ishin në gjendje të përcaktonin një moshë të saktë bazuar te rrathët e pemës për shkak të trungut jashtëzakonisht të madh, raporton Euronews. Por ata kanë arritur në përfundimin se kjo është pema më e vjetër në botë.
Normalisht, një cilindër druri me një diametër prej 1 metri nxirret për të numëruar rrathët e pemëve, por trungu i pemës në Kili ka një diametër prej katër metrash. Jonathan Barichivich, shkencëtari që drejtoi studimin, tha se nga analiza e rrathëve të pemës si edhe nga metodat e tjera që përdoren për të përcaktuar datën, mendojnë se pema është deri 5,484-vjeçare.
“Kjo metodë na tregon se 80% e të gjitha trajektoreve të mundshme të rritjes na japin një moshë të kësaj peme më shumë se 5,000 vjet,” tha Barichivich. “Ka vetëm 20% mundësi që pema të jetë më e re.”
Kjo pemë duket se do të rrëzojë nga froni një pemë pishe në Kaliforni, e cila mban rekordin aktual si pema më e vjetër në botë – 4,853-vjeçare.
Barichivich është i shqetësuar për vazhdimësinë e pemës, sepse shumë njerëz vijnë për ta vizituar çdo vit, shkelin rrënjët e saj si edhe marrin lëvore në shtëpi, gjë që e dëmton pemën.