Shumë është folur për të paraardhësit shqiptarë, sidomos për ndikimin e tyre në perandorinë e madhe romake. Më poshtë mund të gjeni një përmbledhje të sundimtarëve të kësaj perandorie ndikimi i së cilës vërehet edhe në ditët e sodit.

Gai Mariu, 157-86 p.e.s.

Ishte një politikan i shquar romak që u zgjodh konsull shtatë herë. Lindi në qytetin e Ciceronit, Arpinum. Në enciklopedi të ndryshme, Gai Mari futet te lista e sundimtarëve ilirë të Romës, pra quhet si ilir.

Mario njihet për reformën e famshme ushtarake që kreu në Romë, në sajë të së cilës Roma do të kthehej në superfuqi. Deri në atë kohë karriera ushtarake kishte qenë pronë e fisnikërisë, por me reformën që kreu, ia hoqi këtë monopol asaj, duke rekrutuar ushtarë dhe oficerë nga shtresat e tjera të popullsisë. Ai u premtoi ushtarëve tokë, plaçkë lufte në vendet që do të pushtonin romakët dhe një pension ushtarak pas lirimit nga ushtria.

Mario u dallua në fushatën ushtarake kundër Numantisë dhe ra në sy të Scipio Emilianit që ishte në atë kohë komandant i ushtrisë romake në fushatë. Në vitin 120 p.l.k., ai u zgjodh tribun plebe, që ishte një rang i lartë, pasi pa firmën e tij nuk miratoheshin as urdhrat e senatit. Në vitin 116 p.l.k. u zgjodh pretor në Romë dhe në vitin 114 u dërgua për të qeverisur Spanjën. Ai u martua me Julia Cezarin, tezen e Jul Cezarit.

Mario u zgjodh konsull i Romës në vitin 107 p.l.k., në moshën 50 vjeçare; gjatë kësaj kohe ai i dha fitoren Romës kundër Jogurthas mbretit të Mauritanisë. Në këtë kohë fiset të ashtuquajtura gjemane të teutonëve dhe cimbreve mundën ushtrinë romake që komandohej nga një gjeneral romak i quajtur Mali Maxim, dhe kërcënonin seriozisht Romën. Përballë këtij kërcënimi, Mario u rizgjodh konsull për herë të dytë nga 104-100 p.l.k. Në fakt, të drejtën për t’u zgjedhur konsull e kishte vetëm një herë për një vit, por kjo ishte hera e parë që ndodhte ngaqë situata ishte e rëndë. Ai mundi fisin e teutonëve, që në aleancë me cimbret dhe tigret ishin nisur të pushtonin Romën.

Punët më vonë nuk do shkonin mirë, pasi reformat e tij ushtarake, përveç efekteve pozitive patën dhe efekte negative. Negativ ishte fakti se ushtarët, nga të mirat që fitonin, i bindeshin komandantëve të tyre, që çoi në luftë civile në Romë midis Sulës dhe Mariusit. Kjo luftë përfundoi me disfatë për Marion dhe ikjen e tij në azil në Afrikë. Gjatë kësaj kohe, kur Sula mungonte, pasi kishte ikur në një fushatë në lindje, Mario me gjithë ushtrinë e tij marshoi dhe hyri në Romë, ku ndërmori një fushatë zhdukjesh kundër kundërshtarëve të tij politikë, përkrahës të diktaturës së Sulës. Në vitin 86 p.l.k. ai u rizgjodh konsull për herë të shtatë, por 6 muaj më vonë, vdes në moshën 71 vjeçare. Sula rikthehet në Itali, ku vendos një regjim terrori, duke persekutuar senatorë dhe përkrahës të Marios. Në këtë kohë, Jul Cezari largohet nga Italia e shkoi përkohësisht në Kilkili për të mos rënë viktimë e persekutimeve të Sulës, pasi halla e tij ishte gruaja e Mariosit.

Strategët ushtarakë me origjinë ilire janë të shumtë, dhe vetë Jul Cezari dhe dinastia e Klaudëve ishte trojane, sepse e mbante veten si pasardhëse direkte e Asganit, djalit të Ene Dardanidit. Ka qenë i madh numri i perandorëve me origjinë ilire që qeverisën Romën për etnicitetin e të cilëve ka të dhëna të sakta nga autorët romakë. Kur studion rrënjët e historisë së Romës dhe kërkon se kush janë romakët, aty të gjithë dalin se janë ilirë, etruskë ose trojanë. Sinqerisht, nuk di të jap një përgjigje në lidhje me konceptin e etnisë Romake. Mendoj se historianët duhet të bëjnë më tej për të përcaktuar etnicitetin e romakëve, megjithëse kjo ka qenë tepër e vështirë dhe askush nuk ka dhënë një përgjigje të qartë e të saktë, sepse romakët dalin si Trojanë, Ilirë dhe Etruskë.

Luc Septim Severi, 193-211

Dinastinë e Severëve në pushtet e vendosi ushtria ilire e Panonisë. Severi thuhej se ishte një aristokrat i pasur që kishte prona në Afrikë, dhe për origjinën e tij nuk ka të dhëna të sakta, por shumë studiues të mëvonshëm e quajnë ilir. Në fakt, për jetën e perandorëve të kësaj periudhe nuk kanë folur shumë autorë veç Hadrionit, i cili nuk flet për origjinën e tij. Ai u shpall perandor nga ushtria ilire, komandant i së cilës ishte, dhe rivalizoi me dy pretendentë për perandorë të shpallur nga ushtritë e tyre në Britani dhe Siri, të cilët i mundi.

Për të gjithë perandorët e tjerë ilirë nga Deci te dinastia Valentiniane, ka të dhëna të sakta që tregojnë se ata ishin me origjinë ilire dhe u shpallën perandorë, nga po kjo ushtri komandantë të së cilës ishin. Ajo që më shtyn të mendoj njëlloj me disa studiues të tjerë, se severët ishin ilirë është fakti që ushtria ilire asnjëherë nuk ka shpallur një perandor, i cili të mos ketë qenë ilir.

Pra, të gjithë perandorët që ka shpallur ushtria ilire, më e forta e perandorisë në shërbim të Romës, kanë qenë komandantët e tyre ilirë, dhe në asnjë rast kjo ushtri nuk ka shpallur perandor një jo-ilir, kështu që, meqenëse severët u shpallën perandorë nga ushtria ilire pa dyshim që ata ishin ilirë. Shumë studiues të tjerë kanë po këtë mendim që severët ishin ilirë edhe këtë e tregojnë dhe masat që u morën në favor të ushtrisë ilire.

Ndërsa më parë, kur kishim të bënim me perandorë latin e gjithë garda pretoriane zgjidhej nga ushtarët latinë si romak, spanjoll e galë në momentin që erdhi Severi, situata ndryshoi menjëherë. Ai shpërndau gardën e vjetër pretoriane dhe pretorianët e rinj i rekrutoi nga legjionet ilire të Danubit.

S.Severi vendosi me ligj që çdo ushtar mund të bënte karrierë, pavarësisht origjinës së tij jolatine dhe menjëherë pas këtyre ligjeve, ushtarët ilirë qoftë dhe me origjinë të ulët fshatare, në saj të aftësisë së tyre arritën deri në shkallën më të lartë të qeverisjes së perandorisë, atë të perandorit. Këto duke i dhënë lavdi asaj. Ai lejoi martesat e ushtarëve dhe pajisjen e tyre me parcela toke të cilat i punonin kur nuk ishin në luftë. Rriti rrogat e ushtarëve pretorianë nga 1000 në 1250 dinarë në vit, ndërsa ato të legjionarëve nga 300 në 500 dinarë në vit dhe në kohë fushatash ushtarake paga dyfishohej gjë që boshatisi arkën e shtetit, të cilën e mbushi me taksat që i vendosi provincave perëndimore. Severi e mënjanoi senatin dhe konsultohej vetëm me këshillin e perandorit. Ai luftoi kundër Parthisë dhe i ktheu perandorisë edhe njëherë Mesopotaminë që e kishte humbur si pasojë e trazirave të brendshme për pushtet dhe presionit të dyndjeve barbare. Severi me luftë nënshtroi Britaninë, por mbeti i vrarë në Skoci.

Karakalla, 211-217

Pas vdekjes së Septim Severit, perandorë u shpallën bijtë e tij Mark Aurel Antonini i njohur si Karakalla dhe Publ Septim Gëtes, si bashkperandorë, por pushtetin në dorë, shumë shpejt e mori Karakalla, pasi eleminoi të vëllanë. Karakalla, si i ati, pati marrëdhënie të këqija me senatin.

Në vitin 212 ai shpalli ediktin e famshëm perandorak, me anë të të cilit të gjithë qytetarët e perandorisë shpalleshin qytetarë romakë. Ky edikt ishte tepër i rëndësishëm se, për shekuj, populli me qytetarinë romake kishte qenë më i privilegjuar se sa ata që nuk e kishin këtë qytetari. Kështu, romakët kishin të drejtën e tyre me të cilën rregullonin marrëdhëniet midis tyre dhe shtetit, ndërsa romakët kishin të drejtën Ius Gentium që ishte e ndryshme nga ajo romake. Pas këtij edikti të gjithë do përdornin të drejtën romake. Me ardhjen e perandorëve ilirë morën fund privilegjet e romakëve. Kjo tregon edhe njëherë se severët ishin jolatinë.

Karakalla e çoi ushtrinë në disa beteja në zonat kufitare në Ren, Danub në lindje në Parthi, për të luftuar me fiset barbare. Perandori u vra nga ushtria e tij më 217, ndoshta sepse nuk qe aq i zoti sa i ati, dhe nuk përmbushi amanetin që i la ai para se të vdiste kur i tha dy djemve të tij “Shkoni mirë me njëri-tjetrin, pasuroni ushtarët dhe mos çani kokë për asgjë”. Karakalla nuk bëri asnjë nga ato që i la amanet i ati se vrau të vëllanë dhe nuk e trajtoi si duhej ushtrinë, kështu që, si veproi e pësoi. Megjithë këto, Karakalla mbetet në histori me dhënien e qytetarisë romake të gjithë popullsisë së perandorisë. Pas vdekjes së tij, pushtetin e morën komplotistët dhe njerëzit e gruas dhe jo ndonjë pasardhës i tij. Kështu u zgjodh perandor nipi i gruas së tij Vari Avit Basiani dhe më vonë kushëriri i tij Aleksandër Severi (222-235). Në këtë kohë vendi futet në anarki dhe luftë midis perandorësh të shpallur nga ushtritë e tyre, luftë që do të vazhdonte deri në 268 kur në pushtet erdhën perandorë ilirë të zot. Ata qëndruan në pushtet deri në vitin 455 pa ndërprerje.

Deci, 249-251

Në 249 pushtetin e mori “Deci i lindur në Budalie në Panonin e ulët”. Pra i lindur në veri të Ilirisë. Aurel Viktor thotë se “Deci i lindur në një fshat të Sirmit”. Ai filloi karrierën si ushtar dhe arriti të bëhej perandor. Ai shpalli Cezar të birin të cilin e quajti me emrin pellazg, Etrusk, dhe e dërgoi në Iliri duke bashkëqeverisur me të. Deci arriti që të ngjisë shkallët e karrierës nga ushtar i thjeshtë, duke arritur në rangun e perandorit të Romës. Gjatë kohës së shkurtër të qeverisjes së tij prej dy vjetësh, arriti të shtypë luftën civile në Gali dhe ndërtoi një banjo publike të madhe në Romë. Deci bashkë me të birin u vra në Myzin e Ulët, pra në Iliri, në luftë me Galët në vitin 251.

Laeliani, 268

Ai e shpalli veten perandor në Mainz te Gjermanisë dhe kjo zgjati për 2 muaj.

Mark Viktori

U shpall perandor i perëndimit për pak kohë në vitet 268, 270, 271. Atë e shpalli perandor ushtria e tij në Trier, Gjermani, dhe u njoh nga galët dhe britanikët, por jo nga spanjollët. Ai u vra nga ushtria e tij në vitin 270 ose 271. E ëma e tij Viktoria, mbajti pushtetin pak kohë pas tij dhe u përpoq që pushtetin në perëndim ta merrte Tetriku.

Tetriku, 271-273

U zgjodh perandor i perëndimit me ndihmën e Viktorias nënës së Viktorit, dhe vendosi kryeqytetin në Trier të Gjermanisë. Ai e shpalli të birin, Tetrikun e dytë, bashkëperandor. Në këtë kohë, perandor në Romë ishte iliri Aurelian, i cili donte të rekuperonte perëndimin që kishte dalë nga pushteti i Romës. Në betejën që u zhvillua midis perandorëve ilirë fitoi Aureliani, i cili nuk e dënoi Tetrikun, por i dha atij tituj nderi dhe pasuri dhe e la të jetoi në Romë derisa vdiq.

Klaudi II, 268-270

Klaudi II ishte dardan dhe këtë na e vërteton libri i asaj kohe “Historia e perandorëve” në të cilin thuhet: “Në këtë luftë që udhëhiqte Klaudi u dallua shumë guximi i kalorësisë së Dalmacisë, pasi linte të kuptohej se vinte nga kjo provincë, megjithëse të tjerët thoshin se ishte dardan dhe rridhte nga mbreti i trojanëve Ili, dhe nga Dardani vet” (që ka qenë themeluesi i Trojës dhe që, sipas Homerit i pari që ka banuar në Trojë). Këtu autori nxjerr qartë në pah se dardanët e ballkanit janë pasardhës të dardanëve të Trojës, edhe, pse kishin kaluar 1400 vjet nga ikja e tyre prej andej. Në një letër të dërguar nga perandori Valerian guvernatorit të Sirisë, thuhet se “caktuam si tribun të legjionit të V të Marsit një njeri shumë të guximshëm dhe besnik, Klaudin me prejardhje ilire”, pra këtu theksohet edhe njëherë prejardhja ilire e tij. Karrierën e nisi si ushtarak dhe më vonë si komandant legjioni. U ngrit në detyrë duke u bërë Duka e gjithë Ilirikut. “Klaudi u zgjodh perandor nga ushtarët dhe u emërua nga senati”.

Pasi mori fronin në Romë, gotët plaçkitën Kretën, Qipron e Selanikun. Në fakt, sipas burimeve të vetë gotëve, të cilët ishin myzët, pra Ilirë ata ishin brenda kufijve të perandorisë. Kjo është një çështje që duhet trajtuar me kujdes nga historianët pasi këtu bëhet fjalë për ilirë që nuk i bindeshin fare perandorisë, pjesë e së cilës ishin. Në vitin 269, në betejën e Nishit të sotëm, ai theu gotët duke i shpartalluar plotësisht. Dëmet që i shkaktoi armikut tregohen në letrën që i dërgon një mikut të vet, Brokut, ku thotë se ai kishte vrarë 320 mijë gotë (por në fakt thuhet 50 mijë) dhe kishte mbytur 2000 anije. Lumenjtë, thoshte ai, janë mbuluar me mburoja dhe eshta. Zumë aq shumë gra, saqë ushtarët kanë marrë nga 2 a 3 secili. Në fakt, nga gotët do e gjente dhe vetë perandori, sepse mosvarrosja e tyre solli si pasojë rënien e murtajës, ku vdiqën shumë ushtarë dhe midis tyre dhe vetë ai. Pas vdekjes, ai u shpall “hyjnor” dhe senati e vlerësoi duke urdhëruar të vendosë një bust në Kuirie dhe një bust i artë në Kapitol.

Luc Domic Aureliani, 270-275

“Thuhet se lindi në Sirm të Panonisë në një familje të parëndësishme ose siç vëretojnë disa, në Dakinë Analumase”. Panonia ishte një fis ilir në kufi me Danubin dhe pikërisht në Sirm kishin rezidencat e tyre perandorët ilirë të Romës. Aureliani nuk duhet ngatërruar me perandorin Mark Aurel që ishte me origjinë spanjolle dhe qeverisi gjatë dinastisë së Antoninëve në vitet 161-180, e njihet si perandori filozof.

Aureliani, i cili komandonte ushtrinë në Iliri duke mos përfillur Galienin (perandorin) mori pushtetin që i dhanë ushtarët”. Aurel Viktori thotë se “Aureliani rridhte nga një baba i thjeshtë i cili, siç na tregojnë, ka qenë kolon i shumë të ndriturit senatorit Aurel diku mes Dakisë dhe Maqedonisë. Autropi thotë se “mbas tij (Klaudit) e mori sundimin Aureliani i lindur në Dakinë Ripense”. Pra ishte nga Iliria. Ai arriti të thyejë alemanët që kishin hyrë deri në Itali dhe kërcënonin Romën. Për të mbrojtur Romën nga dyndjet gjermanike në vitin 272, ai ngriti murin 18 km të gjatë dhe 9 m të lartë që është edhe sot në Romë. Këto mure janë pagëzuar me emrin e tij si “mure Aureliane” dhe janë të punuara me një tullë të kuqe të pjekur mirë. Pasi zhduku gotët, ai kapërceu Danubin dhe vrau princin e gotëve, Kanabën, së bashku me 5 mijë ushtarë. Nga dyndjet gote provincat romake të perëndimit ishin shkëputur nga Roma, ndaj ai ndërmori një fushatë ushtarake dhe rimori sërish Galinë (Francën), Britaninë dhe Spanjën, që ishte një fitore e shkëlqyer historike, të cilën dhe vetë Cezari do ta kishte pasur zili.

Pas kësaj iu drejtua lindjes, pasi disa zotërime romake ishin shkëputur nga perandoria. Për këtë iu desh të luftonte me mbretërinë e Palmirës, që kishte zgjeruar kufijtë, duke marrë zotërimet romake gjatë kohës që perandorët ishin të zënë në luftërat me gotët. Bëri përpjekje që t’i merrte me diplomaci, por ishte e pamundur, sepse në krye të kësaj mbretërie ishte një grua tepër dinake e quajtur Zenaria, ndaj u detyrua të përdorte forcën ndaj saj duke shkatërruar mbretërinë dhe duke zënë rob lufte mbretëreshën. Gjatë qeverisjes së shkurtër, ai i ktheu lavdinë Romës, sepse vendosi nën sundimin e saj përsëri Britaninë, Francën, Spanjën, Egjiptin, Azinë e vogël, Sirinë territore që Romës i ishin dashur shekuj t’i bënte të sajat ndërsa Aureliani i bëri për 5 vjet; këtu qëndron dhe madhështia e këtij perandori ilir.

Autorët romakë të kohës e kanë vlerësuar këtë figurë kështu: “Shteti ynë, pas fatkeqësive të Valerianit dhe të këqijave të Galienit, pati filluar të marrë veten gjatë sundimit të Klaudit, por ai u rimëkëmb kur Aureliani filloi të korë fitore në të gjithë botën. Ai na dha Galinë, çliroi Italinë, shpëtoi Vendolikët nga zgjedha e robërisë barbare. Në saj të fitoreve të tij u rivendos pushteti në Iliri dhe Thraki”. Në këtë vlerësim del qartë në pah që Roma kishte humbur të gjitha territoret e saj dhe ishte Aureliani që ia riktheu dhe e bëri sërish perandori. Aureliani nuk kishte marrëdhënie të mira me senatin, për këtë arsye senati i bëri disa komplote, të cilat u zbuluan dhe komplotistët u ekzekutuan. Megjithatë ai pati shumë armiq të brendshëm, të cilët e vranë në 275 gjatë fushatës në lindje, edhe pse ai ishte një perandor i madh dhe i dha shumë perandorisë. Për veprën e tij si perandor ai cilësohet si i Madh, duke u futur në rangun e perandorëve më të suksesshëm të Romës për 5 shekuj.

Mark Anni Florian

Qeverisi për disa muaj në 276 para se të merrte pushtetin Probi, dhe ishte gjysëm vëlla i mark Kalud Tacitit. Ai u zgjodh nga ushtria e perëndimit për të zëvendësuar Tacitin. Probi, i shpallur nga ushtria ilire si perandor, e mundi atë në betejën e Kilikisë.

Mark Aurel Probi, 276-282

Pas vrasjes së Aurelianit ushtria shpalli perandor shokun e tij, Probin nga Iliria. Faktin që ishte ilir, na e jep autori Aurel Viktor, ku thotë se “Probi i biri i një fshatari që merrej me kopshtari dhe emri i të cilit ishte Dalmat”. Pra, emri i tij i vërtetë është Dalmat, dhe ka lindur në Sirm të Panonisë ilire. Meritë e këtij perandori ishte se dëboi fiset e frankëve dhe alemanëve nga Galia dhe rivendosi kufijtë e perandorisë në Ren. Probi mbajti marrëdhënie të mira me senatin, që ishin të rëndësishme për sigurinë e një perandori, sepse ishte senati dhe senatorët që u hanin kokën perandorëve me komplote. Autori i historisë së perandorëve, Aurel Viktori e ka quajtur si Hanibal të dytë, për njohuritë e tij ushtarake dhe për stërvitjen e madhe që u bënte ushtarëve. Duke qenë bir fshatari kopshtar ai vuri ushtrinë në punë për të mbjellë hardhi në malin Almë në Iliri, rreth Sirmit, vendlindjes së tij, si dhe të thanin kënetat duke hapur një kanal të madh që do të derdhej në Savë. Ushtarët u rebeluan kundër tij, ndërsa ai po përgatiste një fushatë në Lindje, dhe e vranë, ndoshta se ishin të zemëruar që i kishte bërë bujqër. Gjatë viteve të qeverisjes së tij perandoria ishte në paqe, pasi ndihmoi shumë vepra e të madhit Aurelian, i cili i kishte kthyer nderin perandorisë, duke thyer armiqtë e saj dhe duke rivendosur kufijtë atje ku kishin qenë në kulmin e zgjerimit.

Mark Aurel Kariusi, 282-283

Tek libri i Aurel Viktorit “Historia e Perandorëve”, thuhet se “Onezimo, i cili ka përshkruar më shumë zell jetën e Probit, thotë se ai (Kariusi) ka lindur dhe është edukuar në Romë, por prejardhjen e ka nga prindër ilirë”. Ndërsa Autori Fob Ceryliani, i cili ka ndjekur me shumë kujdes periudhën e Kariusit, thotë se ai “ai ka lindur jo në Romë, por në Iliri”. Kudo që të ketë lindur, të dy burimet që flasin për të thonë se ai është ilir nga Panonia. Gjatë kohës së shkurtër në pushtet, ai luftoi me fiset e ashtuquajtuara barbare që kërkonin të pushtonin Ilirinë, Italinë dhe Thrakinë. Ai mundi të sigurojë Panoninë, vendin e origjinës së tij, nga dyndjet barbare, pasi ajo ishte më e ekspozuara ndaj tyre. Kariusi vdiq nga një rrufe në kohën e fushatës kundër Persëve dhe pas tij në fron erdhi Numeriani, por edhe ky vdiq pa mbushur vitin.

Mark Aurel Karini, 283-284

Ai ishte djali i madh i Kariusit dhe gjatë kohës që qeverisi i ati në Romë ai ishte qeveritar i perëndimit dhe qëndroi atje dhe pas vdekjes së të atit. Numeriani, vëllai i tij, u vra në një betejë në lindje dhe pas kësaj ushtria Ilire shpalli Ilirin Dioklecian, si perandor.

Gai Valer Aurel Diokleciani, 284-305

Aurel Viktor kur flet për jetën e katër perandorëve që qeverisën së bashku, pra që formuan të tetrarkinë thotë se “Atdheu i gjithë këtyre ka qenë Iliriku. Megjithëse pak të qytetëruar ata kanë qenë mjaft të kalitur në vështirësitë e jetës fshatare dhe ushtarake dhe qenë shumë të dobishëm për shtetin”. Diokleciani është quajtur dhe me emrin Jovi.

Po aty e quan “Dioklecianin dalmatas dhe libert i sentorit Avulin. Para se të merrte sundimin quhej Diokles, emri që e kishte nga nëna dhe nga qyteti Dioklea”. Me Dioklecianin fillon dhe një formë e re qeverisjeje në Romë, Dominati që ishte një lloj monarkie. Senati, që prej 8 shekuj kishte bërë ligjin në Romë, u shpërnda, pushtetin e tij e morën perandorët. Kalimin në këtë formë qeverisjeje e kërkonte vet koha, sepse Roma kërcënohej për t’u zhdukur nga dyndjet e ashtuquajtura gjermanike të cilat në fakt ishin ilirike. Ai solli një formë të re qeverisjeje me katër perandorë. Selia e Dioklecianit ishte në Nikomedi të Azisë së vogël.

Mark Aurel Valer Maksimiani

Aurel Vktori ka shkruar: “Aurel Maksimiani i mbiquajtur Herkul, ka qenë i egër nga natyra, i ndezur nga pasioni, dhe budalla nga këshilalt. Rridhte nga një familje fshatare nga Panonia”. Pra, të katër perandorët që qeverisën së bashku, ishin nga Iliria. Diokleciani dhe Maksimiani, morën titullin august, që ishte më i lartë dhe caktuan dy çezarë po ilirë, të cilët mbanin titullin perandor, dhe ishin të barabartë në bashkëqeverisje. Selia e Maksimianit ishte në Ravena të Italisë.

Gai Galeri

Cezar i Dioklecianit me seli në Sirmi të Panonisë në Iliri.

Kostanc Klori, çezar i Maksimianit me seli në Trir

Të katër këta perandorë drejtonin të gjithë Perandorinë Romake së bashku, me qëllim që të ishte sa më e lehtë qeverisja dhe mbrojtja nga dyndjet e fiseve barbare. Augustët, që ishin Diokleciani dhe Maksimiani, i adaptuan si bijtë e tyre çezarët (që më vonë u bënë augustë) dhe u dhanë vajzat për gra. Asnjëri nga këta perandorë nuk e pati selinë e tij në Romë, ajo u anashkalua. Roma faktikisht pushoi së qeni kryeqytet i perandorisë. Kjo ndarje e pushtetit, shënoi dhe fillimin e ndarjes së perandorisë në atë të Lindjes dhe të Perëndimit.

Pavarësisht se ishin të katër perandorë pushtetin më të madh e kishte Diokleciani. Gjatë qeverisjes së tyre u shtyp kryengritja në Gali, në Egjipt dhe një pretendent për perandor në Britani. Diokleciani ndërmori disa reforma për të qeverisur sa më mirë vendin që rrezikohej nga barbarët.

Kështu ndërmori një reformë të re administrative, duke e ndarë vendin në 12 dioqeza dhe në 100 provinca. Drejtuesit e dioqezave caktoheshin nga një vikar i emëruar nga perandori që ndau pushtetin civil nga ai ushtarak, sepse drejtuesit e provincave me të gjitha llojet e pushteteve në dorë, shpesh me ushtrinë e tyre donin të bëheshin perandorë dhe kjo çoi në luftë e përçarje.

Ai ndërmori një reformë ushtarake, duke rritur numrin e ushtarëve në 600 mijë, të cilët nuk do të ishin as mercenarë, as vullnetarë, por do të detyronin pronarët e mëdhenj të tokave ta furnizonin ushtrinë me rekrutë skllevër, kolonë barbarë të kapur rob. Në këtë mënyrë ai shkurtoi fondet e shtetit për pagimin e mercenarëve. Ushtria u nda në ushtrinë atë të kufirit, pra, që do të ruante kufijtë nga barbarët dhe në reparte të lëvizshme nëpër provincë, që ishte një reformë moderne. Për të përballuar shpenzimet e shtetit ai u vuri shtetasve taksa të drejtpërdrejta që mblidheshin në natyrë dhe në të holla, dhe në funksion të mbledhjes së taksave bëri regjistrimin e popullisë. Nxori ediktin e çmimeve me anë të cilit vendoste çmimet e të gjitha produkteve ushqimore dhe zejtare, që u shoqëruan me sanksione të rënda për të gjithë ata që shkelnin ligjin e ngrinin çmimet, deri në dënim me vdekje. Diokleciani mbajti një qëndrim mospajtues me fenë e re katolike të cilën e kishin përqafuar vajza e gruaja e tij. Ai mbajti këtë qëndrim negativ, sepse kisha shihej si një konkurent që rivalizonte pushtetin civil, e një gjë e tillë nuk mund të tolerohej, aq më keq kur krishtërimi nuk përfillte e nuk respektonte kultin e perandorit që mbahej si perëndi. Në 303 doli edikti kundër fesë së krishterë që u shoqërua me vrasje e persekutime, por feja e re njëzotëshe mbijetoi dhe do të ishte një tjetër perandor ilir që do ta zyrtarizonte dhe mbronte, Kostandini i Madh. Megjithë këto, Diokleciani mbahet në historinë botërore si ideator dhe reformator i madh, sepse ai forcoi perandorinë dme masat që mori si reforma administrative, reforma ushtarake dhe ndarjen e pushtetit me tre perandorë të tjerë.

Me reformat që kryen këta perandorë ilirë arritën, të mblidhnin dhe qeverisnin gjithë perandorinë, nga Britania në Azi të Vogël.

Kostandini i Madh, 306-337

Licini, 306-324

Konstanc Klori pati disa fëmijë, kështu me Helenën, Konstandinin e Madh. Me gruan e dytë, Teodorën, të bijën e Maksimianit, pati djalin Dalmat, i cili la dy djem Dalmatin e Ri dhe Hanibalin të dy me titullin çezar, pati Jul Konstancin, i cili la dy djem Gallin që u bë çezar dhe Julianin që u bë august.

Në vitin 305 Diokleciani abdikoi me dëshirën e tij nga froni dhe detyroi dhe augustin tjetër, Maksimianin, që të bënte dorëheqje. Të dy çezarët që kishin marrë vajzat e tyre për gra, u bënë augustë, pra Gai Galeri dhe Konstanc Klori, të cilët duhet të caktonin dy çezarë, për të bashkëqeverisur.

Konstanc Klori vdiq në Jorkshirë në Angli dhe ushtria shpalli perandor birin e tij 20vjeçar Flav Kostandin, të cilit Galeri i dha titullin çezar. Nga ana tjetër, një pjesë e ushtrisë shpalli si perandor të birin e Maksimianit, Maksencin. Në luftë për pushtet u vra Maksimiani me Galerin. Mbetet vetëm Diokleciani, i cili ndihmon Konstandinin. Përfundimisht, Konstandini, i mbështetur nga Valer Licini fiton kundër Maksenit të cilin e mbytën në lumin Tiber. Kështu Konstandini erdhi në pushtet dhe bashkëqeverisi me Licinin deri në 324, të cilit i kishte dhënë të motrën për grua. Ndërsa pas këtij viti deri në 337 ai qeveris vetëm, pasi e detyroi Licinin të hiqte dorë sepse ai kishte filluar të persekutonte të krishterët. Konstandini thuhet se ishte i biri i Konstanc Klorit që ishte ilir.

Valesiani thotë se “Konstandini lindi dhe u edukua në Naise (Nish në Dardaninë Ilire), nga nëna e tij Helena që ishte e një shtrese shumë të ulët”, e cila u martua me Konstanc Klorin. Pas kësaj ai e ndau Helenën se u detyrua të merrte për grua vajzën e Maksimilianit, Teodorën. “Qe pak i arsimuar dhe peng te Diokleciani dhe Galeri në kohën e të cilëve ai luftoi me trimëri”

Konstandini ndoqi me përpikëmëri reformat e Dioklecianit, bashkatdhetarit të tij që e ndihmoi për të ardhur në pushtet. Ai ruajti po atë ndarje administrative, por kreu dhe një ndarje të re në katër prefektura; të Lindjes, Ilirisë, Italisë dhe Galisë, në krye të të cilave qëndronin prefektë të cilëve iu nënshtroheshin qeveritarët e 12 dioqezave dhe të 100 provincave.

Ai nxori disa ligje të çuditshme për kohën, por që në feudalizëm nuk do ishin aspak të tilla, pasi do të ishin shtylla e tij. Kështu ai lidhi koloninë pas tokës, zejtarinë pas zejes dhe nënpunsinë pas qytetit, askush nuk kishte të drejtë të largohej nga puna e vendi i banimit, ndryshe dënohej me sanksione të rënda.

Ai shpërnguli kryeqytetin nga Roma në lindje, duke ngritur një qytet sipas shëmbëlltyrës së Romës, të cilit i vuri emrin e tij, Konstandinopol, që është Stambolli i sotëm. Kalimi i kryeqytetit në Konstandinopol, ishte një veprim i zgjuar nga ana e tij, sepse Roma ishte e ekspozuar ndaj sulmeve të huaja dhe ishte e lehtë për t’u pushtuar, ndërsa Konstandinopoli ishte në vend të sigurt dhe i mbrojtur nga natyra. Në fakt, Roma ra nën pushtimin gjerman në vitin 476 ndërsa Bizanti ose Konstandinopoli ra më 1453 nën sundimin turk. Pra, koha tregoi se sa i zoti dhe i zgjuar kishte qenë fshatari nga Iliria.

Ndaj fesë katolike Konstandini ndoqi një politikë tepër favorizuese. Kështu me Ediktin e Milanit të vitit 313, shpalli lirinë e besimit të krishterë në kuadër të gjithë Perandorisë Romake. Ai i dha kristianizmin botës, që ndoshta pa këtë veprim nuk do ishte kaq e kristianizuar sa është sot dhe këtë e ka bërë një ilir, ose shqiptar. Shqiptarët e sotëm duhet të jenë krenarë, sepse ishte një shqiptar që i dha kristianizmin botës së qytetëruar me të cilën ajo mburret sot, fe të cilën ilirët e kishin përqafuar që në dhjetëvjeçarët e parë pas vdekjes së Krishtit.

Në ditët e fundit para se të vdiste, Konstandini u pagëzua si i krishter. Në 22 maj të vitit 337, vdiq duke i lënë perandorinë tre djemve të tij. Kosntandini mbetet një nga perandorët më të mëdhenj të Romës, për këtë ai ka marrë titullin i Madh nga historianët, sepse i dha paqe e qetësi vendit, por mbi të gjitha, i dha kristianizmin me vlerat e të cilit mburret pjesa më e madhe e perëndimit sot.

Ka qenë një strateg i madh ushtarak, që nuk njohu humbje gjatë jetës së tij. Konstandini i Madh pati dy fëmijë. Me Minervën gruan e parë, pati Krispin që mori titullin e çezarit. Më pas u martua me Faustën, vajzën e Maksimianit, dhe pati pesë fëmijë. Ai pati Konstandinin II, Konstancin II, dhe Konstantin I, dhe dy vajza Konstandinën dhe Helenën.

Konstanti, 337-351

Konstandini i ri, 337-340

Konstanci II, 337-361

Perandoria u nda në tre pjesë, kështu perandori Kosntandini i ri mori tokat përtej Alpeve, Konstanti Azinë dhe Orientin dhe Konstanci II Ilirinë, Italinë dhe Afrikën. Gjithashtu, Konstandini u dha nipërve të tij Dalmatit, Thrakin e Maqedonin, dhe vëllait të tij Armeninë. Djali i parë i Konstandinit, ishte Krispi që e kishte me gruan e parë. Këtë e ekzekutoi, pasi gruaja e dytë e akuzoi për incest, por më vonë doli e vërteta që ai ishte i pafajshëm, dhe për këtë ai e dogji gruan e tij të gjallë në ujë të valuar, e cila ishte e bija e Maksimianit.

Konstandini me ndihmën e nënës së tij Helenës arriti të zbulojë të vërtetën, dhe u pendua për vrasjen e të birit. Ai nxori një monedhë ku shkruante “djalit tim që e dënova padrejtësisht”.

Nipërit u eleminuan dhe luftën për pushtet midis djemve të tij e fitoi Konstanci që në 351 mori të gjithë pushtetin në dorë.

Konstanci luftoi kundër të vëllait Konstandinit II, të cilin e vrau vet ushtria e tij në 351, ndërsa vëllai tjetër, Konstanti, kishte vdekur që në vitin 340, kështu që pushteti i mbeti atij. Konstanci mori për grua vajzën e Jul Konstantit, të birit të Konstancit, që ishte edhe i ati i Konstandinit të Madh, pasi Jul Konstanci dhe Konstandini ishin vëllezër nga babai, por Konstandini kishte për nënë Helenën dhe Jul Konstanci një tjetër ilire, të bijën e Maksimianit. Martesat që kanë bërë perandorët ilirë kanë qenë brenda familjes, ashtu si te dinastia ilire e ptolemejve. Kështu, Konstanci II mori për grua kushërirën e tij, vajzën e xhaxhait nga babai dhe pas kësaj mori dhe disa gra të tjera.

Ai luftoi kundër persëve, të cilët e kishin shkelur traktatin e paqes që kishin vendosur me Dioklecianin para 40 vjetësh. Në kohën që Konstanci mbeti vetëm filluan stuhi dyndjesh barbare dhe për të mbrojtur Lindjen, ai shpalli çezar kushëririn e tij të parë po ilir Galin, të cilin më vonë e vret. Më pas shpalli si Cezar kushëririn e tij Flav Klaud Julianin, i cili fitoi në Strasburgune sotëm mbi Frankët, duke zënë rob dhe prijësin e tyre. Ushtarët e tij e shpallin August, pra perandor, dhe në momentin që do shpërthente një luftë midis tyre, Konstanci vdiq në Lindje, e kurora i mbeti Julianit. Nuk ishte gjeneral aq i madh sa vëllezërit e tij, edhe pse ishte shumë punëtor. Konstanti I, dhe i vëllai i tij nga nëna Krispi I ngjanin më tepër me Konstandinin e Madh, dhe ishin më të zotët, por fati e solli që të mos ishin sundues afatgjatë të perandorisë, por vëllai i tyre Konstanci, që i ngjante më tepër së ëmës intrigante, të bijës së Maksimianit, sesa Konstandinit.

Veterani në 351 ishte perandor për një kohë të shkurtër duke, e marrë fronin me luftë, në kohën kur u vra Konstanti, por Konstanci arriti ta rimarrë sërish fronin. Veterani ishte nga Iliria dhe quhej kështu, sepse ishte i vjetër në moshë dhe që ka një emër të pastër shqip qe do të thotë vete-ran, pra është plak, ka veten e rënë nga ku ka dalë fjala vete-ran.

Juliani, 361-363

Ishte ilir, sepse ishte i biri i Jul Konstancit, të vëllait nga babai të Kosntandinit të Madh. Juliani u shpall çezar nga Konstanci II, djali i xhaxhait të tij, dhe më vonë e shpalli ushtria si perandor august. Ai u martua me vajzën e xhaxhait, Konstandinit të Madh, Helenën, e cila vdiq e re dhe pas kësaj ai nuk u martua kurrë, duke i qëndruar besnik tërë jetën gruas së tij. Ai nuk pati fëmijë me Helenën.

Juliani donte të rikthente vlerat e qytetërimit pagan, të cilat po zhdukeshin nga krishtërimi, dëshirë që ishte e pamundur për t’u realizuar, pasi një filozofi e re, dhe vlera të reja kishin lindur të lidhura me kristianizmin. Ka qenë një njeri tepër i arsimuar dhe i edukuar. Gjatë qeverisjes së tij luftoi kundër persëve ku u plagos rëndë dhe vdiq. Ai nuk la pasardhës, sepse nuk u martua më pas vdekjes së Helenës, por ka të dhëna historike që tregojnë se ai la një djalë ilir të adaptuar prej tij dhe që më vonë u bë perandor, i quajtur Joviani. Pra, pushteti kaloi nga familja e Kosntandinit të Madh në një perandor tjetër ilir. Pas Julianit nuk pati më perandorë nga kjo derë e madhe, por janë ilirë të tjerë që merituan me zotësinë e tyre fronin e perandorisë.

Joviani, 363-364

Autori Aurel Viktori thotë se “Joviani është i biri i Varrenionit, banues i tokës së Singuidunit (Beogradit) provincës së Panonisë”. Në këtë burim historik ai del me origjinë nga Panonia. Gjatë kohës prej shtatë muajsh të qeverisjes së tij, ai bëri paqe me Persinë me të cilën perandorët ilirë kishin zhvilluar vazhdimisht luftë, dhe njohu pavarësinë e Armenisë.

Valentiani I i Madh, 364-375

Lindi në Dardani të Ilirisë në 321 – vdiq në 375. Ai kishte baba Gratianin, i cili kishte qenë një ushtarak i zoti, dhe i biri kishte të njëjtat veti. Valentiniani kishte jetuar në Afrikë me familjen e tij dhe ngjiti shkallët e karrierës ushtarake me zotësi gjatë qeverisjes së ilirëve Konstancit II, Julianit, Jovianit, duke arritur që të bëhej komandant i Gardës Perandorake. Pas vdekjes së Jovianit, u shpall perandor nga ushtria. Ai e ngriti vëllanë e tij Valentin në rangun e augustit i cili qeverisi në lindje dhe vetë qëndroi në perëndim, sepse ishin intensifikuar dyndjet barbare gjermane apo Ilire, dhe u angazhua në luftë kundër tyre. Valentiniani si kryeqytet pati Parisin dhe Amienin. Ai njihet si themeluesi i disa prej qyteteve dhe kryeqyteteve të sotme europiane. Luftoi për një kohë të gjatë kundër anglo-saksëve dhe gjermanëve.

Gjatë jetës së tij anoi nga aristokracia ilire, por nuk la pas dore dhe interesat e shtresave më të varfëra dhe ushtarëve. Ai i pajiste ushtarët me tokë, i lejonte të krijonin familje, kështu lindën dhe disa qytete evropiane nga kampet e ushtarëve që u vendosën aty përfundimisht. Nuk u përzie në çështjet fetare, duke aplikuar tolerancën fetare në perandori. Ai e bëri august të birin Gratiani, të cilit i kishte vendosur emrin e të atit, dhe vdiq në vitin 375.

Valenti, 364-378

Valenti ishte me origjinë nga Sirmi i Panonisë ilire, të dhënat na jepen kur flitet për perandorin tjetër Gratiani, ku thuhet se “Gratiani pas vdekjes së xhaxhait të tij Valenti, thirri nga Spanja Teodosin dhe e shpalli perandor të kësaj pjese”. Po aty thuhet se “Gratiani kishte lindur në Sirmin e Panonis ilire”. Duke qenë se Gratiani ishte nipi i Valentit dhe ishte nga Iliria, atëherë dhe Valenti ishte ilir. Valenti e Valentiani ishin vëllezër dhe qeverisën së bashku për disa kohë, njëri në lindje, tjetri në perëndim.

Ai e nisi karrierën si ushtarak, gjatë kohës që vëllai i tij ishte komandant Garde. Ai ishte tribun në gardë, por nuk qe aq i aftë sa Valentiniani. Pasi i vëllai i tij u bë perandor, ai u shpall august i lindjes.

Gjatë sundimit të tij pati probleme të mëdha me gotët. Duke qenë në presionin e gotëve ai ra dakord që t’i vendoste ata në Thraki, por me kusht që të shërbenin në ushtrinë romake. Qeveria nuk e mbajti fjalën dhe gotët filluan një kryengritje të fuqishme, për shtypjen e së cilës shkoi vetë perandori Valent. Në betejën kryesore të Adrianopolit kundër gotëve, ai vdiq, sepse nuk i erdhën në kohë ndihmat nga Graciani, djali i të vëllait, Valentinianit që sundonte në perëndim. Ai luftoi dhe me persët pa arritur një rezultat përfundimtar. Kishte simpati për fenë ariane, që sapo kishte lindur te gjermanët apo Ilirët, e cila predikonte një variant të kristianizmit të pastër, duke u bazuar te Bibla që pak a shumë rilindi te gjermanët me protestantizmin. Protestantizmi s’është gjë tjetër veçse një variant i ri i arianizmit.

Gratiani,. 375-382

Ishte i biri i Valentinianit dhe u martua me të bijën e perandorit Konstanci II, Konstandinën, mbesën e Konstandinit të Madh. Ai u bë august nga i ati në moshën 8-vjeçare dhe pushtetin e mori në moshën 16 vjeçare kur i ati i tij vdes, por ushtria ilire e shpall august dhe vëllanë e tij, Valentinianin II, katër vjeçar. Gratiani si rrallëherë ka ndodhur në histori jo vetëm që nuk i bëri gjë të vëllait që ta largonte nga pushteti, por e rriti dhe e edukoi atë, dhe qeverisën së bashku. Qeverisi perandorinë në perëndim pas vdekjes së të atit dhe në lindje vendosi Teodosin. Në 382 vdiq dhe pushtetin në perandori, si në lindje e perëndim e mori vetëm Teodosi, që mbajti deri në 395, kohën kur vdiq dhe u la perandorinë dy djemve. Këta perandorë, në vazhdën e ligjeve të Konstandinit, nxorën ligje të reja që e lidhnin koloninë pas tokës, madje, kush linte tokën mund të dënohej me burg ose me gjoba të rënda. Nxorrën ligje kundër korrupsionit të qeveritarëve provinciale, të cilët me vjedhjet e tyre, sipas perandorëve, kishin varfëruar popullsinë dhe boshatisur buxhetin e shtetit. Në politikën financiare u ndalua që ari të nxirrej jashtë perandorisë në tregti me barbarët, madje, udhëzohej që me dredhi e tregti ari i barbarëve të futej në perandori dhe për moszbatuesit e këtij ligji kishte sanksione të rënda. Në tregtinë me barbarët u vendosën dhe mallrat që nuk duheshin eksportuar si vera, vaji, ulliri, peshku, pra këto produkte duheshin mbajtur brenda perandorisë.

Valentiniani II, 375-392

Lindi pranë Sirmiumit të Panonisë ilire në 371. Ishte i vëllai i Gratianit dhe i biri i Valentinianit I. Gratiani u shpall perandor nga vetë i ati i tij Valentiniani I, ndërsa Valentinianin II e shpalli perandor ushtria ilire pa lejen e të vëllait. Gratiani e mirëpriti bërjen perandor të të vëllait, dhe të dy bashkëqeverisën për disa vjet. Ai u shpall perandor nga ushtria ilire vetëm kur ishte katër vjeç dhe iu dha për qeverisje Iliria, Italia dhe Afrika. Perandori do të vritej në moshën 21 vjeçare në pallatin e tij, pasi kishte qëndruar 17 vjet në pushtet, por që në shumicën e kohës pushtetin e mbajtën të tjerët.

Valentiniani II kishte një motër, Gallën, që e martoi me Teodosin, i cili ishte perandor në lindje dhe më vonë i të gjithë perandorisë. Ajo lindi një vajzë të cilën e quajti Galla Placida në 390, e cila të bijtë e perandorit Teodos, që ishin Arkadi dhe Honori, i kishte vëllezër nga babai. Ajo u martua me një ilir nga Dardania, që quhej Konstanc, me të cilin pati dy fëmijë, vajzën Honoria dhe djalin Valentinian. Honori i vëllai nga babai e bëri kunatin e tij, pra burrin e Galla Placidës, august dhe bashkëqeverisi me të. Pas vdekjes së vëllait nga babai, Honorit, Galla Placida bëri perandor të birin e saj.

Valentiniani III, 425-455

Lindi në vitin 419 nga një nënë ilire, Galla Placida dhe një baba ilir nga Dardania, Konstanci, i cili ishte perandor i njohur si Konstanci III, e bashkëqeverisi me kunatin, Honorin. Në vitin 423, daja i tij që e kishte zgjedhur si trashëgimtar, vritet. Ata shkuan te Teodosi II, që ishte nipi i Teodosit të parë, i cili e ndihmoi Valentinianin III që të merrte fronin e perandorit në perëndim, fron që ishte uzurpuar nga një pretendent tjetër. Ai hipi në fronin e perandorit në moshën 6-vjeçare, por realisht pushtetin e ushtronte e ëma dhe gjeneralët e tij. Ai vritet në pallatin mbretëror nga disa komplotistë hunë në bashkëpunim me një nga gjeneralët e tij.

Valentiniani pati dy vajza, Eudosin, e cila u martua me djalin e mbretit Huneric të vandalve në Afrikën e Veriut, me të cilin pati djalin Helderic, që u bë mbret i vandalëve. Pati dhe vajzën tjetër Placidia, që u martua me një aristokrat të quajtur Olybrius, i cili në vitin 472 u emërua për disa muaj në fronin e Romës. Valentiniani III ishte edhe perandori i fundit Ilir i Romës.

Ilirët qeverisën Romën për gati 2 shekuj, duke i kthyer fuqisë më të madhe të antikitetit, shkëlqimin e saj. Ilirët ishin komandantët dhe ushtarakët më të zotë të Perandorisë Romake që ngjitën shkalëlt e karrierës falë aftësive të tyre mendore dhe fizike. Në shekujt në vazhdim do të ishte po kjo racë që do të nxirrte ushtarakët dhe qeveritarët më të mirë të perandorive të tjera.

https://telegrafi.com/perandoret-dhe-strateget-ilire-te-romes/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here