Daut Dauti

Një italian i quajtur Vincenzo Peruggia ka hyrë në histori për shkak se e vodhi pikturën më të famshme në botë, Mona Lisën. Ai punonte në Paris si bojaxhi dhe në këtë cilësi kishte punuar edhe në Louvre, muzeun e famshëm ku gjendej piktura në fjalë. Arsyeja që mendohet se e shtyri ta bënte këtë akt, ishte trajtimi jo i mirë i punëtorëve dhe emigrantëve italianë në Paris dhe Francë. Një arsye tjetër duhet të jetë më e rëndësishme. Kur punoi në Louvre, i kishte parë gjithë ato piktura të autorëve italianë dhe kishte menduar se kjo është padrejtësi. Sipas tij, këto piktura duhej të ktheheshin në Itali.
Prandaj, në mëngjesin e hershëm të 21 gushtit 1911, Peruggia hyri në Louvre dhe nga muri e hoqi Mona Lizën. Arsyeja që e zgjodhi këtë pikturë ishte formati i saj. Ishte piktura më e vogël që gjendej aty. Pra, jo që ia dinte vlerën, por këtë e bëri për shkak të lehtësisë së bartjes në mënyrë të fshehur. Pastaj, provoi të dilte nga një derë e fshehur që e dinte vetëm ai dhe tjerët që kanë punuar në këtë muze, por nuk mundi pasi që ishte bllokuar. Prandaj, doli nga hyrja kryesore dhe askush nuk e kontrolloi.
Kjo ka qenë një vjedhje spektakolare. Policia parisiene besonte se hajni ishte profesionist dhe adhurues i madh i Leonardo Da Vinçit. Prandaj, u morën në pyetje shumë aristokratë dhe intelektualë e artistë, përfshirë poetin e famshëm Guillaume Apollinaire dhe piktorin Pablo Pikasso.
Në fakt Vincenzo Peruggia nuk kishte lidhje me art dhe ishte njeri me inteligjencë nën mesatare dhe me probleme mentale. Pas një viti Peruggia u kthye në Itali duke menduar se kishte bërë vepër patriotike dhe vendosi ta shiste Mona Lizën. Ai, madje mendonte se do të shpërblehej si patriot, por policia e arrestoi.
Kur policia e pyeti se çka do të bënte me paratë që do t’i merrte nga shitja e pikturës, ai u përgjegj se do ta shetsite botën. Kur inspektori i policisë e kishte pyetur se konkretisht “cilat qytete do t’i vizitoje”, Peruggia kishte thënë:”Napolin, Manastirin dhe Selanikun”. Kjo ka qenë bota e njeriut që e vodhi Mona Lizën. /InforCulture.info

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here