Mbetjet e një grabitqari detar që ka jetuar 36 milionë vjet më parë janë gjetur së fundmi në Peru. Ai mendohet se është paraardhës i lashtë i balenave të sotme. Pjesa e gjetur është një kafkë, e cila ishte ruajtur pothuajse e paprekur në shkëmbinjtë e shkretëtirës jugore Ocucaje të Perusë.
Rodolfo Salas, shef i paleontologjisë në Universitetin Kombëtar të Perusë, thotë se gjitari i lashtë ishte një bazilosaurus, pjesë e familjes së cetaceve ujore, pasardhësit bashkëkohorë të të cilit përfshijnë balenat dhe delfinët.
Basilosaurus do të thotë “mbreti hardhucë”. Megjithëse kafsha nuk ishte zvarranik, për shkak të gjatësisë së madhe të trupit mund të ketë lëvizur si një gjarpër gjigant.
Grabitqari i dikurshëm mendohet të ketë qenë i gjatë rreth 12 metra, ose afërsisht sa lartësia e një ndërtese katërkatëshe.
Shkencëtarët thonë se cetacet e parë evoluan nga gjitarët që jetuan në tokë rreth 55 milionë vjet më parë, rreth 10 milionë vjet pasi një asteroid goditi pikërisht atë që tani është gadishulli Jukatan i Meksikës, duke zhdukur pjesën më të madhe të jetës në Tokë, përfshirë dinosaurët.
Kafka e gjitarit në fjalë mendohet se është zhytur në fund të detit parahistorik, ku u mbulua nga rëra dhe u ruajt e paprekur.