Vinland ose “toka e verës” nuk gjendet në asnjë prej hartave të sotme. Mirëpo, rreth 1000 vjet më parë, ajo ishte teatri i një momenti historik në historinë botërore. Sagat e Islandës e përmendin si vendin ku, 500 vjet përpara se anijet e Kolombit të arrinin atje, vikingët ishin evropianët e parë që shkelën në të ashtuquajturën Botë e Re. Sagat tregojnë se toka ishe e pasur me hardhi rrushi për të prodhuar verë dhe burime të mjaftueshme. Madje, vikingët ndërtuan edhe vendbanime, të cilat për fat të keq nuk ishin jetëgjata.

Deri nga fundi i viteve 980, këta detar verior kishin krijuar koloni në Islandë dhe Grenlandë, të cilat shërbyen si “shkallë” të Atlantikut që i afruan ata me bregun lindor të Kanadasë. Ata ndërtuan shtëpi në Vinland, mblodhën burime, tregtuan, dhe padyshim zhvilluan konflikte me banorët vendas. Më pas, po aq shpejt sa erdhën, ata edhe e braktisën Vinlandin.

Vinlandi i vërtetë

Me shekuj shkencëtarët e kanë trajtuar Vinlandin me mbretëritë e tjera mitike si Atlantida ose Avaloni. Mirëpo, arkeologët kanë vazhduar të kërkojnë dëshmi dhe gjurmë. Në vitin 1960, këto kërkime u shpaguan, kur arkeologia norvegjeze Anne Stine Ingstad dhe bashkëshorti i saj eksploruesi Helge Ingstad i zbuluan një sërë mbetjesh të një vendbanimi nordik në L’Anse aux Meadows në provincat kanadeze të Newfoundland (Njufoundlandit) dhe Labradorit.

Pamje ajrore e L’Anse aux Meadows, Newfoundland, Kanada

Sot e kësaj dite, ky mbetet vendbanimi i vetëm viking i verifikuar në kontinentin amerikan. Ai përbëhet nga tetë ndërtesa me korniza të drurit dhe mure të trasha nga dheu, një stil i zakonshëm i ndërtimit në Grenlandë dhe Islandë. Sipas zbulimeve, duket se vikingët kanë qëndruar në L’Anse aux Meadows më pak se një dekadë, për t’u kthyer më pas në Grenlandë.

Për një popull aq të qëndrueshëm, i cili ishte në gjendje që të mbijetonte klimën e ashpër veriore, duket mjaft e çuditshme që ata nuk arritën të vendosnin rrënjë në një vend relativisht me klimë relativisht shumë më mikpritëse por edhe burimet e rrushit dhe drunjve.

Pse nuk mbijetuan vendbanimet vikingëve në Vinland?

Ekzistojnë disa teori përse këto vendbanime nuk ishin te suksesshme. Sipas ekspertëve kryesor për vikingët dhe shoqërinë e tyre këtu behët fjalë për kombinimin e disa arsyeve.

Numri i vogël i popullsisë

Pikë së pari, sipas ekspertëve, asokohe Grenlanda i kishte rreth 500 banorë, numër ky tejet i vogël për të dërguar numër të madh të njerëzve drejt perëndimit për të populluar Amerikën Veriore. Në anën tjetër, në Grenlandë ata kishin tokë dhe burime me bollëk në dispozicionin e tyre, por nuk kishin mjaftueshëm njerëz për t’i eksploatuar ato, andaj ata nuk kishin nevojë për eksploatimin e zonave të tjera.

Distanca

Faktori i dytë po aq i rëndësishëm është distanca prej 2500 km në mes të Grenlandës dhe zonës së Newfoundland ku gjendej rrushi dhe drunjtë e mirë në Botën e Re. Kjo distancë është nëse anija lundron në vijë të drejtë gjë që është e pamundur në raste të tilla. Kjo do të thotë, që Bota e re ishte më larg se sa Norvegjia. Për më tepër, Vinlandi ishte i pasur me rrush dhe drunj por i mungonin artikujt e tjerë thelbësor si: metalet e çmuara, erëzat, tekstilet, armët, dhe parzmoret – si dhe lidhjet familjare, politike, fetare dhe personale.

Vendbanimi në Botën e Re një bazë eksplorimi

Në bazë të studimeve arkeologjike që janë zhvilluar gjatë dekadave të fundit vendbanimi në  L’anse aux Meadows është përdorur për më pak se një dekadë diku në mes të viteve 990 dhe 1050. Sipas ekspertëve është e qartë që ky lokacion nuk ishte tentim për kolonizim, por një bazë stinore për eksplorim. Mungesa e stallave dhe strukturave të tjera për blegtori dhe bujqësi është domethënëse. Po ashtu, eshtrat e ushqimeve të përdorura u takojnë të gjitha fokave, balenave ose ndonjë peshku të madh. Duke e pasur parasysh rëndësinë e produkteve të qumështit për vikingët, ka gjasa që ata i kanë pasur me vete disa krerë bagëti, por nuk është gjetur asnjë dëshmi për ekzistencën e tyre atje.

Ndryshimet klimatike

Një tjetër shpjegim për largimin e vikingëve nga Bota e Re lidhet me ndryshimet klimatike. Përkrahësit e kësaj teorie argumentojnë se lundrimet e para vikingë drejt Vinlandit ndodhën rreth shekullit të 11-të, një periudhë klimatike në Oqeanin Atlantik që njihet si Ngrohja e Mesjetës. Kjo periudhë u karakterizua me verëra të gjata dhe pakësim të akullnajave në oqean. Mirëpo, në fillim të shekullit të 20-të, moti u përkeqësua dhe filloi ajo që shkenca e njeh si Epoka e Vogël Akullnajave, e cila solli dimra tejet të gjatë dhe të ashpër. Pothuajse të padurueshëm edhe për vikingët. Rrjedhimisht lundrimet drejt Botës së Re ishin pothuajse të pamundura. Kjo teori mbështetet edhe në faktin që gjatë kësaj periudhe edhe Islanda u përball me mungesë të ushqimeve dhe sëmundje si pasojë e të cilave popullsia e Islandës u reduktua nga 150.000 në vetëm 53.000 banorë në vitin 1250. /magazineforyou.com/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here