Aurenc Bebja (Francë), 16 Mars 2016 –

Në periudhën time universitare në Francë, një koleg student, nga që e dinte se jam shqiptar, më tha që dispononte një revistë të vjetër franceze, e botuar para viteve 90, në të cilën flitej për Shqipërinë. Menjëherë u bëra kurioz dhe i thashë se jam i interesuar të lexoj se çfarë i tregohej asokohe lexuesit frankofon për Shqipërinë, e cila gjendej plotësisht e izoluar ndaj botës së jashtme.

Revista prestigjoze franceze « GEO Magazine », në numrin e saj të 118-të, të muajit dhjetor 1988, në kopertinën e saj shkruan : « Shqipëria, shteti më i çuditshëm i Evropës – Albanie, le plus étrange pays d’Europe ». Reporteri Eduar Bajbi (Edouard Bailby) dhe fotografi Mishel Setbun (Michel Setboun) kanë patur mundësinë të vizitojnë Shqipërinë nga veriu në jug.

Artikulli trajton tema të ndryshme të realitetit shqiptar, si kontrollet në kufi, demagogjia dhe parrullat politike enveriste, bunkerët, feja, ritmi i një jetë të qetë si refuzim ndaj agjitacioneve të kohëve moderne, pamundësia e të huajve për të dialoguar me shoqërinë civile shqiptare, përdorimi i gjuhëve të huaja, uniformizimi i shoqërisë, mënyrat e transportit, Ilirët, Skënderbeu, etj.

Në vazhdim, rrëfimi i reporterit Bajbi në 1988, i cili e fillon shkrimin me titullin « Immobile Albanie – Shqipëria e palëvizshme (e shtangur) » :

Papritur, pas një kthese, autobuzi ndalet pranë një ndërtese ku valvitet flamuri jugosllav. Na duhet të zbresim valixhet tona dhe t’i hapim të shtrira përtokë. Dy doganierët na shikonin me vëmendje. Që prej tensionit mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë i rritur për arsye të provincës së Kosovës, turistët e rrallë që kalojnë kufirin shikohen me mosbesim. Zyrtarët jugosllavë paralajmërojnë grupin tonë : « Kur të ktheheni, në qoftë se kaloni këtu, ne do të ju konfiskojmë çdo shkrim të botuar në Shqipëri ». Bëhej fjalë edhe për broshurat turistike dhe librat e artit.

Nuk është e thjeshtë të arrish në malësinë e Republikës popullore socialiste të Shqipërisë, e ndodhur mes Jugosllavisë dhe Greqisë. Vendet në avion janë pothuajse të rezervuara për diplomatët, biznesmenët, dhe të ftuarëve të qeverisë së Tiranës. Një linjë e vetme ajrore siguron fluturime nga Evropa perëndimore, dy herë në javë, mes Zyrikut dhe kryeqytetit shqiptar. Përsa i përket hekurudhës së vetme që lidh Shqipërinë me botën e jashtme, të inaguruar në 1986, as që bëhej fjalë t’a përdorje : ajo shërben për transportin e mineraleve dhe mallrave. Mundësia e vetme për të udhëtuar ngelet rruga. Dy poste kufijsh, në jug, për grekët ; dy të tjera, në veri dhe lindje, për evropianët e tjerë.

Pasi kaluam kontrollin doganor jugosllav, grupi ynë, i formuar prej 12 turistësh, drejtohet për në postin kufitar shqiptar, Hani i Hotit. Secili duhet të marrë valixhet e veta dhe të ecë 100 metra në këmbë, një sipërfaqe e cila nuk i përket askujt – no man’s land. Ushtarë me pushkë – mitraloz, ngrejnë barrierën. Na fusin në një ndërtesë të vogël. Gjatë kohës që guida jonë franceze jep dokumentat e vizës kollektive, neve na kërkojnë të hapim valixhet tona. Para se të nisesha nga Franca, pata marrë një dokument të agjensisë së udhëtimëve ku shkruhej : « Materialet e shtypura jashtë Shqipërisë nuk janë të autorizuara të hyjnë në vend. Veçanërisht, prospektet (traktet) mbi Jugosllavinë dhe revistat pornografike ». Një pensionist nga Metz-i (qytet në veri-lindje të Francës) i konfiskojnë një gazetë të përjavshme sportive. Një tjetër turist detyrohet të dorëzojë disa revista mode.
Udhëtari inkurajohet të relaksohet

« Ne do të ju kthejmë të gjitha këto pas kthimit tuaj », shpjegon doganieri që na bën shenjë të kalojmë dhe të presim në një sallon. Pas një vitrine, disa vepra të Enver Hoxhës – drejtuesi i madh shqiptar vdekur në 1985 pas 40 vitesh pushteti absolut – dhe disa paketa cigaresh. Një gjysëm ore më vonë, ne hyjmë në një autobuz me ajër të kondicionuar d’Alb-turist, agjensisë zyrtare të turizmit. Fjalët e para të guidës (shoqëruesit) tonë, në frengjisht : « Mirësevini në vendin tonë. Mbi të gjitha, relaksohuni… ». Disa herë, gjatë ditëve të para, ai përsëriti : « Ju lutem, relaksohuni. »

Pothuajse para 20 vitesh, reporter për një gazetë të përjavshme franceze e botuar në masë, kisha arritur, pas disa negociatash të rëndësishme, të merrja një vizë individuale. Asokohe, pothuajse vetëm 12 gazetarë perëndimorë kishin arritur të hynin në Republikën popullore socialiste të Shqipërisë, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Dhe turistët e rrallë ishin për pjesën më të madhe militantë partishë politike. Kohët kanë ndryshuar : në qoftë se kuotat e turistëve fancezë (pothuajse 600 në vitin 1988) janë shumë pak në rritje, shoqata e Miqësisë franko-shqiptare nuk e mban më monopolin e udhëtimëve në regjimin më enigmatik socialist të Evropës.

« Shteti i shqiponjave » : ky është emri, në shqip, i këtij vendi pothuajse prej 29 000 km², ku dy të tretat janë zona malore, dhe një e treta fushë bregdetare. Gjatë rrugës buzë liqenit të Shkodrës (45 km i gjatë dhe 10 km i gjërë) është rrëmujë në hyrje dhe në dalje të fshatrave. Nuk ka automjete individuale (të ndaluara nga që përfaqësojnë « egoizmin borgjez »), por karroca të tërhequra nga demat, tufa me dele, lopë duke u shëtitur, fshatarë duke ecur apo punëtorë me biçikleta, dhe ndonjëherë disa autovetura. As traktorë nuk ka, por disa kamionë dhe Jeep-a që u përkasin organizmave zyrtarë. Këto automjete zigzagojnë përmes kafshëve dhe këmbësorëve që ecin në mes të rrugës ose anash saj.
Në fusha, gratë kosisin, presin, punojnë me bel, prashisin fermat e mëdha shtetërore sikur të punonin në një shumëllojshmëri kopshtesh (pronash) individuale.

Të krijohet ndjenja e kthimit 50 viteve mbrapa, kur plugimet dhe korrjet bëheshin me dorë. « Më kujton fëmijërinë time » – shprehet një burrë i moshuar nga Burgonja (Bourgogne) i ulur afër meje. Në sytë e tij dallohej një nostalgji e papërcaktueshme…Gjatë rrugës, në hyrje të uzinave, në fasadat e ndërtesave, disa prej tyre të rrënuara, kishte parrulla : « Lavdi RPSSH (glorifikim për Republikën socialiste shqiptare) » ; « Përjetë me Enverin ». Ndonjëherë, një shkrim urdhëron qytetarët : « Merr librin, kazmën dhe pushkën tënde. » Shqipëria i përket një bote, e cila nuk është më ajo e evropianëve të fund-shekullit XX. I përket të shkuarës apo të ardhmes ? « Japonezët nuk kanë përse të vijnë tek ne. » – thotë shoqëruesi ynë. « Ata vendosin teknologjinë mbi njeriun. » Ky mendimi ka lidhje me nacionalizmin të futur në mendje nga Enver Hoxha dhe vullneti i rezistencës ndaj përparim-zhvillimit të përjetuar nga e gjithë shoqëria perëndimore…

Të ndërtuara me mijëra, bunkerët individualë i gjen në të gjithë territorin shqiptar. I shohim buzë rrugëve, përrreth uzinave, në fushat e duhanit, grurit dhe misrit, në vreshta, në plazhe, në male, ku më i larti është Korabi (2 764 m). Ndonjëherë, bunkerët janë të rreshtuar njëri pranë tjetrit, ose të shpërndarë nëpër fshatra pas asnjë lloj logjike. Rojet që ndodhen brenda, a janë në gjendje t’u rezistojnë trupave ajrore ? Këta bunkerë betoni, në formë të rrumbullakët, janë diçka e pazakontë dhe mbresëlënës. Mos vallë janë rrënojat e një të kaluare të afërt ? Pashë në oborrin e një uzine disa bunkerë të rinj gati për t’u dërguar porositësve të tyre. Që prej ndërhyrjes së trupave sovietike në Ceko-Sllovaki, para 20 vitesh, shqiptarët qëndrojnë në gatishmëri lufte. Ata nuk kanë harruar. Ata e dinë, se në çdo moment, duke mos pasur asnjë lloj mundësie aleance, as me Jugosllavët, as me Sovietikët, as me kinezët e largët, mund të jenë viktimë e një konflikti në Europë. Ata i njohin fare thjeshtë virtytet e guximit. Në shkollë, vazhdojnë të mësojnë që vendin e çliruan vetëm në fundin e Luftës së Dytë Botërore…

Shkodra, qyteti më në veri të Shqipërisë, është vendi i parë që vizitojnë turistët perëndimorë. Eshtë një zonë e banuar me shumicë katolike, që mund të përbëjë 15 % të popullsisë totale. Mos pyesni ku ndodhet katedralja, një nga më të mëdhajat në Ballkan. Do ju përgjigjen : Ju pyesni për pallatin e sportit ? Ai është i hapur për vizitorët – publikun. Një parrullë vë në dukje virtytet e marksizëm-leninizmit. E pajisur me karrige – shkallë stadiumi, aty ftohen të luajnë ekipet e basketbollit dhe volejbollit. Vendi i peshkopit pret të ftuar prestigjozë, dhe sakristi (aneksi i katedrales) është transformuar në tualet.
Ekspozita ateiste irritonte vizitorët e huaj

Gjatë udhëtimit tim të parë në Shqipëri (1971), pata vizituar në Shkodër një « ekspozitë ateiste ». Pata parë një koleksion imazhesh fetare, krahun e një shenjtorje, dhe disa fotografi priftërinjsh të akuzuar për tradhëti dhe të dënuar me vdekje si arsye bashkëpunimi me pushtuesin nazist. U bë disa vite, që kjo ekspozitë është në ri-amenaxhim. « Në fakt, më treguan disa zyrtarë, ajo irritonte vizitorët e huaj ».

Kur qeveria e Enver Hoxhës mori iniciativën të zhdukë kultin e Zotit në 1967, ajo mbylli 156 kisha katolike, 608 kisha ortodokse dhe 740 xhami. Pati disa rezistentë më këmbëngulës nga ana e katolikëve dhe myslimanëve. Për disa muaj, vendet e kultit (fesë) u transformuan në salla teatri, kafene, shtëpi kulture, ose u braktisën. Deri më sot, çdo praktikë fetare është e ndëshkuar me dënim me burg. Biblën nuk e gjen askund, përveç se në Bibliotekën kombëtare.

Megjithatë, autoritetet vazhdojnë restaurimin e monumenteve më prestigjoze : në Berat, qytet historik, disa punëtorë rinovojnë kishën ortodokse të Fjetjes së Hyjlindëses, e ndodhur brenda kështjellës. Ikonat e piktorit Onufri, ku ngjyra e kuqe e tyre është legjendare, ekspozohen aty. Në hyrje, disa rreshta të Enver Hoxhës kujtojnë që « këta vepra i përkasin trashëgimisë kombëtare shqiptare », pavarësisht arsyeve të frymëzimit të tyre…Në Korçë, në juglindje të vendit, ku liceu francez kishte dikur mësues Enver Hoxhën, 6 000 ikona destinuar artit mesjetar janë duke u restauruar.
Xhamia e pushtuar nga dy dyqane

Shqipëria mundohet të rikonstituojë të shkuarën e saj. Katolikë, myslimanë, ortodoksë dhe hebrenj kanë bashkëjetuar, mirë dhe keq, gjatë kohërave të ndryshme. Më shumë se pesë shekuj pushtim turk i kanë siguruar fesë islame një vend të rëndësishëm. Sa ishin që lexonin Kuranin çdo ditë para regjimit aktual ? Mes 50 e 70 % e popullsisë. Xhamia kryesore e Tiranës, në sheshin qëndror, është e mbyllur ; ajo e Beratit, pranë hotelit të madh, është pushtuar nga dy dyqane.

Përgjegjësit (drejtuesit) shqiptarë janë shumë të mbyllur për praktikat e tyre fetare familjare. Sidoqoftë, moda e sotme është t’u vësh fëmijëve emra ilirë, edhe në familjet tradicionale myslimane. Për cilën arsye ? Para ardhjes së grekëve, në shekullin e VII para erës sonë, Iliria ishte një perandori e madhe ku kufijtë e saj shtriheshin deri në brigjet e Danubit. Shqipëria, në kufijtë e sotëm të saj, ishte zemra e kësaj perandorie. Flitej që atëherë një gjuhë indo-evropiane. Tre shekuj më vonë, kur romakët filluan të zgjeronin territoret e tyre, duke krijuar rrugën kryesore të komunikimit mes Romës dhe Bizantit, via Egnatia, tre perandorë me origjinë iliriane – Aurel-i, Diokleciani, dhe Konstandini – drejtuan vendin që shtrihej atëherë deri në mesdheun lindor.

Sot, në gjuhën shqipe, kanë mbetur vetëm 8 % e fjalëve me origjinë latine, por shqiptarët konfirmojnë që kjo periudhë e historisë u ka trashëguar atyre me shumë elementë se pushtimi osman. Zyrtarët shqiptarë, gjatë bisedave me vizitorët, nuk reshtin të përsërisin këtë fakt, ndoshta për të dëshmuar vullnetin e tyre për t’u integruar në Evropë. Në të gjithë Shqipërinë, janë rrënojat (gërmadhat) greko – iliriane që turistët ftohen të vizitojnë. Më të shquarat, janë ato të Butrintit, të cilat gjenden disa kilometra afër kufirit grek. Qyteza, e ndërtuar gjatë shekullit të VI-të para erës sonë, ngrihet buzë një lagune. Eshtë për tu admiruar tempulli i Asklepit, teatri, dhe fortesa turke…Më lart, në rrethanat e Fierit, rrënojat e Apollonisë, themeluar në fillim të shekullit të VI-të para erës sonë nga kolonët grekë, u krijojnë mundësinë vizitorëve të shohin një stom të mrekullueshëm, një teatër dhe një kullë mbështetëse, tempullin e Apollonit dhe disa shtëpi të dekoruare në mozaik…
Eshtë ora një e natës. Në Tiranë, në dhomën e hotelit, ndërtesë 15 katëshe e ndërtuar në vitet 80 dhe « grataçela » e vetme e kryeqytetit, dalloj një burrë që fshin sheshin qendror (Sheshin Skënderbe), me metodë, pa u ndalur. Ndonjëherë, një kalimtar i vonë kalon xhaden me hapa të ngadaltë. Asnjë veturë, asnjë zhurmë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here