Luigj Gurakuqi, në kohën kur ai ishte student do të shkruante:
“Më çohet mall me kenë në shpi e me ndigjue baben tue kallzue, si përpara, në ngjarjet e Pashallarvet të Shkodres, trimnitë e malcorvet e luftat e Malit te Zi, sende qi kishte ndî prej t’et e që edhe ai vetë shume kish pa”.
Lavdi…🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱
E vrane pabesisht me 2 Mars 1925, ne Bari, KTE VIGAN LIBERATOR…
SYRGJYN -VDEKUR
(Elegji për Luigj Gurakuqin)
Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.
Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.
Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.
Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.
Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.
Fan Noli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here