Nga Nini ManoMOS HUMBISNI

Portreti i Erifili Bezhanit, në vitet e fëmijërisë sime të hershme, në imazhin e përftuar ashtu, vjedhurazi bisedave të kujdesshme të të medhenjve, ishte thuajse i pakapshëm. E rritur dhe e shkolluar fillimisht në Greqi, e më pas në Francë, fotografitë e Erifilit në albumet e familjes, më kishin ofruar imazhin e personazhit magjepsës të tregimeve dhe novelave, treguar nga motra e saj, Evrinomi ne të vegjëlve, mbremjeve të gushtit, buzë detit, në lagjen Skelë, në Vlorë në mes të viteve 60-të.

Vizioni I kalorëses së shkëlqyer, që rrugën nga lagja Goricë, ku banonte gjyshja, deri në Kala tek tezja, në Berat, e merrte me gallop të shpejtë, shumë ndryshe nga vajzat e tjera të së njejtës moshë, më afronin zanën e bukur të përrallave.

Me kalimin e viteve, kur e rritur, fillova të mërrja pjesë në bisedat e më të mëdhenjve, portreti i Erifilit nisi të paraqitej ashtu, sic ishte në të vërtetë: plot vitalitet, endrra dhe ambicje profesionale, që u thyen në mes papritur, për një shkak shumë të pakuptimtë: kundërvënia e shtetit ndaj koncepteve, përpjekje intelektuale të saj për shoqëri demokratike të vërtetë në Shqipëri.

Familja ku u rrit Erifili

Me jetën e Erifili Bezhanit lidhen histori të spikatura karakteresh shqiptare, por shumë të dhimbshme dhe tragjike të një familje me prejardhje të hershme intelektuale. Të tilla janë jetët e fëmijëve të Pavllo Bezhanit nga Vlora dhe Amalia Kolea nga Berati. Pavllo ishte bir I familjes së njohur Bezhani, familje e madhe, e pasur, me aktivitet të madh tregtar eksport-import në Vlorë, Greqi, Itali deri në Egjyptin e largët.

Bezhanët njihen në historinë e zhvillimit të tregut financiar shqiptar, pasi që nga viti 1850 hapën të parën bankë private në Shqipëri, e njohur fillimisht si “Banka Pandeli & Lefter Bezhani”. Ndërsa Amalia Kolea ishte vajza e vogël e avokatit nga Berati, Kristo Kolea, përfaqësues i Monopolit francez të duhaneve “La Regie Des Tabac” në perandorinë Otomane në teritorin Shqipëri, Greqi, Maqedoni. Amalia Bezhani ka qënë poete, e para vajzë shqiptare, e cila ka botuar poezitë e saj në revistën “Bleta Shqiptare”, botim i komunitetit shqiptar të Misirit në Egjypt, në fund të shekullit XIX, kur jetonte me të vëllanë, patriotin Sotir Kolea.

E mbetur e ve shpejt, në vitin 1918, Amalia Bezhani me mëncuri të vecantë, jo vetëm që drejtoi dhe zhvilloi biznesin e familjes brenda dhe jashtë vendit, por u kujdes për shkollimin sa më të mirë të 3 fëmijëve. Ndërsa vajzat, Erifili dhe Evrinomi studjuan dhe u diplomuan në universitetet e Francës, djali Aleko studjoi për Ekonomi në Romë, Itali në mes të viteve 30-të. Për të tre ushtrimi i profesionit në vendlindje, bashkë me idealin për të ndryshuar dhe përmirësuar bashkë me jetën, edhe konceptet e vjetra fanatike shqiptare, u ndërprenë në moshën më productive me ardhjen e PKSH-së në fuqi.

Kush ishte Erifili Bezhani

Erifili Bezhani lindi në Vlorë në 16.11.1910. Pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje, e ëma e dërgoi për shkollim në Korfuz. Pas mbarimit të shkollës së mesme, shkon në Francë me të motrën, ku studjon fillimisht për Letërsi Frenge dhe më pas kryen studimet në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e qytetit Alix-en-Provence, në 1939. Vazhdon me studime të mëtejshme deri sa merr edhe “Licenciee en Droit”.

Ushtron 2 vjet profesionin e avokates në Marsejë, në vitet 1941-42, ku fejohet me një avokat të njohur aristokrat francez. Kur ishte në kulmin e lumturisë, nga një fakeqësi e së motrës Evrinomi, e diplomuar edhe kjo si “Profesore e D’Etudes Francaises “në të njejtin Universitet, Erifili Bezhani lë pas gjithcka dhe e shoqëron atë për në Shqipëri. Ishte kohë lufte, dimër I vitit 1943, kur dy motrat zbritën në Portin e Vlorës për të mos u larguar më kurrë prej luftës deri në vdekje.

Pas një qëndrimi në qytetin e lindjes, së bashku me nënën, dy motrat Bezhani largohen nga Vlora dhe në vitin 1944 vendosen në Tiranë. Gjenden shumë shpejt në qëndër të grupeve me intelektualë të dalluar shqiptarë, shkolluar në vende të ndryshme të Europës. Në vitet e para të clirimit, me fillimin e pushkatimeve të nëcionalitëve, Erifili kupton se ardhja e PKSH në krye të vendit, nuk ishte rruga që do të vendoste sistemin pluralist demokratik.

Ajo ishte si shumë intelektualë, që bashkë me shkollimin universitar jashtë atdheut, kishin përvetësuar, për fatin e tyre të keq e tragjik, bashkë me normat e edukimit perëndimor, edhe modelin e shoqërive të verteta demokratike. “Eshtë një raprezalje e frikshme, jashtë shembullit të vendeve europiane, ndaj duhet ndalur”, shprehej tek të afërmit e vet, Erifili Bezhani.

Ajo aktivizohet në lëvizjen antikomuniste të grupimit “Bashkimi Demokrat”, ku bënin pjesë anëtarë të grupit të Deputetëve, Liberal-demo-krateve, social-demokratët, etj. Miqtë e saj të përhershëm me të cilët shoqërohej, ishin intelektualë të njohur të kohës si Gjergj Kokoshi, Thoma Orogollai, doctor Isuf Hysenbegasi, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), Qenan Dibra, Musine Kokalari, etj.

Veterania e LNCL-së, Andromaqi Nocka, kujton:” Erifili ishte demokrate në shpirt, ashtu sic duhet të jenë sot politikanët. Unë vija nga zonat e lira, rreth vitit 1945, kur takova pas shumë vitesh Erifili Bezhanin, ishte me Dhimitër Paskon, u ulëm në një local dhe të dy, mbaj mënd që bisedonin për politikë, rreth rrugëve për vendosjen e demokracisë. Jo vetëm në atë rast, por asnjëherë Erifili, nuk më tërhoqi vëmëndjen për bindjet e mia politike, sepse dinte të respektonte cdonjeri. I vetmi faj për të cilin u dënua Erifili ishte se guxoi të fliste hapur, me zë të lartë vazhdmisht për vendosjen e demokracisë dhe për nevojën e pluralizimit politik në Shqipëri.

Kishte një fjalor të pasur që shoqëronte argumentat rreth këtyre ideve. Aty u kapën edhe në dënimin e saj”. Për guximin dhe burrërinë që e kakrakterizonte Erifilin, ish-I dënuari plotik, Dr. Isuf Hysenbegasi ka lënë këtë kujtim:” Mes viteve 1945-46 një përfaqësues anglez bëri një takim me inteligjencën e Tiranës. Medis të tjerave, ai tha :”Ne Shqipërinë nuk do ta lëmë në duart e komunistëve”.

Në atë moment ndërhyri Erifili Bezhani duke thënë :”Shikoni Egjyptin që po ju rrëshqet nga duart, sa për fatin e Shqipërisë, ai është përcaktuar tashmë”. “Kush jeni ju zonjë”, e pyeti anglezi. “Jam një grua shqiptare”, ju përgjigj Erifili Bezhani”. Në 16 Maj,1947, pas arrestimeve të bujshme të grupit të Deputetëve, të liberal-demokratëve, etj, Erifili Bezhani arrestohet dhe nga fundi I vitit, dënohet me 20 vjet “heqje lirie” nga Gjykata Ushtarake e Tiranës. Dërgohet në burgun famëkeq të Burrelit, duke u rreshtuar në historinë e burgimeve antikomuniste në të 4 femrat e para shqiptare antikomunsite, që provuan bashkë me burgimin, edhe shijen e hidhur, torturat cnjerëzore. Ish I burgosuri politik, vlonjati Hysni Alimerko, shkruan në kujtimet e tij: ” Erifili u dënua pothuajse në të njetjën kohë me Musine Kokolarin, Shega Këlcyrën dhe Nurie Koculin, bijë e Qazim Koculit. Ishin 4 fermat e para që u futën në burgun ferrë të Burrelit. Më vonë erdhën Drita Kosturi dhe Raile Luzi.

Të gjitha ishin me karakter të fortë dhe të papërkulura”. Drita Kosturi në kujtimet e saj rreth torturave që hiqnin të burgosurat gra në burrgun e Burrelit, përmënd qëndresën e Erifili Bezhanit dhe shoqeve të saj në burrgun e Burrelit:”Kam takuar shumë gra të burgosura me akuza politike, gra që përmbanin brenda vetes virtyte të larta të gruas shqiptare, të ushqyera nga tradita e brezave të tërë.

Gra me karakter të fortë, me shpirt të gjerë demokratik, në të cilat krenaria mbyste dhimbjen për kushtet në të cilat ndodheshin. Janë nga ato gra të cilave lotët u gëlltiteshin nga sytë pa mundur t’u rreshqisnin faqeve, mes tyre Musine Kokalari, Erifili Bezhani, Frieda Sadedini e mjaft të tjera”.

Në Nëntor, 1951, kur vuante burgimin në Burrel, emri I Erifili Bezhanit përfshihet në listat e amnistisë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, falë ndërhyrjes së miqve të vjetër të familjes si Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, por edhe sepse familja e sajkishte mbështetur financiarisht luftën Nacional-Clirimtare. Që nga kjo kohë dhe deri në vdekje, nis etapa e dytë e mundimeve të Erifili Bezhanit për mbijetesë, me shumë mundime poshtërime dhe privime.

Privacionet pas burgut

Në vitin 1952, pas shumë ndërhyrje miqsh, hyn në Kolektivin e Avokatëve të Tiranës ku nis punën si e para femër avokate. Thoma Haxhistasa, një nga avokatët e mbetur gjallë të brezit të vjetër, I diplomuar në Firence, Itali në vitet 30-të, djalë teze me Erifili Bezhanin, kujton:”Erifili ishte në ato vite e vetmja avokate femër në punë. Si femër, dallohej për qetësi, burrëri dhe elokuencë të shkëlqyer, ndërsa si profesioniste, ndiqte vijën e ashpër të logjikës juridike në argumentimin e fakteve dhe provave.

Falë aftësive intelektuale të lindur dhe të kultivuar me finesë, të forcës së brendshme të vecantë, dinte të bënte mbrojtje të pakundershtueshme. Brenda 1 viti në punë, u bë ndër avokatet më të kërkuara në Kolegjin e Avokatëve në Tiranë nga klientët”.

Në atë kohë u shfaqën hapur xhelozitë profesionale tek pjesa më maskiliste e kolegëve burra, që nuk mund ta konkurronin as profesionalisht. Punon vetëm një vit si avokate, pasi e përjashtojnë nga puna me motivacionin “e pa denjë dhe e pa zonja”. Mban datën 13 Tetor,1953 Promemorja, që e para avokate femër, tepër e fyer, por edhe me krenari të vecantë, I drejton Këshillit Mbikqyrës të Avokatisë, ku me argumente llogjikë, kundërshton vendimin për përjashtimin nga puna, duke kërkuar që të dëgjohet mbrojtja e saj: “Unë nuk jam e paaftë!

Aftësia dhe zotësia ime provohet prej sukseseve që kam pasur unë në punë, suksese morale dhe materiale. Kurrë nuk më është tërhequr vërejtja për punën time, për studimin e dosjeve, për përgatitjen e mbrojtjes, për paraqitjen e provave. …Prej punës sime, të gjitha paditë kanë ardhur në preferim nga njerëz të panjohur, të cilët nuk dinë as emrin tim, por vijnë e kërkojnë në Kolektivë “avokaten e trashë”…

Përvec punës sime si avokate, kam punuar edhe për Ministrinë, pasi të gjitha përkthimet prej shqipes në frengjisht, i kam bërë unë jashtë orarit të punës dhe pa asnjë shpërblim. Gjithashtu jashtë orarit të punës, kam bërë edhe përkthime prej gjuhës ruse në shqip, prej nga ka përfituar e gjithë Kolektiva, si psh, Kodi Civil Sovjetik, që ka trajtë me të drejtën e trashëgimit. … Unë nuk jam e padenjë! Përsa I përket moralitetit, mua më njohin shumë dhe të gjithë e dinë se kam kaluar një jetë austere dhe monastike, një jetë të pastër dhe të qetë, kushtuar vetëm studimeve. Fama ime personale nuk ka as njollën më të vogël në këtë pikë.

Përsa I përket cështjeve politike, unë vërtetë kam qënë në burg, por në kolektivat e avokatëve të Shqipërisë janë të shumtë ata që kanë qënë nëpër burgje për faje shumë më të mëdha se faji im, sepse unë me regjimet e së kaluarës nuk kam pasur asnjë lidhje dhe me okupatorët jo vetëm që nuk kam punuar, por i kam luftuar duke ndihmuar me të gjitha fuqitë e mia moralisht dhe materialisht Lëvizjen Nacional-Clirimtare. Deri sa pushteti më rehabilitoi duke më kthyer të gjitha të drejtat, edhe të votës, nuk ka asnjë arsye që të më ndalohet e drejta e profesionit.

Drejtonjësi i Kolektivës… u kishte thënë disa kolegëve se unë u përjashtova se nuk kam triskën e Frontit…”. Erifili Bezhanit nuk j’u dha triska e Frontit, c’ka e shpallte në fakt “armike të popullit”, por e mbante edhe nën presionin e internimit, apo ridënimit.

Që nga vitit 1953, Erifili Bezhani nuk mundi të punojë më asnjë ditë si avokate, profesion, të cilit I kishte kushtuar studimet, si dhe përvojën 2-vjecare si avokate në një nga qytetet më të mëdha të Francës, në Marsejë. Atë të drejtë që I dha shteti demokratik Francez, Erifili Bezhanit ja mohoi në vendlindje rregjimi komunist. Përpjekjet për t’u rifutur në Drejtësi, Erifili Bezhani nuk I rreshti deri në fund të jetës së vet.

Në familjen Bezhani ruhet edhe një letër e saj e vitit 1956, drejtuar Hysni Kapos, mik I vjetër I familjes, ku I kërkon marrjen e triskave të Frontit për vete, mëmën dhe motrën dhe rifutjen në punë si avokate. Pas përvojës së tmershme të burgjeve komuniste, aspak e frikësuar, Erifili Bezhani nuk nguron t’I drejtohet Hysni Kapos me krenari, duke I vënë në dukje të vërtetën e familjes Bezhani për ndihmën materiale për luftën Nacional-Çlirimtare si dhe aftësinë e saj profesionale si avokatja, që nuk humbi asnjë proces gjyqësor gjatë ushtrimit të profesionit:”… Unë dua që ju ta dini cështjen mirë, se nuk vij tek ju si mik I familjes për të kërkuar një favor, por si udhëheqës për t’i kërkuar që të ushtrojë influencën e Tij me qëllim që të më jepen të drejtat që më takojnë në bazë të ligjeve të pushtetit popullor…”.

Erifili përkthyese

Nevoja për jetesë, kur dyert e drejtësisë ju mbyllën, e futën Erifili Bezhanin në botën e përkthimeve. Falë njohurive të shkëlqyera të disa gjuhëve, si Frengjisht, Anglisht, Italisht, Greqisht dhe Rusisht (të cilën e mësoi shkëlqyeshëm gjatë burgut), punon si përkthyese për disa institucione të ndryshme.

Lidh kontrata përkthimi me Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, me institucione të tjera shkencore, me Legata të huaja në Tiranë. Botimi “Terminologji e Drejtësisë”, “Metoda e gjuhës shqipe për të huajt”, “Kodi Civili I BRSS”, shumë të tjera që gjenden në ministrinë e Drejtësisë, “Studime të Akademisë Shkencave të BRSS”, “Punime të Stalinit mbi Linguistikën”; “Historia e teatrit “Balshoi”, “Historia e muzikës ruse”; recensione filmash, artikuj shtypi për Legatën Hungareze; “Kodi penal I RPSH”, Ligje të ndryshme për Legatën e Polonisë; librin “Bota e atomit”, botime në gazetën “Zëri I Rinisë” dhe në shumë organe të tjera të shtypit të kohës, mbajnë përkthimet e Erifili Bezhanit.

Shumë miq dhe dashamirës, që vlerësonin vlerat dhe mëncurinë e saj, I hapën rrugën e kontratave. Por nuk ishte e thënë që të vazhdonte me përkthimet. Pas burgimit të saj, familjen e Erifilit, nënën dhe motrën, organet e pushtetit i larguan nga Rruga e Elbasanit, ku jetonin në një vilë dhe i cuan në bodrumet plot lagështirë të një shtëpie të vjetër në Lagjen 1 Maj, rruga “4 Dëshmorët”, Nr.36 në një dhomë të vetme, ku me komshinjtë e tjerë përdornin të njejtin korridor si vend për gatim dhe një cezme të vetme.

Njëri prej tyre, Sh.Z, polic injorant, por që për militantizëm komunist, dinte të bënte shumë mirë luftën e klasave, i shqetësonte vazhdimisht, deri sa në mes të vitit 1958, nuk i lejoi më të përdornin as cezmën, as vendin e gatimit. E ndjerë e privuar deri në poshtërim, Erifili Bezhani, pas shumë ankesash zyrtare në organet e pushtetit local, që rranë në vesh të shurdhët, nuk mundi ta përballojë atë dhe e hodhi në gjyq.

Por mori vendimin vdekjeprurës më të fundit të pushtetit komunist: dënimin që të bënte punë të detyruar si fshesaxhije nëpër rrugët e Tiranës dhe vetëm në turnin e tretë! Pas 6 muajsh pune të tillë poshtëruese për nivelin e saj intelektual, sëmuret nga ulcera, shtrohet me urgjencë dhe në operim e sipër, vdes. Ishte data 15 Shkurt, 1959 kur mbylli sytë në në sallën e operacionit në spitalin e Tiranës.

Erifili Bezhani. Ishte vetëm 49 vjec, avokate, e diplomuar për Drejtësi në francë, por jeta i rezervoi në vendlindje fat tragjik, si rrallë pak femra të shkolluara jashtë vendit. Përvecse kontributit si intelektuale në vendosjen e demokracisë pluraliste perëndimore në Shqipëri, apo dënimit politik dhe burgimit si shumë të tjerë, Erifili Bezhani vlen të kujtohet dhe njihet si shembull i rrallë emancipimi për brezin femëror shqiptar të viteve 30-të.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here