NGA: CAF JONUZ ÇULAJ
Kur shkruhet për historinë dhe traditat e një vendi apo fshati, ma shumë përmenden burrat se gratë. E pra njerëzimi ndahet në dysh, gjysma meshkuj e gjysma femra. Kësisoj gjithçka ashtë në harmoni dhe varet si e interpretojmë. Varet si e vlerësojmë gruan. Historia e popullit tonë njeh shumë shembuj, ku gratë e vajzat, nuk mbeten prapa burrave e shumë herë me aftësi të plota, janë në udhëheqje.
Çdo krahinë ka shembujt e vetë. Ky shkrim i kushtohet njanës prej tyre, ajo quhet Luke Gjon Palaj. Nuk asht qytetare e nuk ka shkollë, por asht burrneshë e hyni në histori. Në gjysmën e dytë të këtij shekulli, regjimi komunist ekzekutoi dhe dënoi qindra gra dhe vajza. Kjo sepse ato ishin kundërshtare të atij regjimi, ose e pësuan për shkak të burrave, vëllezërve, apo djemve të tyre të dënuem.
Lukja, ka lind në Xhan të Pultit, në Dukagjin dhe sot i asht mjaft e moçme. Sot sigurisht në fytyrën e saj ka shumë rrudha dhe sa rrudha janë, aq halle dhe vuajtje tregohen. Edhe pse e moshueme, ajo nuk e ka forcën fizike të rinisë, por kujtesën e ka të fortë. Streha për kundërshtarët politikë të komunizmit, pas 1944 ishin malet. Atje mbijetuan me dhjetëra burra në kushte homerike edhe në saj të njerëzve.
U formuan çeta antikomuniste kudo. Në Dukagjin ato kryesoheshin nga Gjon Dostanishta. Në to bënte pjesë dhe Lazër Pali, që ishte kunati i Luke Gjon Palajt. Ai printe çetën e tij dhe gjithmonë e nxirrte nga rreziku. Kalon disa vjet në kushte ilegaliteti të plotë. Regjimi, kërkonte ta kapte, por nuk mundte. Dhjetor i vitit 1952, Dukagjini ishte i mbulue nga bora. Për të gjithë ishte e vështirë e sidomos për ato, që rrinin e flinin maleve. Nuk do mund të qëndronin, nëse nuk do kishin ndihmën e dikujt. Çetës së Gjonit, i ishte mbarue buka.
Shpresa ishte te Lazri. Në kushtet e një bore të dendur, ai shkon tek shtëpia e kunatës dhe furnizohet me ushqime. Por po zbardhte dhe ai e kuptoi, që shtëpia përdhese e saj, ishte e rrethuar. Mbasi u mendua pak ai bashkë me Luken, u menduan me ça rrethimin. Në një moment u trokiti në derë, kryetari i këshillit dhe i tha asaj, nëse kishte njerëz brenda. Ajo, pa u mendua fare i tha jo, 5-6 ushtarë të forcave të ndjekjes, tentojnë me u futë brenda. Por Lazri zbrazi automatikun dhe pasi vrau gjysmën e plagosi pjesën tjetër, ata çajnë rrethimin. Sërish kalojnë dhe një pritë të dytë.
Lukja e vetme në shtëpi, merret në pyetje nga oficerët e Sigurimit të Shtetit. Ajo me zgjuarsinë dhe burrninë e saj, nuk pranonte, që në shtëpi të kishte njerëz, përndryshe ushtarët do të kishin ranë në përleshje të armatosun. Por ky justifikim nuk pranohet dhe atë e arrestojnë dhe e çojnë në fshatin Mes, ku do ta merrte në pyetje, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, Kolonel Hilmi Seiti. Ai që në fjalët e para i thotë, që: në plumb do të përfundosh, se kështu e meriton. Ndërsa ajo i përgjigjet se jeta e saj s’ka ma rëndësi, pasi Lazri kishte shpëtue. Luke Gjon Palaj u dënua me 18 vjet burg. Kreu 12 vjet dhe në vijim, shkoi në internim në Lushnje dhe Vlorë. Ajo, nuk o la gjë mangët, maleve të saj, sepse qëndroi e palëkundur. /Memorie.al