Sot u shpall në para-publikim një artikull i ri shkencor mbi popujt shtegtues nga Euroazia drejt pellgut panonik gjatë shekujve 3-9, duke përfshirë kryesisht hunët, avarët dhe magjarët (hungarezët). Shkencëtarët analizuan eshtrat e mbi 200 skeleteve, duke nxjerrë të dhëna mbi prejardhjen e tyre si në vijë mashkullore e femërore, edhe në autosomale.
Artikulli gjen se hunët dhe avarët kanë përputhje gjenetike dhe prejardhje të afërt. Të dy popullsitë kanë diversitet të lartë me prejardhje pjesërisht të ngjashme me europianët e pjesërisht me popujt e Azisë qendrore e veri-lindore. Rezultati mbështet hipotezat e zhvendosjes së tyre nga këto rajone drejt Europës. Kurse magjarët (hungarezët) ishin me prjeardhje nga pjesa veriore e Euroazisë, kurse lidhja e tyre me hunët e avarët është më e largët. Sipas autorëve këto popullsi u integruan shpejt me popujt vendas.
Me qenë se rezultatet vijnë nga Hungaria, gjetjet janë me rëndësi edhe për prejardhjen e popujve të Ballkanit, përfshirë shqiptarët. Shumica e haplogrupeve shqiptare, pritshëm, u gjetën në skelete të këtij studimi, më së shpeshti haplogrupi E-V13 (shek. 7-10), i cili u shfaq në 18 skelete avare të periudhave të ndryshme dhe në mbetje nga pushtuesit magjarë. Haplogrupi J2b-L283 (shek. 7-10) u shfaq po ashtu në tri skelete avare dhe hungareze, I2a-Y3120 në 8 skelete hungareze (shek 8-10), R1b-CTS9219 në një skelet hun (shek. 4-5).
Pjesa dërrmuese e rezultateve E-V13 ishin të avarëve të vonë (shek 7-8), ndër të cilët ishte mes haplogrupeve kryesore, pasi u gjet në 12 prej 43 skeleteve të tyre, ose 27.9%. Nga ana tjetër, ndër avarët e hershëm, E-V13 ishte shumë e rrallë: 1/22 ose 4.5%. Pra, me shumë mundësi E-V13 ishte ose shumë e rrallë ose mungonte ndër avarët shtegtarë të Euroazisë, dhe u bë haplogrup i rëndësishëm ndër ta vetëm pasi mbërritën në Pannoni dhe filluan të integrojnë popujt vendas. Në mbështetjë të kësaj mundësie është edhe mungesa e E-V13 mes skeleteve elitare avare.
Ndër degët e haplogrupeve që publikuan autorët, ato që janë më të afërta me degët shqiptare janë E-V13>FGC11457, ku bëjnë pjesë shumë rezultate shqiptare nga të githa trevat, E-V13>FGC33614>A10158, degë e afërt me degën e fisit Berisha dhe disa rezultateve Sop dhe Morinë, E-V13>CTS9320 me rezultate nga të gjitha trojet, po ashtu E-V13>CTS9320>BY4529, R1b-CTS9219, J2b-L283>Z1297, etj.
Lidhjet mes degëve shqiptare paleo-ballkanike dhe atyre të gjetura në këtë artikull janë kryesisht 3000-5000 vjecare, pra mund të flitet për lidhje të rëndësishme mes paraardhësve të shqiptarëve dhe popujve panonikë të këtyre periudhave të Bronzit dhe Hekurit. /Projekti Rrenjet

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here