Një udhëtim drejt Kërrnajës, ku fisi Haklaj mbajti gjallë luftën e ndezur për liri e dinjitet shoqëror, i ngjet një udhëtimi drejt legjendave të vjetra e të reja. Kulla e fortë që ushqeu me besë e burrëri bisedat në odat e burrave të fortë, brez pas brezi, tani është një rrënojë. Rrënojë janë të gjitha shtëpitë dhe kullat e Haklajve në Kërrnajë, ku nuk dëgjohet më as zë fëmije, as fjalë burri. Dritat janë shuar përgjithmonë dhe kjo e bën akoma më të trishtë atë që ka ndodhur gjatë këtyre viteve të demokracisë me burrat e derës historike. Në këtë vis të Eposit të Kreshnikëve, duket sikur në ajër dëgjohet vaji tragjik i Ajkunës, për djemtë e vrarë të Haklajve, për ikjen e trishtë të burrave, grave e fëmijëve nga vendbanimi tyre stërgjyshor. Janë me dhjetëra e qindra ikje, fate të ikura e të kryqëzuara në Golgotën e një kohe të pakuptimtë, ku nuk ka asnjë alibi. I fundit që iku nga Kërrnaja ishte Gramoz Haklaj, 37 vjeç, nën presionin e gjaksve të panjohur, që endin në terr krimet e paralajmëruara ndaj derës së fortë të Haklajve. Me 30 janar 2013, në Laprakë, teksa udhëtonte me makinën e tij së bashku me nusen dhe djalin 11 muajsh, një person i maskuar, identeti i të cilit nuk është zbardhur ende nga policia, ka tentuar ekzekutimin e tij, duke qëlluar disa herë me breshëri plumbash në drejtim të tij.

Pas kësaj, presionet ndaj Gramozit janë rritur, si dhe ndaj vëllezërve të tij, veçanërisht ndaj Jot Haklajt, një biznesmen i njohur në Tiranë. Ngjarja iu kalua nga komisariati numër tre prokurorisë, por fijet e misterit e mbështjellin atë, si të gjitha vrasjet dhe tentativat për vrasje ndaj Haklajve, për të cilat nuk ka ende asnjë autor. Kërrnaja e braktisur, ku dera e Haklajve mbante kryet e vendit, ka një pamje të trishtë, gati rrënqethëse. Sot anëtarët e mbetur gjallë të derës së Haklajve janë shpërndarë në të gjithë botën, nga Greqia, Italia, Franca, Gjermania, Suedia, Anglia e deri në Australinë e largët. Është një eksod gati biblik, i paparë e i padëgjuar në këtë cep të Ballkanit, ku krimi dhe gjakmarrja bëjnë kërdinë, ndërkohë që politika, në vend që të shuajë urat e zjarrit të mërive e hakmarrjeve, iu fryn atyre. Mbi 150 vrasje, me qindra grabitje apo atentate që kanë shkaktuar plagosje dhe gjymtime në rrethin e Tropojës, janë pa asnjë autor dhe mbajnë peng një histori të keqkuptuar. Mbi 30 sulme, të cilat kanë shkaktuar 14 të vrarë dhe të plagosur janë mbi shpinën e një familjeje, saga e të cilës përmban një “Kuti Pandore” të pazbuluar. Saga e fisit Haklaj në Tropojë është ende mister, pasi asnjë vrasje nuk është zbuluar, asnjë autor i arrestuar apo i hetuar. Familja e Haklajve njihet në të gjithë veriun e vendit si një nga familjet më të mëdha, e cila brez pas brezi ka ndezur pishtarë qëndrese për komb e flamur    dhe ka vënë gurë kilometrikë në kujtesën kombëtare. Dera e Haklajve ka dhënë katër dëshmorë për atdheun: Shpend Zeqir Haklaj, dekoruar me Medaljen e Trimërisë, Ismail Plak haklaj, dekoruar me Medaljen e Trimërisë, Man Arif Haklaj, dëshmor i Atdheut dhe Rustem Sadri Haklaj, dëshmor i Atdheut. Të parët e Haklajve kanë luftuar me armë në dorë kundër turqve e serbëve, ndërsa gjatë luftës në Kosovë, dera e tyre ka qenë një bazë e fuqishme e luftës dhe strehuese e qindra kosovarëve, të ikur nga flakët e spastrimit më të egër etnik të kryer ndonjëherë në Gadishullin e vjetër. Por në vend të kurorës së merituar, shteti dhe shoqëria jonë e traumatizuar gjatë këtij tranzicioni të vrazhdë, iu ka ofruar dhunë, djegie, kërcënime, vrasje, të cilat, siç e thamë, ende nuk kanë qoftë dhe një autor të vetëm.

Pas maratonës së gjatë të vrasjeve mafioze, indiferenca e shtetit shqiptar dhe mungesa e drejtësisë bëri që gjakrat të nxeheshin më shumë dhe gjithçka ta merrte në dorë vetëgjyqësia. Në vend të veprimit të institucioneve ka ndodhur braktisja e madhe, ikja masive e Haklajve, nën kërcënimin e gjaksve të mbështjellë me hije frike e mister. E vështron këtë peizazh të shkretë, shtëpitë e kullta të rrënuara, dritat të fikura, barin dhe ferrat që kanë pushtuar mjedisin dikur aq të bukur e sharmant, dhe të kaplon dhimbja. Kërrnaja të kujton të kujton përmbytjen e madhe biblike të Noes, veçse kjo këtu nuk ka ndodhur nga mëria e Zotave, por nga primitivizmi politik, që ushqen rrënjët e së keqes, ushqen frymën e vëllavrasjes, krimit dhe vdekjes. Kohët e turbullta dhe politika pisqollë janë të përkohshme, edhe pse kushtojnë shumë në kandarin e dhimbjes. E përjetshme është historia e Kërrnajës, historia e Haklajve, historia e dyerve dhe fiseve të shqiptarisë, që do të rilindin si feniksi, në kohë më të mira për kombin dhe historinë tonë. 

Seriali i vrasjeve, nisja nga 16 qershori i vitit 1997 

Vrasja e parë e regjistruar nga policia është ajo e ndodhur më 16 qershor të vitit 1997 në dalje të urës së Milotit, ku viktima është Sokol Haklaj, ndihmësgjyqtar në rrethin e Skraparit. Pas saj, renditen edhe dhjetëra vrasje të tjera që kanë lidhje me fisin e Haklajve të Tropojës, por drejtësia ka heshtur; politika gjithashtu; duket se hija e kobshme e politikës ka endur rrjetën e një merimange të helmatisur krimi, që iu ka kushtuar aq shumë jetë njerëzore Haklajve.

Ndërsa gjithçka nisi me vrasjen e Sokol Haklajt, natyrisht që nuk mund të mbetej me kaq. Hijet e keqbërjes, të nxitur nga tritolpolitika do t’i jepnin start maratonës së vrasjeve, duke u shndërruar kështu në fisin e vetëm në Shqipëri me numrin më të madh të hasmërive. Në 5 janar 1998, vritet në Qafën e Luzhës, në një atentat me armë zjarri automatike Shkëlqim Haklaj, njëri prej djemve të familjes. Pas kësaj iu vjen radha një nga një pothuajse të gjithë djemve të familjes    së Muharrem Haklajt. Në 4 gusht 1999 vriten në afërsi të fshatit Cernicë, me mina të telekomanduara, Halil Haklaj e Feriz Kërnaja, ndërsa plagoset rëndë Fatmir Haklaj.

Në 4 nëntor të vitit 1999, në një pritë në fshatin Bujan, vetëm gjashtë muaj më pas do të ekzekutohej edhe Fatmir Haklaj, djali tjetër i familjes, vetëm 50 metra larg shtëpisë së mikut të tij Jaho Salihi. Vrasja e Cen Haklajt, trainerit të apasionuar të ekipit të basketbollit “Valbona”, njeri i urtë e korrekt, me një pasion të madh për sportin, tek po shkonte me një top në dorë në stërvitjen e radhës së ekipit të tij të dashur, ishte një vrasje makabre, pa asnjë “alibi”.

Në 3 dhjetor 2000 është kryer ekzekutimi i Ylli Haklajt, me anë të një snajperi, Vrasja e fundit e njerëzve të familjes Haklaj daton më 8 maj të vitit 2002 pranë spitalit të Bajram Currit ku mbetën të vrarë Elez Haklaj dhe i djali i tij, Çela.  

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here