“Një ese tronditëse për fatet e Shqipërisë kur trazirat e brendshme shfrytëzoheshin prej fqinjëve agresivë dhe Europa bënte sehir”
Nga Tonin Çobani
Teksa po punoja mbi disa shkrime të Gjergj Fishtës, provova të gjej ndonjë justifikim më të pranueshëm: përse Fuqitë e Mëdha të Europës mbyllën revistën “Hylli i Dritës” dhe për Poetin e Lahutës së Malcis kërkuan të largohej nga Shkodra së paku për 20 muaj duke e degdisur në një ishull të Mesdheut (Maltë)? Për mbylljen e revistës ndonjëri thotë se “Hyllit të Dritës”, iu desht me u ndalë së botuemi” pa mbushur as një vit nga numri i parë (Pashk Bardhi). Marin Sirdani, një tjetër frat, bashkëpunëtor i afërt i Fishtës, shkruan se “qeveria internacionale” e kishte paditur Fishtën në Romë “si njer(i) të rrezikshëm për qetësin(ë) e vendit”.
Disa të tjerë thonë se mbyllja e revistës dhe dënimi me internim i drejtorit të saj erdh për shkak të shkrimeve të Fishtës në atë revistë. Përmendet, veçanërisht artikulli me titull “Një komedi e pandershme e shekullit të njëzetë”, pothuajse dy vjet pasi qe shpallur Pavarësia e një pjese të trojeve shqiptare. Por është edhe flamuri gjashtëmetrosh, i kuq me shqiponjën e zezë dykrenore, ngritur nga Fishta në majën e kompanjelit të Kishës së Fretërve disa dit mbas largimit të trupave pushtuese malazeze nga Shkodra: pa marrë më parë leje nga forcat shumëkombëshe që qeverisnin qytetin. Është dëgjuar edhe një himn i atij flamuri, që fillon me vargun “Porsi fleta e Ejllit të Zotit” (teksti i Gjergj Fishtës dhe muzika e Lec Kurtit), i cili këndohej nëpër rrugët e rrugicat e Shkodrës nga nxënësit e Shkollës së Françeskanëve. Dy vargje nga refreni asaj kënge (“Bini toskë e bini gegë/ si dy rrfe që shkojnë tue djegë”), kanë mbetur në buzët e shkodranëve edhe sot e kësaj dite. Të gjitha këto së bashku e, ndoshta, ndonjë tjetër e përgatiten dëbimin e tij prej Shkodrës.
Ekslokimi i ka ardhur prej guvernatorit të atëhershëm të Shkodrës, kolonelit anglez Filips, i cili formulon urdhrin për ta internuar Fishtën në Maltë. Urdhri doli, por Fishta i shpëtoi këtij dënimi vetëm duke u larguar më parë se të vinin për ta arrestuar ushtarët e huaj: ai u strehua në Kuvendin e Troshanit e në famullitë e Gomsiqes (ku aso kohe shërbente Gjeçovi), të Vigut (Pashk Bardhi) dhe Rubikut (Pal Dodaj). Fatmirësisht vendimi i ndërkombëtarëve nuk kishte fuqi përtej Shkodrës me periferi deri në 10 km.
Pyetja që na vjen menjëherë ndër mend është: si mundet një frat të ishte njeri i rrezikshëm për qetësinë e qytetit të vet, të mbrojtur nga ndërkombëtarët? Asnjëri prej arsyetimeve të dhënë deri sot nuk e justifikojnë dënimin me internim të një kleriku, i cili, vetëm për faktin se është i paarmatosur, është i papërfillshëm për ushtarakët. Por mua më kanë ardhur në ndihmë studimet e dhjetëvjetëshit të fundit të Paolo Muner-it. Prej tyre kam krijuar një tablo të gjallë për atë çfarë mund të ketë ndodhur në Shkodër në atë kohë, duke u bindur në formulimin e një arsyetimi që gjithnjë e më tepër po më lidhet me një farë tendence në vijimësi për ta kundërvënë Fishtën me lexuesin e vet, ashtu si të gjithë shqiptarët “me i përzi“ njërin kundër tjetrit.
Më parë se ndërkombëtarët të urdhëronin mbylljen e “Hyllit të Dritës” dhe internimin e drejtorit të saj, gazeta “Dielli” e Bostonit (10 mars 1914), boton një shkrim të një anonimi me inicialet E.N. kundër Fishtës (“i dëgjuari vjershëtor shqiptar”), për të cilin i ka ardhur shumë ligsht (“na ardhi shumë likësht”) sepse ai shkruan në revistën “Hylli i Dritës”,që, sipas artikullshkruesit, ishte një “vegël fetare e Vatikanit të Romës”. Ndërkohë që Paolo Muner-i në një varg studimesh, që kanë për objekt Shkodrën e atyre viteve, na ballafaqon me një realitet krejt tjetër. “Këtu,- shkruan ai duke paraqitur konkluzionet e Carlo Galli-t, në atë kohë Konsull i Përgjithshëm Mbretëror i Italisë në Shkodër,- del në pah një nga aspektet më të çuditshme të situatës; konkurrenca mes Austrisë dhe Italisë bëhet “në lëkurë” të shkodranëve…” Dhe unë dua të mbetëm veçse te shprehja “në lëkurë të shkodranëve”, sepse pikërisht këtë “lëkurë” apo “nënlëkurë” e ndiejnë më dhimbshëm shkrimtarët, prandaj ua ndalin dorën (mbyllja e revistës) dhe ua kyçin gojën (internimi në Maltë).
Gjithnjë në përpjekje për të gjetur ndonjë justifikim edhe më të pranueshëm, se, përse Fuqitë e Mëdha të Europës mbyllën revistën “Hylli i Dritës” dhe drejtorin e saj e dënuan të largohej nga Shkodra, iu riktheva shkrimit të Fishtës: “Një komedi e pandershme e shekullit të njëzetë”[1]
“Një komedi e pandershme e shekullit të njëzetë” është një ese tronditëse për fatet e Shqipërisë kur trazirat e brendshme shfrytëzoheshin prej fqinjëve agresivë dhe Europa bënte sehir. Edhe në strukturë ajo ese është shëmbullore, prandaj po i qasemi strukturës: argumenteve hitorike dhe fakteve akuzuese, ashtu si i ka formuluar vetë Fishta 105 vjet më parë.
Në dy paragrafët e hyrjes Gjergj Fishta i përgjigjet pyetjes, që vetë ka ngritur, “Çka asht shpirti për jetën fizike të trupit, ata asht nderi (erzi) për jetën e shoqnore të njeriut”, gjë të cilën Europa nuk e ka. Për të përfunduar hyrjen e esesë së vet, ai vazhdon me frazën përmbydhëse: “Për me u vërtetue mbi këtë fjalë, mjaft asht me vërejtë me sy të papajambajtshëm (të paanshëm) e, si thonë, me gjak të ftohtë, veprën, që Europa ka zhdrivillue në Shqipni mbas Luftës së Ballkanit e tektej. Në të gjithë këtë vepër nuk shqyrtohet tjetër, veçse egoizëm e ligështi; e se për burrni e nder popujt e Europës nuk lozin një kashtë vendit, çka mundet udobisht (lehtësisht) me u vu re prej gjithkujt”
Argumenti i parë historik: “Porsa krisi Lufta e Ballkanit,- shkruan Fishta,- Turqia, tue pa se nuk kishte se si me e mbajtë Shqipninë, ia lëshoi shartet (fatet) e saj Europës…, e cila e merrte nën strehë e mbrojtje të vet. Veç çka se sllavët e Ballkanit e Grekët e Jugut nuk i vunë vesh këtij gjyqi të Europës e ngujuen ndër vende të pushtueme Shqipninë: grekët deri në Vlorë, serbët në Durrës e malazezët përreth Shkodrës.”
Argumenti i dytë historik vjen si një retrospektivë: “Në kohë të sundimit otoman,-shpjegon Fishta,- kur Valiu i Shkodrës çonte me thirrë katër a pesë krenë të ndonjë bajraku të Maleve tona, kishin për të ra 40 a 50 malësorë të atij bajraku në Shkodër, kah drojshin (kishin frikë) se mos të hanë pare vetëm krenët prej Valiut. E europianët kanë pasë qeshë për këtë punë të malësorëve! Po a thue u ngushtue për këtë punë krajl Nikolla?- pyet Fishta,- Besa kurrnjëgrimë (aspak)! Madje,, … qiti cekën (vendosi) edhe me luejtë me Europën. E pse jo? Ishte mjaft i mendshëm, sa mos me kujtue se ajo do të bante ndonjë punë të ndershme e të përnjimendët. Prandej, kur admiralët, mbas disa ditësh që u endën pa punë bregut të Tivarit e të Shëngjinit, ne e mbramë (ma në fund) e banë zemrën gur e shkuen i thanë krajl Nikollës: a po largohesh prej Shkodrës? Ky… ashtu thatë, u thotë admiralëve: Jo! Edhe ndenji majë shkrepave të vet, tue i këqyrë përçudi (habitshëm). Admiralët, atëherë, ngelën pa za… e, mbasi dhanë e morën për disa ditë shok me shok për këtë kryeneçësi të krajl Nikollës, e pleqnuen me e bllokue Malin e Zi… Të gjithë e dinë se ndihma Malit të Zi, për me pushtue Shkodrën, i vinte prej Pushteteve të Mëdha, edhe mbasi këto patën vu dorë me e lanë Shkodrën me Shqipninë. Prandej puna ma e vogël, që Europa ka muejtë me ba kundër Malit të Zi, për me e ngushtue që me u largue prej Shkodre, pa dyshim, ka qenë blloku (bllokada). Por edhe në punë të këtij blloku Europa s’i la nder e burrni vetes, e u dëftue se çka ishte: e ligësht dhe e pandershme.”
Argumenti i tretë historik: Edhe bllokada e Fuqive të Mëdha ndaj Malit të zi, për Fishtën “asht një tradhti e një komedi e ndytë.” Ai pyet “A ka dashtë Europa mos me e lanë Malin e Zi me hy në Shkodër? S’ka pasë nevojë me çue të gjitha ato donamë (luftanije) me e bllokue: kishte mjaftue me i pasë çue gjashtë çeta kaporalësh – onbashllarësh – Vukotiçit e Martinoviçit e me thanë që të shkojshin ndër shtëpi të veta; pse, besa, ata, me bisht ndër kambë, kishin kthye menjëherë në vend të vet. E sa ushtarë çoi Europa, për me e nxjerrë Malin e Zi prej Shkodre? Aq, e edhe njëherë ma pak, ishin lypë për mos me e lanë me hy mbrendë…”
Eseja e Gjergj Fishtës (“Një komedi e pandershme e shekullit të njëzetë”) është edhe një akuzë e fuqishme ndaj Fuqive të Mëdha.
Fakti i parë akuzues shënon se “Komisioni Ndërkombëtar, tue ndjekë hullinë e vume prej Europës, ia vuni kufijtë Shqipnisë në anë prej Jugut”, duke përfshirë brenda Shqipërisë Korçën, Gjirokastrën, Libohova etj. “Prandej ushtria e grekut, ditën që u vunë kufijtë, ka qenë në detyrë (e detyrueme) me i lirue ato vende… Ditën, që malezezët hynë në Shkodër, ushtria otomane, nja 25.000 ushtarë e ma tepër, doli prej Shkodrës. Por, jo; ushtria greke, edhe mbas të caktuemit të kufijve, nuk deshi me dalë prej Shqipnisë. E çka bani Europa për këtë punë? Europa vetë i dha vade (afat) njëherë me ndejë mbrendë një muej; masandej dy; masandaj deri në kohë të pacaktueme. E po pse Pushtetet e Mëdha ua dhanë këtë vade grekëve? Çka kishin për të ba grekët në Shqipni? Po; kishin një punë të madhe për të ba: me ndihma të fshehta të do Pushteteve të Mëdha, kishin për të organizue kryengritjen e epirotëve, për me rrënue Shqipninë…”
“Tash,- duket sikur këlthet autori i “Lahutës..”,- a ka si bahet një pabesi ma e madhe e një tradhti ma e poshtër se kjo: vetë Europa, që e kishte krijue mbretninë e që vetë ia kishte vu kufijtë, me i dhanë vade grekut me ndejë mbrenda Shqipnisë, për me rrënue Shqipninë, të cilën ajo e kishte marrë me ndore?”
Fakti i dytë akuzues lidhet me Italinë, njëra “ndër Pushtete të Mëdha” dhe “ka pasë njeriun e vet në Komision të kufijve, e megjithëkëtë, garibaldinët e saj kanë luftue krahas me epirotët kundër së mjerës Shqipni. (Corriere d’Italia – N.136, 20 Maggio 1914.) Kur, sot tre vjet qe lufta e malësorëve në kambë, e këta garibaldinë deshën kinse me dalë e me u ndihmue malësorëve, njëmbëdhjetë donamë të Italisë, posë atyne të Austrisë, natë e ditë kanë ndejë sogje (roje) detit, për mos me i lanë këta fatosa të kuq, këta garibaldinë, me dalë në Shqipni kundër turkut. Pse, tash, i la me shkue në Epir, për me luftue kundër shqiptarëve?
Fakti i tretë akuzues: “Gjaku i shqiptarit derdhet rrëkajë: gjaja e shqiptarit humbë ndër thonj të ma të fortit, e mëkambësit e Europës, kur mos të kenë me shkatërrue ndonjë pështjellim polizzash e fatturash të veta, pa farë kujdesi rrinë a tue rrëshqitë në rrakela (patina) nëpër lamë çimentoje, a tue luejtë dojkë (hokej) e topash me femna kush e di se çfarë nderi…
… Europa, e cila vetë e kishte pru Mbretin në Shqipni, nuk la me u ba gjyq mbi Esat beg Toptanin. Italia përdhuni e mori Esatin me ndore, dhe pa i dhanë kujt arsye për këtë punë, e çoi me gëzue verën në breg të detit të Napolit, tue poshtnue në këtë mënyrë para botës mbarë fjalën e mbretit të Shqipnisë… Kjo punë e Italisë, e kuptueme në vetvete, asht aq e çoroditshme dhe e dhunshme, sa mos me mujtë me gjetë njeriu fjalë për me e ndëshkue si duhet.”
Si përfundim ironizon Fishta luftanijet “e gjashtë Pushteteve të Mëdha (që) tash një muej, të thuesh, gjenden në Durrës, kinse me i dalë zot Mbretit, e ende kurrnjëna ndër to s’e ka shprazë, me thanë, një fishek për Mbretin; pse … rrinë tue bërtitë se Pushtet e Mëdha do të rrinë dorëjashtë në këtë lëvizje të Shqipnisë. E para kujt, o Zot, do të rrinë dorëjashtë, neutralë Pushtetet e Mëdha? Para kryengritësve, para kaçakëve… Kjo dëshmon që Europa nuk ka nder e burrni: dëshmon që shoqnia njerëzore në Europë asht tepër e rame dhe e poshtnueme, e se diplomacia europiane asht vetë faqja e zezë e marrja e turpi i të gjithë njerëzimit!”
Më pëlqen të përfundoj këtu edhe unë komentin tim duke sjellë nëpër mend se pikërisht ata kufij të trojeve shqiptare janë edhe sot e kësaj dite mollë sherri në rajon. Gjergj Fishta pothuajse një dekadë më pas, në esenë e tij të njohur, të ashtuquajtur “Eseja e Pariset” (se në Paris u shkrua dhe u paraqit së pari) me titullin “Shqiptarët dhe të drejtat e tyne (Shkodër, 1920), thoshte se kufijtë e shqiptarëve në troje të tyre do të shtrihen deri në ato anë ku vendasit flasin gjuhën shqipe. “Gjuha imponohet (tatohet),- shkruan ai te “Eseja e Parisit”,- ose me forcë të armëve ose me forcë të kulturës e të qytetnimit… Shqiptari s’ka qenë më i fortë se popujt, që ka përbri (fqinjë). Prandaj s’ka si të mohohet se të gjithë ata që flasin shqip, janë të kombësisë shqiptare; dhe se për këtë arsye shteti shqiptar do të shtrihet gjeografikisht deri ku përfshin gjuha shqipe”.
Ky është gjyqi i Gjergj Fishtës për Evropën dhe shqiptarët për dje, por, ndoshta edhe më tepër, për sot.
[1] Gjergj Fishta, “Një komedi e pandershme e XX qindvjet”, botuar në revistën “Hylli i Dritës”: 1914/10, f. 297-303. Citimet janë marrë nga Gjergj Fishta, “Vepra letrare 9”, Botimet Fishta, Lezhë, 2011, f.164-173.
Koha Jone