Një ekip eksploruesish nga Omani kanë zbritur për herë të parë në fund të pusit të Jemenit, një mrekulli natyrore e shmangur nga shumë vendas, të cilët besojnë se është një burg për xhindet. I quajtur ndryshe “Pusi i Ferrit”, shpella e errët dhe e rrumbullakët ka një gjerësi rreth 30 metra dhe një thellësi 112 metra dhe sipas gojëdhënave, çliron aroma të çuditshme.
Brenda, Ekipi i Hulumtimit të Shpellave Oman gjeti gjarpërinj, kafshë të ngordhura dhe stalaktide shpellash – por asnjë shenjë të së mbinatyrshmes.
“Kishte gjarpërinj, por ata nuk do t’ju shqetësojnë nëse nuk i ngacmoni,” tha Mohammed al-Kindi, profesor gjeologjie në Universitetin Gjerman të Teknologjisë në Oman.
“Pasioni na shtyu ta bëjmë këtë, dhe ne menduam se kjo do të zbulojë një mrekulli të re dhe një pjesë të historisë së Jemenit,” tha Kindi, një prej tetë eksploruesve me përvojë që zbritën në shpellë.
“Ne kemi mbledhur mostra të ujit, shkëmbinjve, tokës dhe disa kafshëve të ngordhura, por ende nuk i kemi analizuar ato,” tha ai, duke shtuar se një raport së shpejti do të bëhet publik.
Zyrtarët jemenas në qershor thanë se nuk e dinin se çfarë fshihej në thellësinë e shpellës, të cilën ata vlerësuan se ishte “miliona” vjeçare. “Ne kemi shkuar për të vizituar zonën dhe kemi hyrë në pus, por duke arritur jo më shumë se 50-60 metra poshtë,” tha në atë kohë Salah Babhair, drejtor i përgjithshëm i studimit gjeologjik dhe burimeve minerale të Mahra. “Ne vumë re gjëra të çuditshme brenda. Ishte një situatë misterioze, ” shtoi ai.
Gjatë shekujve, historitë apo legjendat që kanë qarkulluar, rrëfejnë për figura malinje të njohura si xhindë që jetojnë në pus, të cilin disa vendas e cilësojnë si “porta e ferrit”.