6.1 C
Pristina
Monday, January 17, 2022
Home HISTORI/ARKEOLOGJI Tregimi për zhdukjen e Haxhiut

Tregimi për zhdukjen e Haxhiut

Syri mbretëror rri prore zgjuar, sheh, o sheh më tepër se ç’sheh syri i zakonshëm, hyn në thellësi të çdo shpirti, vë mbi të kontroll të plotë dhe, kur e sheh se është prishur, e heq ashtu siç hiqet mishi i kalbur, sepse, po ta mbash atë, prishet tërë trupi dhe shndërrohet në kufomë kundërmonjëse. Pra, shpirtin duhet ta ruajmë të shëndoshë dhe vetëm të shëndoshë!…

Dhe, siç është e vërtetë drita e diellit, është i vërtetë edhe konstatimi ynë: Haxhiu është i prishur në shpirt, kërcënon interesat e gjera dhe të ndritshme mbretërore, ka nxitur dhe nxit rebelime në përmasa të gjera, që kanë për qëllim shpërbërjen e mbretërisë. Ai, qëmoti është zhveshur nga hiret e shenjta islamore, punon e vepron në dobi të agjenturave të jashtme që kjo dritë, e cila ka ndriçuar dhe do të ndriçojë madhërishëm mbi botë, të shuhet dhe mbi të të sundojë kryqi, prandaj e shpallim shpirtprishës, shpërbërës të rrezikshëm të mbretërisë, agjent të agjenturave që veprojnë për zhdukjen e dritës islamore dhe e shpallim – të zhdukur. Vlen të theksohet se zhdukjen e Haxhisë e mirëpresin edhe fqinjët, me të cilët kemi ngritur, sidomos kohëve të fundit, ura të qëndrueshme miqësie dhe të cilat, me veprime krejt avanturiere, po i rrënon Haxhiu, për të cilën gjë na është tërhequr vërejtja nga ana e tyre…

Zhdukja nuk guxon të shkaktojë bujë ose ndonjë turbullirë të mundshme, prandaj veproni sipas udhëzimit…ImageFOTO GALERI

Për zhdukjen e Haxhiut u ngarkua bylykbashi i kasabasë. Ai e lexoi dhe e rilexoi disa herë udhëzimin e zhdukjes, përfytyroi të gjithë personat e përshtatshëm për zhdukjen e tij. Në udhëzim theksohej se zhdukësi i Haxhiut duhej të ishte arnaut, dhe vetëm arnaut. Bylykbashi edhe njëherë përfytyroi të gjithë arnautët e kasabasë dhe të rrethinës që i njihte.

“Eh, si është kjo mbretëria ime! Pse s’më urdhëron t’ia hedh trutë në erë dhe, kush guxon të lëvizë, ta shohë se kush është bylykbashi! Si u bëre kaq e butë, si lepur, o mbretëria ime?! Si kështu, si?! Do ta kisha shkuar në hu Haxhiun, do ta kisha pjekur në hell… por ti e hoqe hurin për ndëshkimin e rebelëve që nxisin vdekjen tënde!… Dhe, po të ishte në dorën time, do ta kisha përdorur hellin për këta arnautë që guxojnë të ngrisin kokë! I kisha pjekur të gjallë! Do t’i kisha mbledhë si në kohën e moçme, që për ty, mbretëri, u harruan!… Si u bëre kështu lepur, o mbretëria ime?! Dhe më ngarkove mua një detyrë të tillë! Pse më fut në këto lakra dhe nuk e ngarkon Mitalib Beun që të dredh e të zhdredh?! Domosdo e ruan!… E, po t’i dalë filli kësaj pune, ç’do të thoni?! E di se edhe koka ime është vënë në lojë. Deshe të bëheshe bylykbash, o Abas, do edhe diçka më shumë në një kohë kur në zemër të mbretërisë po ç’thuren rregullat e moçme?! Edhe Mitalib beu e ka filluar kështu, por koka e tij ruhet! Ndofta edhe kjo e imja zë karar një ditë dhe bëhet e çmuar! Ajo, hë për hë duhet t’zbatojë urdhrat, është kokë në lindje, si thuhet, dhe do të ketë kohë për t’u nderuar. E ndjej se kjo që më është ngarkuar, synon kah nderi dhe, po e kreva me sukses, rriten, rriten konsideratat!… Kjo varet nga suksesi që do të kem, mirëpo është edhe sakrificë se, po t’i dalë duçi këtij marifetllaku, unë fare i parëndësishëm për t’u vënë në lak. E di, o e di çdo të thoni më pastaj, por kjo s’do të ndodhë!” – mendonte bylykbashi i kasabasë!.

Në zyrën e bylykbashit hynin e dilnin njerëzit që ai i konsideronte të përshtatshëm për zhdukjen e Haxhiut. Ai, gjer në imtësi i kishte studiuar ata, por ende nuk kishte rënë në njeriun e dëshirueshëm. Tash, kur po punonte me zell, e shihte sa delikate dhe e vështirë ishte detyra me të cilën ishte ngarkuar. Plani mund të prishej edhe nga një gabim më i vogël. – Ku kalon dhelpra mbi akull, kalo lirisht me qerre! – iu kujtua një thënie që e kishte dëgjuar nga arnautët. – Dhelpra!… – mendoi bylykbashi. Duhet të veproj si dhelpër! Mbretëria kërkon të jesh edhe dhelpër, edhe gjarpër, edhe… Por duhet gjetur një njeri. Ai është diku, por unë nuk e gjeta ende! Nuk janë sosur njerëzit që i kanë zot florinjtë! Ata jetojnë dhe do të jetojnë në këtë botë! – Ata… – dhe këtë fjalë e tha me zë të çjerrë…….

*Proza “Tregimi për zhdukjen e Haxhiut”, qe është shkruar diku ne vitet 70′, dhe ka për temë bosht likuidimin e Haxhi Zekës, është gjetur ne arkivin e shkrimtarit Hasan Dajakut, nuk është gjetur e plotë. Në atë kohë kur është shkruar nuk ka arritur që të botohet për shkak të censurës….

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

6 sëmundjet, simptomat e të cilave ngatërrohen lehtësisht me sëmundje të tjera

Ataku i zemrës/ataku i panikut Ndonjëherë është shumë e vështirë të dallohet një goditje në zemër nga një atak...

“Pa në ëndërr Enver Hoxhën,për këtë arsye vuajti 7 vjet në Spaç”

“Në fundin e viteve ’70-të, teksa shkruante veprën e tij të famshme “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, shkrimtarit të famshëm Ismail Kadare...

Nënë Tereza e dinte pse po përdorej nga Tirana!

Ben Andoni “Në këtë intervistë për “Milosao”, një nga studiuesit më të mirë të saj, shqiptaro-britaniku Gëzim Alpion më...

A e dini se në cilin vit, u prodhua për herë të parë dinamiti?

Prodhuesi suedez i eksplozivit, Alfred Nobel, më 14 korrik të vitit 1867, demonstron për herë të parë shpikjen e tij, dinamitin.

Recent Comments