6.1 C
Pristina
Thursday, October 21, 2021
Home RETROSPEKTIVË Historik vizash nga viti 1920 deri te Ahmet Zogu dhe Enveri

Historik vizash nga viti 1920 deri te Ahmet Zogu dhe Enveri

Vizat, si kanë lëvizur shqiptarët nga Ismail Qemali, tek Ahmet Zogu e Enver Hoxha.Flasin historianët Arben Puto, Pëllumb Xhufi, Muhin Cami. Pasaportat e para shqiptare u dhanë në 1920-ën. Që nga shpallja e pavarësisë në 1912-ën nga Ismail Qemali e deri në kohën e mbretit Zog dhe më pas Enver Hoxhës, rregullat kanë qenë të ndryshme. Ata që kanë jetuar në fillimet e shekullit të kaluar rrëfejnë se për të udhëtuar jashtë vendit nuk duheshin shumë procedura burokratike, ashtu siç ndodh sot. Këtë lehtësi, sipas rrëfimtarëve, tashmë të vjetër në moshë, e krijonte edhe pasaporta e kohës, e cila njihej në të gjitha shtetet e Europës.

Ndërsa sot kohët kanë ndryshuar kryekëput, pasaporta është rritur në elementët e saj të sigurisë, por është shumë e vështirë për të udhëtuar me të jashtë vendit. Vendimi i djeshëm për vizat i rijep pasaportës biometrike, të shpërndarë kohët e fundit, të drejtën e qarkullimit pa viza, por me kontrolle kufitare të përpikta.

Po çfarë thonë historianët? Si kanë udhëtuar shqiptarët nga Ismail Qemali deri më sot? “Në Itali shkonim pa viza”. Historiani Arben Puto i ka jetuar ato kohë kur shtetasit shqiptarë lëviznin lirisht në fqinjin matanë Adriatikut. Ishte koha kur Shqipëria ishte aneksuar nga Mbretëria e Savojës, pas pushtimit të 7 prillit 1939. Nuk kishte nevojë për eksodet biblike që ndodhën gjashtë dekada më vonë, apo udhëtimet e vdekjes me skafet e trafikantëve të qenieve njerëzore.

Kush kishte punë, apo arsye tjetër për të udhëtuar për në Itali mjaft që të merrte vaporët e udhëtarëve dhe arrije në brigjet italiane. “Shqiptarët shkonin në Itali me viza që lëshoheshin nga organet konsullore italiane në Shqipëri”, – shton historiani Pëllumb Xhufi – dhe më pas ato u hoqën dhe ata nuk kishin nevojë për to, sepse Shqipëria ishte bërë dhunshëm pjesë e Italisë”.

Për të shkuar në vende të tjera duhet të kishe vizë. Historiani Puto thotë se aplikimi për vizë bëhej pranë zyrave konsullore të shteteve të huaja në Tiranë apo qytete të tjera të Shqipërisë. Sa e vështirë ishte të merrje një vizë atëherë? “Nuk besoj se ka qenë vështirë, por duheshin ndjekur procedurat që parashihte marrja e vizës”, – sqaron z. Puto. Të njëjtën gjë mbron edhe historiani Pëllumb Xhufi, duke shtuar se pajisja me vizë deri në kohën e Luftës së dytë Botërore ishte një proces normal.

Pas izolimit të Shqipërisë dhe mbylljes së shtetasve të saj brenda kufijve të vendit, viza për jashtë vendit ishin një e drejtë e atyre pak njerëzve që ishin të ngarkuar me punë shtetërore. Historiani Arben Puto kujton pajisjen me vizë britanike në kohën e Shqipërisë së izoluar, kur ajo nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Londrën si me shumë shtete të tjera. “Mbaj mend në vitin 1972 isha në Paris dhe atje aplikova te konsullata britanike për një vizë, që të hyja në Mbretërinë e Bashkuar”.

Ndërsa historiani Pëllumb Xhufi shton se procedurat për pajisjen me vizë të shtetasve që do të dilnin jashtë vendit, në kohën e komunizmit kryheshin nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë: “Ishte ai dikasteri që përgatiste dokumentacionin dhe dërgonte kërkesat për vizë tek autoritetet konsullore të shtetit të huaj”, – sqaron Xhufi. Ai shton se për të shkuar në shumicën e vendeve të botës, duhej më parë që të pajiseshe me vizë hyrëse.

Muhin Cami, historian, e përmbledh në një fjali të shkuarën e lëvizjes së lirë të shqiptarëve: “Lëvizja e shqiptarëve nëpër botë dikur nuk ka qenë fare problem”.

PASAPORTA E 1920-ËS

Pasaporta e parë shqiptare në 1920-ën ishte shumë e thjeshtë. I vetmi element sigurie, nëse mund të quhet i tillë, ishte një shënim i vendosur në faqen e fundit, i cili ndalonte falsifikimin e saj. Në kokën e pasaportës ishte vendosur në një rreth me fushë të kuqe, shqiponja me dy krerë e huazuar nga stema e Kastriotëve. Në faqen e tretë të saj në vend të emërtimit Republika e Shqipërisë kishte të vendosur nocionin “N’emën të shtetit shqyptar”. Në faqen e katërt në dialektin gegërisht vihen re gjeneralitetet, si “emri i t’et, i s’amës, data e lindjes, vendi i lindjes, banimi”. Pak më tej përcaktohej feja, profesija, klasi ushtarak, si dhe drejtvotimi. Në mungesë të fotografisë, e cila për kohën ishte ende një luks, në këtë pasaportë, ky element plotësohet me të dhënat fiziologjike të personit. Në faqen ku shkruhej “Shënime” jepeshin shenjat, të cilat dallonin këtë shtetas, siç ishin mosha, balli, sytë, goja, hunda, flokët, mjekra, mustaqet, si edhe ngjyra e fytyrës. Në këtë pasaportë vendoseshin edhe shenjat e veçanta që dallonin një person, që nga çikatriçet e ndryshme e deri te nishanet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Zbulohet antibiotiku që vret super bakterin

Dy lloje të kërpudhave kundër të cilave super bakteret kanë asnjë shans janë zbuluar në një minierë toksike në shtetin federal amerikan...

Mënyra shtëpiake shërimi që funksionojnë me të vërtetë kur ftoheni

Një ftoje e pakëndshme nuk është e pazakontë për këtë kohë të vitit. Njerëzit në rrjete sociale e kanë...

Një ilaç i ri po konsiderohet efikas për zhdukjen e qelizave të kancerit

Një ilaç i ri po konsiderohet efikas për zhdukjen e qelizave të kancerit Ilaçi i...

Pesë gjëra që mund të sigurojnë një gjumë të mirë dhe të rehatshëm

Gjumi është një aspekt i rëndësishëm i funksionimit të përditshëm, i cili ndihmon në mbajtjen e trupit të shëndetshëm. Gjithashtu mban shëndetin...

Recent Comments