Pas një ndërprerje gati dy vjeçare për shkak të pandemisë, Instituti i Arkeologjisë në bashkëpunim me Universitetin e Varshavës kanë nisur gërmimet arkeologjike qytetin ilir të Bushatit.
Pas dy fushatave të para, të cilat lejuan zbulimin e dy portave hyrëse të qytetit dhe shtrirjen e tij, gërmimet e këtij viti janë të përqendruara në qytetin e mesëm dhe të sipërm dhe kanë për qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm të urbanistikës së këtij qyteti.
Pas realizimit të një surveji gjeofizik, ekspedita ka filluar tashmë gërmimet për të nxjerrë në dritë strukturat e identifikuara. Kërkimet po tregojnë se kjo pjesë e qytetit të sipërm ka qenë e ndërtuar masivisht që në shekullin e 3 p.e.s., sipas datimeve paraprake. Aktiviteti në terren, i cili është ende në proces, ka për qëllim zbulimin e plotë të planimetrisë së këtyre ndërtimeve dhe më pas të arrijë të identifikojë rolin që ato kanë patur.
Kërkimet shqiptaro-polake në Bushat janë parashikuar të vazhdojnë deri në vitin 2025 duke shpresuar se do të arrijnë të zbulojnë sa më shumë nga forma dhe historia e këtij qyteti.
Arkeologët kanë dyshuar se mund të bëhet fjalë për qytetin Bassania, megjithatë shumë pak të dhëna ka për të.