6.1 C
Pristina
Wednesday, December 1, 2021
Home SOCIALE Etika e Kantit: Liria njerëzore sjell Moralin

Etika e Kantit: Liria njerëzore sjell Moralin

Emanuel Kanti (1724-1804) konsiderohet një nga filozofët më të thellë dhe më origjinalë që ka jetuar ndonjëherë. Njihet për metafizikën, subjekt i “Kritikës së arsyes së kulluar”, apo për filozofinë morale të parashtruar në “Baza për metafizikën e moralit” dhe “Kritika e arsyes praktike”./Konica.al

Kanti arriti një lloj revolucioni në filozofi, për këtë arsye u njoh fillimisht në qarqet shkencore të kohës së tij, më vonë nga shoqëria.

Përherë udhëhiqej nga këndvështrimi vetjak, shumë i veçantë për jetën, duke mos devijuar kurrë anën shkencore nga parimet e veta.

Thuhej se ishte nazeli, gjithë jetën e kaloi në vendlindje, Konigsberg. Ishte njeri i thjeshtë, punëtor dhe realizoi gjithçka kishte planifikuar në jetë, me të cilën pakkush mund të mburret. Etika e Kantit është apogjeja e krijimtarisë së tij dhe në ditët e sotme duhet sjellë në vëmendje, sidomos kur shumica janë shndërruar në skllevër të interesave individuale dhe partiake… Historia e filozofisë është histori revolucionesh, për sa i përket dijes, moralit, politikës, ekonomisë… Për Kantin kanë gjalluar anekdota të shumta. Thuhet se ishte kaq i kronometruar në zakonet e veta, saqë amvisat vendase i kurdisnin orët, duke iu referuar ecjes së tij pesëorëshe. Biografët flasin për mungesë ambicieje personale, apo dashurinë për vendlindjen. Po ashtu, i pëlqente t’i kultivonte këto marrëdhënie, që i shërbenin si stimul intelektual: ishte i dashuruar pas fizikës, matematikës dhe shkencës në përgjithësi, i rreptë në zakonet e veta. Ishte mësues me karizëm, studentë nga të katër anët vinin për të ndjekur leksionet e tij në Konigsberg, aq sa rrallë mund të gjeje vend bosh. E donte dijen dhe ia doli që mikrobin e kësaj dashurie t’ua transmetonte edhe nxënësve. U rrit në një mjedis fetar dhe nënën e humbi kur ishte shumë i vogël. Pavarësisht kësaj, ajo pati kohën e mjaftueshme për ta mësuar të sodiste dhe të emëronte yjet, kujtim nga i cili, Kanti do të frymëzohej në “Kritikën e arsyes praktike”. “Dy gjëra ma mbushin gjithnjë e më shumë shpirtin me admirim e respekt, teksa mendoj dhe kridhem në to: qielli me yje mbi mua dhe ligji moral brenda meje. Këto janë dy gjëra, që nuk duhet t’i kërkoj jashtë rrethit tim vizual dhe të kufizohem në hamendësimin sikur janë mbështjellë nga errësira ​​apo gjenden tek e jashtëzakonshmja. I shoh para meje dhe i lidh drejtpërdrejtë me vetëdijen e ekzistencës sime”. Etika e Kantit është shprehje e racionalitetit njerëzor. Imperativi kategorik përfaqëson agimin e epokës së etikës, ashtu siç mund të ishte iluminizmi për dijen. Kaq e fuqishme është etika e Kantit, sa i kapërcen rrethanat, individualitetet apo kushtëzimin. Nuk është më një etikë që bjerr lirinë personale, përkundrazi, është një garanci, sepse merr kuptim pikërisht brenda kësaj lirie. Së fundi, bie në sy si qëllim në vetvete./Konica.al

Etika, nuk i nënshtrohet lumturisë, dashurisë apo kënaqësisë. Nuk është një mënyrë për t’u ndier më mirë me veten, një dyshek viskoelastik për vetëvlerësimin.

Ndjekja e etikës së Kantit, formale dhe universale, kërkon sforco, nuk është diçka që na vjen natyrshëm. Prandaj, përkushtimi ndaj saj është detyrë, detyrim, imperativ. “Punoni në mënyrë të atillë, sa të dëshironi që maksimumi i veprimit tuaj të bëhet ligj universal”.

Etika nuk ekziston si produkt i lirisë, imoralitetit, apo ekzistencës së Zotit, përkundrazi justifikon ekzistencën e elementeve të tjera.

Nëse hedhim një sy se çfarë po ndodh në botë, kuptohet lehtë se etika e Kantit është ende larg mbretërimit.

Pushtet ose dëshirë për pushtet, frikë nga pasiguria. Nevoja për siguri duket të jetë një motiv më i fuqishëm, sesa të veprosh me një qëllim të ndershëm, sepse një sjellje e tillë është universale. Sipas tij, baza e perceptimit tonë për atë që është e mirë apo e keqe, mirë a keq, është vetëdija jonë se qeniet njerëzore janë faktorë të lirë dhe racionalë, të cilëve, duhet t’u jepet respekti që u takon si qenie njerëzore. Një tjetër version i imperativit kategorik të propozuar nga Kanti përcakton se “njerëzit duhen trajtuar si qëllim në vetvete, asnjëherë, thjesht si mjet për qëllimet e veta”. I njohur si “parimi i qëllimeve”, ndonëse i ngjashëm disi me rregullin e artë: “Mos u bëni të tjerëve atë që nuk do donit t’ua bënin juve”, Kanti besonte se “ligji” – imperativi kategorik dhe gjithçka që ai nënkupton, ishte diçka që mund të zbulohej vetëm nga arsyeja. Nuk ishte diçka që na u imponua nga jashtë, përkundrazi është ligj që ne si qenie racionale duhet t’ia imponojmë vetes. Kjo është arsyeja pse disa nga ndjenjat tona më të thella pasqyrohen në vlerësimin për ligjin moral dhe pse, kur veprojmë ashtu siç veprojmë nga respekti për të, nga ndjenja e detyrës, ne e përmbushim veten si qenie racionale. Filozofi ishte i bindur se etika është pjesë e rëndësishme e filozofisë, ku lënda kryesore e studimit është njeriu si fenomen.

Etika e Kantit përfshin idenë e vullnetit të lirë, e një shpirti të pavdekshëm, ekzistencës së Zotit, ide të cilat, arsyeja e pastër nuk mund t’i zgjidhte./Konica.al

Kanti është urë lidhëse, që qëndron midis racionalizmit iluminist të shekullit të 18-të dhe idealizmit dhe marksizmit gjerman të shekullit të 19-të.

Në shumë mënyra, ai është figura thelbësore e iluminizmit.

Vdekja e tij në 1804 përmendet shpesh, si fundi i periudhës së iluminizmit. Ai e lartësoi arsyen mbi besimin dhe u përpoq të bashkonte empirizmin dhe racionalizmin. Filozofia e tij morale është filozofi lirie. “Pa lirinë njerëzore, – mendonte Kanti, – vlerësimi moral dhe përgjegjësia morale do të ishin të pamundura”. Nëse një person nuk mund të veprojë ndyshe, atëherë akti i tij ose i saj, nuk mund të ketë vlerë morale. Edhe pse në shumë mënyra është një ikonë e iluminizmit, ai mbetet figurë e rëndësishme për romantizmin dhe ideologjinë utopike. I mirëpresim vizitorët, nëse shpenzojnë para. Nënshkruajmë paqen, kur kushton më shumë se lufta. Përveç kësaj, vëmë bast për të vërtetën, nëse ajo fiton më shumë se gënjeshtra. Vërtet Kanti vdiq dyqind vjet më parë, por njerëzimi ende nuk ka filluar ta kuptojë mesazhin që ai përcjell./Konica.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Shmangni këto ushqime për një bark të sheshtë

Nëse doni një stomak të sheshtë, qëndroni larg nga tre ushqimet që me siguri i konsumoni çdo ditë! Djegia...

Ushqimet që e rrisin tensionin e lartë të gjakut

ensioni i lartë i gjakut mund të jetë shkatërrimtar për zemrën, trurin dhe veshkat. Përpos kësaj, tensioni i lartë...

Formula e saktë që ju llogarit sa orë duhet të flini

Për shumë njerëz, koha e zgjimit është e njëjtë, por koha e fjetjes ndryshon në varësi të jetës sociale, orarit të punës...

A mund ta gjeni insektin që e ka ngjyrën ndryshe nga të tjerët

Këtë herë do të testoni shikimin tuaj me një figurë ku shihen disa insekte njësoj, por njërës prej tyre i ndryshon pak...

Recent Comments