Nga: Cameron Laux / BBC
Përktheu: Telegrafi.com

Shkrimtari i njohur nigerian, Wole Soyinka, sapo ka botuar romanin e tij të ri – të parin pasi gati një gjysmë shekulli. Fjala është për “Kronikat nga toka e njerëzve më të lumtur në Tokë” – një satirë goditëse për shoqërinë bashkëkohore nigeriane që vlon nga jeta, ngjashëm me një nga librat e njohur të Charles Dickensit (“Shtëpia e zymtë”) ose të William Thackerayit (“Panairi i kotësive”), ose, nëse doni një pikë më klasike referimi, si satira vërshëllyese sociale “Gargantua dhe Pantagrueli” nga shkrimtari i Rilindjes, François Rabelais. Është shumë ironik përdorimi i fjalës “i lumtur” nga Soyinka; Nigeria e tij dominohet nga korrupsioni, nga balta, nga interesi vetjak dhe nga brutaliteti tej brutalitetit. “Lumturia” është veç një slogan qeveritar që përdoret për të mbuluar realitetet e shumta të shëmtuara (ai ta kujton lumturinë e zbrazët të një satire tjetër, “Bota e re” të Aldous Huxleyit). Soyinka madje shpik disa realitete të reja të shëmtuara, për t’i bërë gjërat më të qarta: në një kleptokraci distopike si Nigeria e tij, çfarë një lypës mund të imagjinojë?

Satira ka qenë pranë nesh për një kohë shumë të gjatë. Në një nga format më të vjetra të regjistruara, te papiruset e pikturuara në Egjiptin e lashtë, rendi natyror i gjërave është kthyer së prapthi në mënyrë mjaftë zbavitëse. Një papirus 3000 vjeçar në Muzeun Britanik na shfaq një luan duke luajtur një lojë tavoline me një gazelë (më vonë në sekuencë, të dy kafshët bëjnë seks) dhe një mace që kullot patat. Kjo satirë në aspektin më të thjeshtë e godet, në mënyrë indirekte, status quon, por nëse e shikojmë si vizatim, duket se është paraardhëse e drejtpërdrejtë e satirës vizatimore të ditëve tona, siç është “Dunsberi” nga Garry Trudeau ose skenat e serialit të animuar televiziv, “Simpsonët”.

John Mullan, profesor i Anglishtes në Kolegjin Universitar të Londrës, është polimat letrar. Libri i tij i fundit, “Dikensi i shkathët”, e portretizon Dickensin si satirist gjenial dhe “novator që i theu të gjitha rregullat”. Kur u pyet nëse satira duhet të synojë të ndryshojë botën, Mullan tha: “Satira është art negativ … nuk vjen me asnjë lloj manifesti për një botë më të mirë. Ajo na tregon se çfarë është gabim; nuk ju tregon çfarë duhet të bëni”. Pra, satira politike shpesh synon të bëjë më shumë dëme, të shkatërrojë; kjo ndoshta shpjegon egërsinë e saj.

Satira, siç zakonisht kuptohet në Perëndim – si art që bën kritika socio-politike me humor të errët – në fakt merr formë në Greqinë dhe në Romën e lashtë, duke u njohur tek ne përmes veprave të, për shembull shkrimtarit grek Aristofani (shekujt V-IV p.e.s.) dhe shkrimtarëve romakë si Horaci (shekulli I p.e.s.) e Juvenali (shekujt I-II). Në poezinë e tij Juvenali e zhveshi hipokrizinë, mungesën e dhembshurisë, mendjemadhësinë dhe koprracinë e shoqërisë romake dhe atij ia kemi borxh citatet e tilla si “Kush do t’i shikojë vëzhguesit?” apo “Ndershmëria admirohet dhe vdes nga uria”. Shkrimtari dhe satiristi anglo-irlandez, Jonathan Swift (1667-1745), goditi me qëndrimin e qartë juvenalian me “Propozimi modest” duke thënë se aristokracia i vuri mirë në përdorim fëmijët e varfër duke i ngrënë ata. Dikush mund të pohojë se shpirti kritik i Juvenalit është ende i pranishëm në shumë satira të ditëve të sotme.

Kush do t’i vëzhgojë në fakt vëzhguesit? Ka jehona të drejtpërdrejta të kanibalizmit të Swiftit në “Kronikat …” e Soyinkas, ku një nga personazhet kryesore, një kirurg i quajtur Dr. Menka i cili i kalon ditët e tij duke u marrë me viktimat e sakatuara të dhunës endemike të rajonit Jos, zbulon një treg të lulëzuar ilegal për pjesët e trupit të njeriut – për qëllime rituale. Soyinka e vajton gjendjen e shoqërisë bashkëkohore nigeriane; ai ka folur për “kanibalizëm të një lloji të çuditshëm … për një shoqëri që në të vërtetë po ha veten; një lloj kanibalizmi i drejtuar nga vetja dhe degjenerimi i njerëzisë sonë”.

Te “Kronikat …” Soyinka e citon një proverb joruban: “Kur e takojmë një elefant, le ta pranojmë se e kemi parë zotin e pyllit, duke mos bërë vërejtje të papritura se pamë diçka që kaloi para syve tanë”. Ai ia ka kushtuar karrierën e tij temës së elefantit në dhomë si dhe cirkut rreth tij (Juvenali tha se njerëzit i duan vetëm dy gjëra – “panem et circenses” ose bukën dhe cirkun). Marifeti është të shmangësh elefantin të mos ulet mbi ty.

Satira e ka një mënyrë për t’i vënë përdoruesit e saj në skajin e politikës, shpeshherë në pozita të rrezikshme, për të mos thënë kërcënuese për jetën. Siç thekson Mullan, edhe lideri më i frikshëm e në dukje i pacenueshëm, rëndomë nuk e duron talljen me të (ai e citon Donald Trumpin dhe Vladimir Putinin, që të dy të akuzuar për mungesë humori). Është një gjë, për shembull, ta paraqitësh pa mëshirë kryeministrin dhe kabinetin britanik përmes kukullave, siç bëri seriali i suksesshëm televiziv “Pështymja e imahzhit” (e paraqiti Margaret Thatcherin si tirane demonike e madje si shoqe të Adolf Hitlerit). Përveç ankesave, sulmet satirike tradicionalisht kanë shumë pak kundërgoditje në demokracitë e shëndetshme. Presidenti Ronald Reagan që u sulmua vazhdimisht nga kjo seri, raportohet se e ka telefonuar NBC-in duke kërkuar që ta anulojnë transmetimin, por nuk ia doli. E, është krejt diçka tjetër t’ia kushtosh jetën thumbimit të regjimit nigerian dhe klikave tjera elitare, siç ka bërë Soyinka i cili gjatë Luftës Civile nigeriane i kaloi 22 muaj në burg dhe i cili më 1994 u largua nga vendi pasi u nervozua Sani Abachan, një diktator ushtarak, i cili ia shqiptoi dënimin me vdekje në mungesë. Por, Soyinka ka jetuar gjithmonë në pragun politik. Çmimi Nobel për të, më 1986, si dhe vlera e tij, mund t’i ketë dhënë ose jo mbrojtje. Por, të tjerët nuk kanë qenë me fat: “Kronikat …” është dedikim për dy aktivistëve politikë nigerianë, për gazetarin Dele Giwa dhe avokatin e politikanin Bola Ige, “që të dy të copëtuar nga vrasësit”.

Pavarësisht rreziqeve, lloji i satirës në romane që i zemëron autokratët politikë është ende gjallë e shëndosh e mirë. Përveç Soyinkas, dy shembuj të tjerë të saj në botë, sot, janë vepra e shkrimtarit rus Vladimir Sorokin dhe të shkrimtarit kinez Yan Lianke.

Sorokin (lindi më 1955) për shumë vite ka pasë profil të lartë në Rusi, por veprat e tij kanë gjetur gradualisht ndjekës në gjuhën angleze (dy nga librat e tij, “Stuhia e borës” dhe “Dita e opriçnikut” u përfshinë më 2018 në serinë e klasikëve modernë të shtëpisë botuese “Penguin”). Kritiku Michael LaPointe e quan veprën e Sorokinit si “një nga veprat më vetëdijesuese në letërsinë botërore”. “Dita e opriçnikut” (2006) zhvillohet në vitin 2028, në një Rusi distopike, jashtëzakonisht të dhunshme dhe të neveritshme – të ngjashme me veprën e Anthony Burgessit, “Portokalli mekanik” (1962). Ashtu si te kjo vepër, ironitë nuk janë të lehta: Rusia sundohet sërish nga një car dhe libri ndjek një nga ithtarët e tij, një specie të fuqishme e maskulinitetit rus, teksa ai vret, përdhunon dhe torturon gjatë gjithë ditës. Ky rrugaç në një moment ëndërron për “kazanët e shtetit që ziejnë” e që japin yndyrë njerëzore që pikon në dëborë dhe “rrotullohet si sedef i ngrirë … Shkëlqyeshëm. Lezetshëm”. “Dita e opriçnikut” në përgjithësi vlerësohet si një “përrallë e shkurtë e egër për Rusinë e Putinit” që, siç dihet, e futi autorin në ujërat përvëluese të politikës së keqe, sepse guxoi të ishte armik i shtetit!

Shkrimi i Sorokinit është halucinant, i mbushur me humor të zymtë, por kurrë tamam qesharak me ha-ha. Siç thekson Mullani, si dhe Jonathan Coe në një artikull brilant për satirën politike në “London Review of Books”, e qeshura dhe satira aktuale mund të shihen edhe si gjëra të kundërta: njëra na detyron ta shikojmë një situatë të shëmtuar duke e përforcuar atë, ndërsa tjetra e zbut situatën duke e banalizuar dhe potencialisht duke na vënë në gjendje relaksi (artikulli i Coeit në fakt ka të bëjë me kapacitetin e Boris Johnsonit për ta luajtur budallain, për të “qeshur me veten”, të cilën gjë Coe e shikon si strategji dinake për t’iu shmangur kritikave; artikulli u botua para se Johnsoni të bëhej kryeministër dhe para se brendi i tij i budallallëkut të jetë emblemë e një epoke). Meqenëse e qeshura e thjeshtë në një situatë mund të devijojë, buzëqeshja mund të ketë nevojë të fshihet nga fytyrat e njerëzve para se të formësohet plotësisht.

Ka shumë ironi të tmerrshme e gojëndyra në librat e shkrimtarit kinez Yan Lianke, për jetën e burgosur në Kinën komuniste. Yani (lindi më 1958) i cili vazhdon të jetojë në Kinë, shpesh propozohet për Çmim Nobel; ai ka bërë një karrierë të gjatë duke u përpjekur që ta shmang censurën e të gjejë mënyra indirekte për ta kritikuar politikën dhe shoqërinë kineze, por rrallë ia del. Aktualisht, shumica e punës së tij i nënshtrohet një ndalimi zyrtar. Stili i tij është eksperimental dhe absurd. Ai ka thënë: “Realiteti i Kinës është aq skandaloz sa sfidon besimin dhe e bën realizmin inert”. Romani i tij “Shërbeje popullin!” (2005) e paraqet një çift që bën seks të egër duke njollosur kujtesën e Mao Ce Dunit në mënyra të ndryshme. “Ëndrra e fshatit Ding” (2006) satirizon “ekonominë e plazmës” (tregtia e gjakut e menaxhuar nga qeveria) në provincën Henan në fillim të viteve 1990, që rezultoi me qindra-mijëra njerëz të infektuar nga HIV-i. Në një letër prekëse për “New York Times”-in më 2012, Yan shkroi: “Njerëzit jetojnë si qentë në këtë shoqëri. Unë ëndërroj të kem mundësi të leh me zë të lartë në librat e mi e t’i shndërroj të lehurat e mia në muzikë të mrekullueshme”.

Në ndeshjen shekullore mes satiristëve dhe politikës amorale, kush fiton? Mullan thotë se satira është mënyrë për të qeshur me diçka që ne jemi të pafuqishëm për ta ndryshuar, që do të thotë se satira nuk ka një forcë shtytëse sociale. Kur u pyet nëse ka shpresa për të ardhmen e Nigerisë, Soyinka u përgjigj: “Oh, shpresa. Kjo prapë është një tjetër fjalë që unë nuk e përdor”. Soyinka (si Sorokini dhe Yani) ngurron ta përdor fjalën shpresë. Të gjithë këta shkrimtarë po krijojnë kundërshtarë shumë më të mëdhenj, por megjithatë ata vazhdojnë të shkruajnë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here