Historia e veprës madhore “Illyricym Sacrum” e atë Daniele Farlattit. Si u dënua me 25 vjet burg dom Frano Illia, që e përktheu atë dhe kërkoi vazhdimin e saj, ku flitej për Tivarin e Kosovën

Dashnor Kaloçi

Papa Klementi XI u muer vesht me Jezuitët e Venedikut e këta dërguen në Romë Atë Filip Riceputtin i cili mori në dorzim nga Papa shqiptar materialin historik të tij, planin e hartimit të historisë kishtare të ilirëve, e me ndihmën financiare me përballue shpenzimet e duhuna për atë punë. At Filip Riceputti mbi një barkë të Vendikut i ra për gjatë bregut të Adriatikut tue u ndalue në të gjitha qëndrat ku kishte landë për punën e vet e nga këto qëndra bregdetare dërgoheshin njerëz të tjerë për kërkime historike në qëndrat e mbrëndëshme të vëndit prej kah i dërgohej landa e duhun në breg të detit. Këtë punë e vazhdoi deri në qytetin e Tivarit. Prej Tivarit u dërguen lajmëtarë në të gjithë qëndrat kishtare të Shqipërisë të cilat iu përgjegjën tue i dërgue secila ndihmën e vet historike shkruajsit të ardhëshëm të kishave ilire. Një qerre me qe e ngarkueme me dorshkrime, libra e objekte historike, mbasi kapërceu të gjitha vështirësitë e baltrave të Zadrimës, u mbyt në ujë tue kalue Drinin e hupi e gjithë ngarkesa e caktueme për At Riceputt-in”.

Kështu shkruhet në volumin e shtatë të veprës madhore “Illyricum Sacrum” të autorit italian, At Daniele Farlatti, e cila ndodhet në Arkivin Qëndror të Shtetit e përkthye nga Dom Frano Illia, që në vitin 1963 kur ai shërbente si famullitar në qytezën e vogël të Milotit. Po çfarë është kjo vepër dhe si trajtohet aty historia e lashtë e Shqipërisë që nga koha e ilirëve e në vazhdim? Sa kohë iu deshën Dom Frano Illias që ta përkthente atë vepër madhore dhe përse nuk u botua ajo në vitin 1966 kur ai e dorëzoi për botim pranë Institutit të Kulturës Popullore? Përse u arrestua Dom Frano, ato ditë që ai paraqiti kërkesën për botim, në të cilën shkruante se ishte gati të përkthente edhe volumin e tetë të atij libri, ku flitej për historinë e Tivarit e Kosovës të cilat ai i cilësonte si pjesë të Shqipërisë. Përse edhe pas letrës që ai i drejtoi Ramiz Alisë në vitin 1986, pasi doli nga burgu, nuk iu kthye vepra e tij për të cilën kishte punuar për shtatë vjet me rradhë?

Çfarë është “Illyricum Sacrum”
Në kerkesën që Dom Frano Illia i bëri Institutit të Kulturës Popullore për botimin e librit që kishte përkthyer, iu paraqiti edhe një përmbledhje të shkurtër në një faqe e gjysëm të daktilografuar, në mënyrë që t’i sqaronte redaktorët që do të merreshin se çfarë ishte ajo vepër dhe çfarë trajtohej aty në lidhje me historinë e Shqipërisë. Në atë letër sqaruese shkruhet: ” Vepra “ILLYRICUM SACRUM” (ILIRIJA KISHTARE ose Historia Kishtare e Ilirisë) përbahet prej tetë volumesh me ….38 x 26. Volumi i VII rreshton historinë kishtare t’Ilirisë bregdetare, kurse volumi i VIII atë të krahinës së Kosovës. Volumi i VII, në 638 faqe, rreshton historinë kishtare dhe lidhun me atë çivile të Metropolive të Djoklesë, Tivarit, Shkodrës, Durrësit e të Sirmit dhe sufrangave ase të dioçezave që mvaren prej tyne. Prej kësi volumi deri tash kemi përkthye pjesët që i përkasin mbrendisë së kufijve të sodshëm të Shqipnisë, d.m.th. sa i përket Shkodrës dhe Durrësit dhe sufrangave të tyne (vazhdoj përkthimin e pjesëve të tjera) Shkodra kishte këto dioçeza: 1. Drishtin, 2. Pultin e Madh, 3. Pultin e Vogël, 4. Dejën, 5. Sarden e 6. Sapën. Durrsi kishte këto dioçezë sufragane: 1. Lezhën, 2. Arbëninë, 3. Krujën, 4 Bendën, 5. Priskën, 6. Shtejefnin, 7. Kanovjen, 8. Skampën, (Elbasanin) 9. Lestronin, 10. Bulidën, 11. Amancien, 12. Apoloninë (Pojanin) 13. Vëlonën, 14. Pulkerjopullin (Beratin) 15. dhe Akroçerauninë. Në këtë volum të VII përshkruhet gjanë e giatë themelimi i qyteteve dhe i dioçezave, tue gërshetue historinë kishtare atë çivile t’atyne vëndeve. Shfrytëzohen mirë dokumente, historjanët dhe gjeografët e ndryshëm të vjetër e të rinj t’atyne kohve. Landa ndahet në djeçezë dhe në rajone kishtare. Secila Seli Arqipeshkvnore apo Ipeshkvnore zakonisht gjindet ndër qytetet nga të cilat edhe merr emnin. Në fillim të çdo Arkiodioçjezi apo Dioçjezi përshkruhet themelimi i qytetit dhe djeçezit, mandej vjen rreshtimi i jëtëshkrimit të secilit Prelat. Giatë jetëshkrimit të tyne rreshtohen faktet e historisë kishtare e çivile në rend kronologjik. Ky volum përfshin landën historike deri në fillimet e shek. XVIII, kur edhe botohet në vitin 1817. Vepra “Ilyrricum Sacrum” asht rreshtue në giuhët latine klasike. Për plotësimin e këtij kuadri historik me randësi të madhe të vëndit tonë, nevojiten edhe pjesë të tjera të këtij volumi ashtu edhe volumi VIII. Po të kërkohet, jemi gadi të vazhdojmë këtë punë të mundshme, me shpresë se do të jetë një kontribut i mirë për njohjen e historisë së vëndit tonë të dashtun nga brezat e rijë të popullit tonë. Vazhdon mandej …(nuk kuptohet fjala) prelat, dhe giatë këtij rreshtimi përshkruhen punët ndaluan giatë sundimit të tyne kishtar e çivil në mënyrë kronologjike. Ky volum vjen tue përshkrue deri në fund të shekullit të XVII e diçka në fillimet e shekullit të XVIII. Vepra asht rreshtue krejt në giuhën latinishte e madje klasike. Edhe pjesët e tjera që i përkasin Djoklesë e Tivarit kishte qenë mirë të njifen prandaj të përkthehen në giuhën tonë mbasi kanë lidhje të vazhdueshme me krahinat tona. Për plotësimin e këtij kuadri historik të vëndit, do të ishte me vënd edhe përkthimi i blenit VIII. Po të kërkohet kishim me kenë gadi të vazhdojmë kryemjen e përkthimit të bl. VII dhe të VIII-it. Paraqitëm këtë pasqyrë sintetike përtë pasë një ide mbi përmbajtjen e kësaj vepre. Milot 19. VIII.1963. D. Frano Illiaj (firma) (AQSH. F. 1069. D. 40 Fq1)

Humja e arkivave të Shqipërisë
Një nga pjesët më interesante të librit “Illyricum Sacrum”, është ajo ku flitet për interesimin që tregoi Papa Klementi që ishte me origjinë shqiptare, për mbledhjen e përpunimin e historisë së Shqipërisë, gjë e cila nuk u bë plotësisht sepse një pjesëemadhe e atyre arkivave, humbën teksa qerrja që transportonte ato për në Vendeik, u mbyt teksa ishte duke kaluar Lumin e Drinit në pjesën e Zadrimës. Lidhur me këtë, në faqen 221-222 shkruhe: “Papa Klementi Xi, Gian Francesco Albani, ngta Urbino me prejardhje shqiptare, kur ishte prift i ri filloi të mbledhë landë për historinë kishtare ilire. I penguem nga detyrët kishtare që shkuen tue ia shtue naltimin e tij deri në selin papnore u detyre të ndërpresë punimet e veta historike. Në fillim të pontifikatit të vet, mblodhi Konçilin e parë të Arbënit nën kryesinë e arqipeshkvit të Tivarit, Vinçenc Zmajeviç, e dha urdhën që aktet e Konçilit të përktheheshin shqip e ti shifte në gjuhën e të parëve që në familjen Albani kishte mbetë vetëm si kujtim. Në atë kohë qendra e kishëve ilire ishte Raguza ku baheshin kinçilat kishtare të Iliris. Mbasi patën qenë mbytë në det ipeshkvijt shqiptarë tue këthye nga mbledhja, Klementi XI vendosi që mbledhjet ndër djoçezane shqiptare andej e tutje të baheshin në tokën Shqiptare. Qëndra e parë e kishëve ilire ka qenë Akuileja, mandej Grado-i, e mbasi selia patriakale ilire u bart në Vendik, për arsye praktike u caktue Raguza si qëndër mbasi ishte ma e përshtatëshme edhe gjeografikisht. Mbasi selia patriakale e ilirëve u bart në Vendik, e atje ishin grumbullue gjatë shekujve dokumenta, libra, monumenta edhe për Ilirinë, e mbasi Vendiku kishte edhe Institute e njerëz të përshtashëm për historografi, Papa Klementi i XI u muer vesht me Jezuitët e Venedkikut e këta dërguen në Romë at Filip Riceputtin i cili mori në dorzim nga Papa shqiptar materialin historik të tij, planin e hartimit të historisë kishtare të ilirëve, e me ndihmën financiare me përballue shpenzimet e duhuna për atë punë. At Filip Riceputti mbi një barkë të Vendikut i ra për gjatë bregut të Adriatikut tue u ndalue në të gjitha qëndrat ku kishte landë për punën e vet e nga këto qëndra bregdetare dërgoheshin njerëz të tjerë për kërkime historike në qëndrat e mbrëndëshme të vëndit prej kah i dërgohej landa e duhun në breg të detit. Këtë punë e vazhdoi deri në qytetin e Tivarit. Prej Tivarit u dërguen lajmëtarë në të gjithë qëndrat kishtare të Shqipërisë të cilat iu përgjegjën tue i dërgue secila ndihmën e vet historike shkruajsit të ardhëshëm të kishave ilire. Një qerre me qe e ngarkueme me dorshkrime, libra e objekte historike, mbasi kapërceu të gjitha vështirësitë e baltrave të Zadrimës, u mbyt në ujë tue kalue Drinin e hupi e gjithë ngarkesa e caktueme për At Riceputt-in. Riceputti e ndau të gjithë landën e historisë kishtare ilire në katër pjesë me nëndamjet e renditjet përkatëse simbas skemës që kishte përpilue. Klementi i XI vdiq. At Riceputti me zell e kujdes përfundoi të katër pjesët e historisë kishtare ilire e kur i pat gati për shtyp, mbaruen ditët e jetës së tij e vdiq. Jezuitët, si ekanë zakon kur vdes çdo antar i shoqënisë së tyne që ka duersh çdo punë të randësishme, ngarkuen që të kujedesei për shtypin e dorëshkrimeve të Riceputtit njeriun e tyre ma të aftë për historografi At Daniel Farlatin. Ky mbasi studioi të gjithë veprën e Riceputt-it u raportoi eprorëve të vet se historinë kishtare e shkrueme nga At Filip Receputti, ishte pune me kritere historike të vjetërueme. Mbasi u studiue mirë çështja e rezultoi si kishte raportue At Daniel Farlati, eprorët ngarkuen këtë të niste punën përsëri si mbas kritereve historiologjike moderne të kohës. At Daniel Farlati shkroi, shtypi e botoi katër vëllime e parë të veprës Illyrici Sacri e ndërroi jetë. (AQSH F.1069 D.40 fq.221)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here