Dr.Sc. Pajazit Hajzeri

Abstrakt:

      Nga rezultatet e terrenit, në çdo fshat (është fjala për fshatrat e rrethinës së, Mitrovicë), ku shkon është pothuajse e pamundur mos të takosh toponime dhe mikrotoponime që lidhen me besimin e kultit katolik në një të kaluar historike”. Ndër toponimet dhe mikrotoponimet më të shpeshta që hasim janë: “Muret e Kishës”, “Kroni i Kishës”, “Birat e Kishës”, te “Kisha e vjetër”, etj. janë vetëm disa nga emrat e vendeve, të cilat sjellin një pasqyrë të ekzistencës së kishave në gjithë rajonin e Mitrovicës dhe më gjerë.

Si rezultat i kësaj ne njoftohemi për të kaluaren katolike të paraardhësve të këtyre trevave, një ndër to është edhe fshati që do flasim dhe fshatrat përreth.

Kisha si aset i Trashëgimisë kulturore ka një rëndësi të madhe në këtë regjion po ashtu e  pasqyron artin e ndërtimit, besimin e kahmotshëm dhe fanatizmin për ta ruajtur të patjetërsuar dedikimin e ndërtimit, edhe pse pelegrinët e saj tashmë kishin ndrruar kahje në besimin e tyre nga të krishter në islam.

Fjalët kyqe: Toponim 1, kishë 2, art 3, arkitekturë 4.

                        Vendbanimi, shtrirja dhe pozita

Fshati Vinarc shtrihet rreth 6 – 7 km. në perëndim të Mitrovicës dhe ndahet në Vinarcin e Epërm dhe në Vinarcin e Poshtëm. Kisha për të cilën ne do të fokusohemi, gjendet në Vinarcin e Epërm.

            Vendbanimi i takon tipit të shpërndarë. Vinarci është një prej vendbanimeve më të vjetra të kësaj treve. Kjo dëshmohet me gjurmët e shumëta në mbarë lokalitetin e këtyre dy vendbanimeve.

            Në këtë vendbanim janë gjetur disa objekte – gjetje arkeologjike që dëshmojnë vjetërsinë e tij. Në bazë të gjetjeve spontane të eksponateve të ndryshme arkeologjike të shtynë të mendosh se vendbanimi ishte i banuar nga koha antike (mirëpo, nuk kemi gërmime arkeologjike të mirëfillta që janë kryer në këtë lokalitet), por vetëm duke u bazuar në gjetjet e rastit dhe në bazë të legjendave të përcjella brez pas brezi.

            Nëpër fshatin Vinarc, dikur kalonte rruga kryesore që shkonte nga Mitrovica për Pazarin e Ri, lumi Ibër kalon përgjatë gjithë fshatin nga ana jugore, ku i ofronte ketij fshati dhe fshatrave nga të dy krahet si Qabra dhe Gushavci toka shumë pjellore nga ana verore kishin edhe vise gjysmë të larta malore.

            Afërsia me Ibrin, tokat pjellore, rruga kryesore, kullotat malore e bënë këtë fshat të përshtatshëm dhe ndoshta si qendër kishtare në periferi të Trepçës dhe Zveçanit, e them këtë pasi që kisha në fshatin Vinarc daton shumë kohë para themelimit të qytetit të Mitrovicë.

            Në fshatin Vinarc afër rrugës Mitrovicë – Kollashin, tek vendi i quajtur “te Ledinat” janë gjetur copa qeramike, enë të ndryshme, copa tjegullash të vjetra, gurë varresh dhe kocka njerëzish, etj. Në pjesë të tjera të fshatit janë gjetur edhe themele të vjetra që japin dëshmi të një vendbanimi të vjetër[1].

Kisha në Vinarcin e Epërm

            Objekti më i vjetër në fshatin Vinarc i Epërm, është kisha katolike në majë të një bregoreje të fshatit. Kjo kishë është e ndërtuar nga materiali ndërtimor: gurë dhe materiali lidhës gëlqerorë. Sipas gojdhënave të popullatës, kishën e kanë ndërtuar “rimët”, “rimlanët” (romakët) në antikitetin e vonë. Ndërsa sipas stilit të ndërtimit kisha i takon shek. XIII – XIV.

            Kisha e Vinarcit të Epërm, është me një anëjat, e cila përfundon me një absidenë rrethore.[2] Popullsia këtë monument të kultit të krishterë e ka ruajtur edhe pse e gjitha është e besimit islam. Popullata e fshatit Vinarc nuk i lejoj serbet të bënin ndërhyrje dha ta përshtatnin, duke i dalur në mbrojtje kësaj kishe, pasi që kishte tentime disa herë për ta tjetërsuar sidomos gjatë viteve të 90-ta, kur Kosova ishte e pushtaur dhe nën masa të rrepta policore dhe ushtarake serbe.

            Kisha si monument kulture, është e lënë pasdore dhe në mëshirë të natyrës pa përkujdesje institucionale, përveç të tjerash asnjëherë nuk janë bërë gërmime arkeologjike për të përcaktuar lashtësinë e saj. Kisha ka një sipërfaqe rreth e përqark, me një oborr ku mendohet se një pjesë e tij është e mbushur me varre të vjetra.

            Kisha e Vinarcit, është e ndërtuar në një bregore në rrjedhën e majtë të lumit Ibër, në largësi rreth një kilometër nga lumi dhe me një pozitë shumë të favorshme mbi fshat. Kisha është e përbërë nga një ndërtesë, e cila nuk përciellet me asnjë ndërtim tjetër, hyrjen e ka nga perëndimi, ndërsa nga lindja përbëhet nga një absidë.

            Kisha ka një hapësirë prej 5.30 m. ana jugore, ndërsa ana veriore 5.40 x 4.90. Ajo relativisht është e vogël dhe ka një sipërfaqe prej rreth 25 m2.[3] Është e ndërtuar nga materiali ndërtimor gurë dhe material lidhës gëlqeror. Në raste më të rralla, janë përdorur edhe tullat. Në pjesën e brendshme të kishës, dyshemeja është tërësisht e rrafshët, ndërsa tavani është në formë harkore (qemer) të zgjatur nga hyrja deri në pjesën fundore, në pjesën fundore apsida del jashtë murit në formë gjysmë rrethore. Si brenda ashtu edhe jashtë, është e suvatuar me llaç gëlqereje dhe e gëlqerosur me gëlqere të bardhë. Nuk mund të vërehet asnjë afreskë murale në murin e brendshëm, përveç një papastërtie krijuar nga tymi i zjarrit të ndezur nga njerëz të ndryshëm për arsyet të paqëllimta për ta dëmtuar, por për ngrohje gjatë ditëve të ftohta, duke e kullotur bagëtinë rreth kishës.

Kisha, përveç derës në formë harkore, në muret anësore, përkatësisht në murin jugor, ka një dritare të siguruar me grila të hekurta me dimensione 0.83 x 0. 50 m. dhe një dritare në formë frengjie e njëjtë me frengjitë e kullave me dimensione nga brenda 0.53 x 0.38 m, ndërsa nga jashtë me dimensione 0.38 x 0.10 m. Po ashtu në pjesën fundore të kishës, pikërisht në hapësirën e absidës gjendet një dritare në formë frengjie me dimensione nga brenda 0.35 x 0. 53 m. dhe nga jashtë 0.10 x 0.53 m., ndërsa ana veriore dhe ana perëndimore nuk kanë hapësira në formë dritareje.

            Brenda kishës në anën lindore, në anën e djathtë të anjadës, kemi një dollap në formë katrore me dimendione 0.53 x 0.72 m, ndërsa në anën veriore kemi një dollap në formë harkore         

me dimensione 0.40 x 0.45 m. Dera ka dimensione 1 x 2.70 m. ndërsa trashësia e murit është rreth 0.60 m.

            Kulmi i kishës është i ndërtuar nga gurët dhe ka dy ujëra, me shtresën më të lartë të mbuluar me llaç cimentoje. Në pjesën fundore të kulmit, pikërisht mbi anjadë, ka pasur një kryq, i cili është i dëmtuar, ndërsa mbi derë në hyrje gjithashtu, ka pasur një kryq në mur, i cili ishte dëmtuar shumë.

            Kisha e Vinarcit, për nga hapësira nuk lejonte të mbante numër të madh besimtarësh, mirëpo u shërbente banorëve të kësaj ane për t’i kryet shërbesat fetare, derisa popullsia ishte e ritit krishter. Aty pranë kishës para disa dekadash, dalloheshin qartazi disa varre të vjetra, por që tani janë rrafshuar dhe nuk dihen as ku kanë qenë.[4] Fillimisht, kisha u shërbente banorëve të fshatit Vinarc dhe fshatrave përreth, për t’i kryer ceremonitë fetare dhe për të pagëzuar fëmijët, ngase fshati ndodhej disa kilometra larg qendrave urbane.

Është interesant fakti se banorët e fshati Vinarc as sot nuk kanë objekt kulti (Xhami) për shërbesat e veta, mirëpo këtë kishë e kanë ruajtur dhe nuk e kanë shndërruar në objekt kulti islam, siç kemi raste të shumëta të konvertimit të objekteve të kultit nga kisha në xhami ose anasjelltas[5].

Praktika e konvertimit të monumenteve të kultit në Kosovë, është një praktikë e hidhur me të cilën dëmi më i madh u është bërë objekteve të kultit të krishterë duke i kthyer në objekte të kultit ortodoks sllav nga strukturat pushtuese serbe në Kosovë deri në vitin 1999.

Gjatë gërmimeve të bëra përreth kishës së Vinarcit për largimin e lagështisë dhe evitimin e shkatërrimit të kishës, puntorët kanë hasur në varre pranë mureve të kishës, Kjo gjë dëshmon se oborri i kishës ishte i mbushur me varreza, që sot është vështirë të identifikohen pa gërmime arkeologjike.

Konkluzion

Monumentet e trashëgimisë kulturore që i përkasin kultit do duhet të kenë një trajtim dhe një kujdesë shumë më të madhe nga institucionet përkatëse shtetërore pasi që pasqyrojnë një kulturë sa shpirtërore aq edhe kombëtare mbi historinë e rrugtimit të popullit tonë nëpër duar të pushtuesve të ndryshëm dhe presionin e vazhdueshëm dhe shumë të madhe për të kaluar nga një besim fetar në tjetrin. Prandaj, edhe pse popullata kishte kalur në besimin e ri që tashmë e ka, ate islam, me shumë fanatizëm e ruajti këtë objekt fetar që i përkiste një besimi të shkuar por asnjeher të harruar.


[1] Jusuf Osmani, “Vendbanimet e Kosovës, Mitrovica, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku”, Prishtinë, 2003, pp. 124, 125.

[2] F. Dranҫolli, N. Halimi, V. Aliu, A. Zeneli, “Trashëgimia e evidentuar e Kosovës, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit”, Prishtinë, 2003, p. 189.

[3] Isa Behrami, “Lugina e Ibrit të Epërm”, Mitrovicë, 2012, p. 178.

[4] I. Behrami, op. cit. p. 178.

[5]Enis Kelmendi, Pajazit Hajzeri, The Religious Coexistence of Albanians – a Good Experience for the European Union, International Conference, Balkan and Baltic States in United Europe – History, Religion  and Culture II, Balkan Ethnology Department, Institut of Ethnology and Folklor Studies with Ethnographic Museum, Bulgarien Academy of, Sciences, Sofia, Bulgari, 2014, p. 47.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here