Ngjan si legjendë, por është ndodhi e diktaturës. Pasi merr me vonesë lejen, Afërdita 4 vjeçe mbërrin në spital në gjendje të rëndë dhe pas pak ditësh, ndërron jetë. Nëna e saj përshkon e vetme, me të bijën pa jetë në krahë, rrugën nga spitali në fshatin e internimit. Musa Çapanisjell për kujto.al historinë rrëqethëse që ia ka përcjellë Engjëll Cani, kushëriri i Afërditës

Të internuarve u duhej leje për të gjitha, edhe për të jetuar. Nuk mund të shkonin as te doktori në qytet, pa e konfirmuar dega e Punëve të Brendshme dhe nëse rrezikonin jetën teksa prisnin, nuk do të thoshte që burokratët komunistë do të lëviznin duart më shpejt. Ata ishin armiqtë e popullit ose të afërmit e armiqve dhe, sipas ideologjisë së kohës, meritonin vetëm mundim e ndëshkim, edhe nëse ishin fëmijë. Kjo ndodhi dhe me Afërditën, vajzën 4 vjeçe të Emin Canes, i cili ishte arratisur nga Shqipëria, bashkë me të vëllanë, Lutfiun. Familjet e dy vëllezërve u internuan nga Bilishti në Gjazë të Lushnjes, ku mungesa e ujit, solli përhapjen e epidemive. Afërdita u prek nga dizenteria. Në kamp, nuk kishte qendër shëndetësore. Për të marrë ndihmë mjekësore, duhej shkuar në Lushnje, por të internuarit nuk mund të shkonin askund pa leje nga dega e Ministrisë së Brendshme. Kur erdhi leja, e vogla digjej nga temperatura. Mirëpo, në sektorin bujqësor “29 Nëntori” të Lushnjes, nuk mungonte vetëm uji dhe mjeku, por edhe zemra e drejtuesve të atij sektori ose, nëse ekzistonte, ishte e mbushur me frikë. Për vogëlushen e sëmurë, nuk siguruan as një lloj mjeti, qoftë edhe një karrocë, ndaj nënë Timja u nis me të voglën në krahë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here