XHAFER DEVA – INTELEKTUAL DHE ATDHETAR I SHQUAR I KOMBIT

  • Ngadhënjyes e humbës i madh

Xhafer Deva është, pa dyshim, një nga protagonistët kryesorë të historisë kosovare sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas përfundimit të saj. Ai konsiderohet ngadhënjyes dhe humbës i madh. Nga shumë njerëz që e donin Shqipërinë etnike dhe luftonin për të, ishte i njohur si burrë shteti, nga shumë atdhetarë të cmuar deri në admirim, dhe i urrejtur e i sharë nga një grup njerëzish që kishin përqafuar ideologjinë komuniste dhe, me apo pa vetëdije, e futën Kosovësn dhe popullin shqiptar në terrin e skamjes e robërisë. Meqë dihet se Xhafer Deva ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë, duhet bëjmë cmos që të ndriqojmë jetën dhe veprimtarinë e tij, të bëjmë atë cfarë është e mundur, me qëllim që qytetërimit shqiptar t’i kthehet një pasuri e jashtëzakonshme, tepër dobiprurëse, ndërsa botës evropiane e më gjerë t’i paraqitet një kolos shqiptar me gjithë dritë hijet e tij.

Shkruesit e historiografisë komuniste, shërbëtorë të politikës së ditës, për afro gjysmë shekulli, disa syresh vazhdojnë këtë avaz edhe sot e kësaj dite; kanë hedhur e hedhin gur e drum mbi këtë personalitet të shquar, duke e quajtur hic më pak se kriminel e tradhtar. Formulimet e tjera, si ‘’kolaboracionist’’, ‘’fashist’’, ‘’armik’’, ‘’nxitës i vëllavrasjes’’ etj. ishin tepër të buta. Dhe kë donin ta diskreditonin, ta përbaltnin, ta fyenin?! Njeriun modern, më të ditur, më të thjeshtë e më bujar, atdhetarin më të drejtë, më të pastër shpirtërisht e moralisht, intelektualin më të formuar e më të gjithanshëm, poliglotin (njohësin e shumë gjuhëve botërore), patriotin e kulluar?!… Cili u përpoq e vili bëri më shumë se ai për rimëkëmbjen e kombit, për vetëdijësimin dhe emancipimin e tij? Parimi i tij ‘’besa e dhanun  para të tjerëve’’ e ndoqi me besnikëri tërë jetën; ‘’Të gjithëve mund t’u hikësh, por jo vetës; bile edhe hijes sate mund t’i hikish tue u futë në ni hije ma të madhe se tanden, por ndërgjegjes e besës s’ke kah ia mban. Ajo të mundon deri në vorr e ndoshta e paguen mbrapa vorrit!’’

Xhafer Deva ishte njeri me një mendje të kthjellët, të mprehtë dhe, sic thonë ‘’sa deti të gjanë’’. Shkoi pas gjurmëve të një sinteze kombëtare të predikuar nga rilindasit tanë të mëdhenj, si Ymer Prizreni, Avdyl, Sami e Naim Frashëri, si dhe nga luftëtarët e demokratët e shquar të këtij mjedisi: Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Isa Boletini etj. E cmonte mbi të gjitha diturinë, prandaj edhe te shkollimi e shihte ardhmërinë e bukur të popullit të tij. Asnjëherë nuk u pajtua me ideologjinë komuniste, as me përkrahësit dhe propaganduesit e saj, mirëpo asnjëherë, edhe kur pati rastin që të godiste kundërshtarët e tij, nuk u hakmorr. Në takimin e parë me të, ai të bënte për vete. Fliste pak, dëgjonte shumë. Psedopatriotët nuk kishte durim t’i dëgjonte. Asnjëherë nuk ngutej për të marrë ndonjë vendim pa e peshuar mirë punën. Tek  atëherë, kur bindej se e drejta është në anën e tij, pra në dobi të cështjes kombëtare, ai merrte vendimin për të zbatuar kategorikisht parimin e besës që i kishte dhënë vetes.

Xhafer Deva ishte shumë i afërt me njerëz, sidomos me dshatarët. Ndonjëherë lente përshtypjen e një ‘’katundari  të thjeshtë’’, njeriut tradicional popullor, që s’kishte asnjë përvojë tjetër pos arsyetimit të shtuar të kuvendit kanunor. Kur dilte për të folur para masës, nuk shqiptonte më shumë se pesë deri në dhjetë fjali. E përmbyllte fjalimin e tij, të cilit i jepte kuptim dhe dhomethënie filozofike. Kur takohej me të huajt, të linte përshtypjen e një filozofi. Me shprehjet e tij lakonike ai i bënte që të mendojnë gjatë. Të gjithë e shikonin me admirim dhe e dëgjonin me vëmendje. Duke e njohur pragmatizmin filozofik të kohës, sidomos atij perëndimor, duke njohur mirë psikologjinë e filozofinë e kombit të vet, duke i njohur rrjedhat politike ndërkombëtare, po duke pasur për bazë edhe formimin e tij intelektual e professional në fushën e tregtisë e ekonomisë, shumë nga parashikimet e tij kanë dalë realitet. Virtytet më të larta, më të zdritshme e më njerëzore që trashëgoi nga familja e tij, si dhe cilësitë e intelektuale që i fitoi gjatë shkollimit, në kuptimin filozofik të fjalës e bënë Xhafer Devën njeri komplet, të thellë, të thuash, të vecantë.

Më 1941, mbasi doli nga burgu i Mitrovicës, në një gjendje anarkie të krijuar pas kapitullimit të Jugosllavisë, ai vendosi që nga jeta profesionale e tregtare të hyjë në jetën politike me të vetmin qëllim: të parandaloj euforinë e hakmarrjes arbitrare, të krijoj rend e qetësi, mirëqenie e siguri për të gjithë, t’i bashkoj shqiptarët dhe t’i mësojë se si duhet të ecin në udhën e demokracisë, në rrugën e integrimit kombëtar. Xhafer Deva fill pasi e mori në dorë Bashkinë e Mitrovicës, iu hyri punëve në konsolidimin e administratës, ekonomisë, sigurisë se qytetarëve, sidomos në mobilizimin e vullnetarëve për mbrojtjen e popullatës shqiptare në afërsi të kufirit nga sulmet e forcave cetnike.  Nuk la vend pa shkelur për të kontaktuar me njerëz dhe për t’u njohur më për së afërmi me hallet e tyre. Xhaferin e gjejmë sa në Beograd, në Nish e në Pazarin e Ri, sa në Prishtinë e Pejë, sa në Podujevë e Prizren, Gjakovë, Junik, Dragash, Sjenicë, sa në Tiranë, në Shkodër, në Berat, në Dibër… Kreu gjitë ato punë, kaloi gjithë ato rreziqë, si gjithnjë i pamposhtur e i pakompromis.

Shkëputur nga: Mitrovica dhe Shala e Bajgorës në fokusin e historisë nga Fazli Hajrizi

Përgaditi: InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here