Nezir Rrahmani – Zasella, një personalitet i shquar në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar
Shkrim i prof. Dr.Sci. Mehmet Rukiqit
Nezir Zasella ishte një nga personalitetet më të shquara të luftës për çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Ishte identiteti më i spikatur i heroizmit luftarak. Në moshën 17 vjeçare, më 1902, zhveshi rrobat e bariut dhe veshi ato të trimërisë, mënjanoi shkopin e blegtorisë dhe vari në krah pushkën me dy rrathë të fishekëve, në vend të fyellit e kavallit, të mbërthyer në rripin e pantallonave, në rripin e tirqve të galum, shallit dhe shokës në brez, mbërtheu koburet tradicionale. Bukuria e rrallë fizike, armët dhe veshja kombëtare, prej plisit të bardhë , mitanit e fermenës e deri te opingat me rrathë, mahnitën shikuesit e parë . Që në ditët e para, doli pra Isa Boletinit si ushtari para komandantit. E përbashkëta e të gjithë trimave shqiptarë, e luftëtarëve dhe burrave të kuvendit, në kohën e Nezir Zasellës, ishte gatishmëria e pa zbehur dhe e paluhatshme, për luftë deri në fund, kundër çdo armiku, me synime grabitqare të trojeve etnike shqiptare.E përbashkëta e luftëtarëve dhe luftëtareve shqiptarë, sidomos prej Lidhjes së Prizrenit e këndej, ishte mbrojtja e tërësisë tokësore të Shqipërisë etnike, nga sulmet e kusaria, gënjeshtra e hajnia e pabesia e farës karpatiane sllave.
Kulla e Nezir Zasellës hyri në radhën ndërtimore të fortifikuara në Shalë të Bajgorës që I ngjason një kështjelle madhështore. Po edhe Shala e Bajgorës i përngjan (në kuptimin simbolik) kështjellave natyrore . Secili armik që Shalës së Bajgorës i bëri yrysh , e ndau kokën në dysh. Në moshë të re Neziri konfrontohet me forca osmane . I plagos dy ushtarë turq. Gjen strehim në familjen Boletini . Në vitin 1902 deri në gusht të vitit 1912, mori pjesë aktive në luftërat e drejtuara nga Isa Boletini, Idriz Seferi e Bajram Curri.
Luftoi për çlirimin e Novi Pazarit (Pazari i Ri), Mitrovicës, Llapit e Vushtrrisë, Prishtinës, Ferizajit e Shkupit. Luftoi edhe në Merdar, Albanik e te Qafa e Ibrit. Me indinjatë të thellë, I priste lajmet që vinin nga konferenca e Londrës, më 1913, ku copëtoheshin trojet shqiptare. Më 1913-1914, merr pjesë në formimin e çetave kaçake. Mbajti lidhje bashkëluftimi, këshillimi të luftës strategjike me personalitetet më të shquara të kohës, luftë për mbrojtjen e atdheut, si: Arif Lisica, Azem Galica, Bajram Zhazha, Bejtullah Shupkovci, Dibran Shosholli, Hoxhë Kadria, Isa Boletini, Jetullah Jetullahu, Lah Rashani, Mehmet Konjuhi, Mehmet Hasani, Osman Melenica,Osman Zhazha, Qerim Boletini, Rifat Banjska, Riza Qabra, Shaban Buliqi, Shaqir Uka, Tafil Boletini, vëllezërit Bajqinovci, Xhemë Tërnavci, Ymer Kutllovci etj.
Në vitin 1916, Nezir Zasella, tradhtisht u burgos në burgun e Mitrovicës.Më 1 MAJ 1918, formohet Komiteti “Mbrojtja kombëtare e Kosovës”.
Nëpërmjet dashamirëve, arriti të njoftohet me Hoxhë Kadri Prishtinën , Luigj Gurakuqin e Bajram Currin.Bashkohet me çetat e Azem Galicës dhe të Sadik Ramës. Besim të madh kishte edhe Në Riza Cabrën dhe familjen Shyti nga Oshlani komuna e Vushtrrisë . Ishte shok i ngushtë me Xhemë Tërnavcin. Neziri ka qenë prijës për rajonin e Shalës , Xhemë Tërnavci në kuadër të çetës së Azem Galicës, për rajonin e Drenicës. Neziri mbante lidhje edhe me shokët më të ngushtë të Azem Galicës, sidomos prej vitit 1918, kur Azemi ishte komandant i përgjithshëm i Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Kontaktet e tij me Fazli Baranin, komisar i çetës së Azemit, Emin Latin , Shaban Manxhollin, Mursel Ahmetin, ishin të shpeshta.
Nezir Zasella shquhej me virtytet më të larta të personalitetit që ia dhuroi tradita shekullore e popullit të vet: besën e burrërinë, çiltërsinë e dinamikën e personalitetit, dinjitetin e drejtësinë, durimin e entuziazmin,mendjemprehtësinë e mikpritjen, modestinë e nderin, vetëdijen e lartë, trimërinë e vullnetin e pathyeshëm. Për këtë kolos të spikatur të luftërave heroike, të mbrojtjes së atdheut , është shkruar fare pak. Rrezikohet nga pluhuri i harresës . Nezir Zasella, sa ishte në Shqipëri, së bashku me Tafil Boletinin, Xhemë Tërnavcin, Familjen Shyti e Bajqinovci e Halit Selacin kanë pajtuar shumë familje, por megjithatë dallohej Nëziri.
Personaliteti i Nezir Zasellës sa vjen e zbulohet , si personaliteti më i formuar dhe më i lartë, më i kompletuar dhe më dinjitoz.
Shkëputur nga libri: ZASELLA – VATËR E BUJARISË, TRINËRISË DHE DIJES NGA HYSNI SYLA /InforCulture.info