Populli shqiptar ka patur që në kohëra të lashta një kalendar të vetin, i cili është kalendar unik në botë përkah veçoritë e tij, dhe ka qenë në përdorim vetëm nga shqiptarët. Më pas gjatë periudhave të ndryshme historike, janë adoptuar dhe kalendarë tjerë si grekë e romakë, që kanë arritur të stabilizohen si variante ‘shqiptare’ të atyre kalendarëve. Pikërisht në këtë punim do të marrim përsipër, që përveç rregullimit të disa problemeve deri më tani të patrajtuara, gjithashtu të bëjmë një paraqitje sa më të qartë të këtyre kalendarëve, veçanërisht të kalendarit të lashtë shqiptar. Me një fjalë kemi qëllimin të përditësojmë të dhënat dhe njohuritë tona rreth kësaj çështje.

Kalendari i lashtë, siç po e quajmë në këtë punim, ka qenë një kalendar origjinal, të cilin populli shqiptar e ka praktikuar gjer vonë, e madje mbahet mend dhe sot. I vetmi deri më tani ka qenë studiuesi Rrok Zojzi që mori shënime nga populli për këtë kalendar[1]. Duke qenë se Zojzi e ka publikuar njëherë, ne nuk do të ndalemi gjatë në përsëritjen e të dhënave të tij. Në këtë punim fillimisht do shqyrtojmë vendosjen e datave dhe më pas disa çështje tjera. Një kalendar i tillë tradicional, mijëravjeçar, ka vlerë të madhe nëse përgatitet në formën e tij burimore për përdorim, sepse si i tillë do të mund të ishte në dispozicionin e popullit, si një vepër e artit popullor shqiptar, madje duke qenë i njëjtë në tërë Shqipërinë do të ishte një nga elementet unifikuese të kulturës shqiptare.
Kalendari në formën siç na e jep Rrok Zojzi është si vijon: Viti është baraz me 365 ditë, të ndara kësisoj: 3 ditë janë festat për fillimin e vitit (“kryet e motmotit”), 180 ditë janë të verës, 2 ditë janë festat e mesit të vitit dhe 180 ditë janë të dimrit. Secila nga dy gjysmat e vitit (stinë) ndahet në 4 pjesë me nga 45 ditë secila, të cilët Zojzi konvencionalisht i quan muaj.[2]
Ndërsa të dhënat që Zojzi i merr nga terreni janë të sakta, përllogaritjet e tij përkundrazi e çojnë atë në gabime gjatë përpilimit të kalendarit. Ai na jep gabim datat e festave dhe muajve. Ai fillon me Mesdimrin, i cili është më 5 shkurt, por të cilin Zojzi e vendos 45 ditë (një ‘muaj’) më herët, pra më 22 dhjetor. Ky gabim më pas shkon në mënyrë zingjirore me të gjitha festat dhe muajt tjerë. Festën e kryevitit apo Kryet e Motmotit që njihet edhe si Shëngjergj e vendos në ekuinoksin pranveror më 21 mars, gjë që nuk ndodh askund në asnjë krahinë shqiptare. Shëngjergji gjithmonë ka qenë më 6 maj, dhe vetëm kisha katolike në emër të reformës gregoriane e pat vendosur më 23 prill. Rrjedhimisht, vendosja e Shëngjergjit më 21 mars, duket zhvendosje shumë e madhe për të mos thënë e tepërt. Edhe tek Mark Tirta i cili ka shkruajtur gjerësisht për festat popullore, Dita e Pranverës dhe Shëngjergji dalin si dy festa të ndryshme.[3] Pastaj me atë radhitje gabimet vazhdojnë: Shmitri apo Shmarti si fillim i dimrit vendoset më 23 shtator, por Shmitri në të vërtetë është shumë më vonë, afro 45 ditë më vonë, dhe i bie zakonisht kah fillimi i nëntorit; festa e Kerstovit apo e Shënkollit, nga ana e Rrok Zojzit vendoset më 5 nëntor, kur në të vërtetë kjo festë gjithkund tek shqiptarët kremtohet më 6 dhjetor; Dita e pranverës vendoset më 5 shkurt, kur është acari më i madh. Të njëjtën zhvendosje e pësojnë edhe muajt e vjetër 45-ditësh, pasi secili prej tyre fillon me një festë ‘të vetën’.[4]
Siç kemi rastin të shohim, gabimi fillon në rastin kur Zojzi e barazon Buzmin me mjedisin e dimnit. Që ne ta përmirësojmë këtë gabim dhe të vendosim rregullimin origjinal të kalendarit të lashtë, do të bëjmë vetëm një hap: do të luajmë datat e dhëna nga Zojzi për 45 ditë më vonë, në mënyrë që ato të kthehen në vendin e tyre. Madje edhe vetë Zojzi thotë: “Fillimi i vjetit, simbas shënimeve të mbledhuna, asht Shëngjergji ase në shkurtim Shnjergji.” Dhe siç e dimë të gjithë, Shëngjergj në muajin mars nuk ka, por shumë më vonë në fillim të majit.[5]
Kalendari siç na e jep Rrok Zojzi:
Kështu sipas radhitjes që i bëjmë ne, Buzmi mbetet më 22 dhjetor, por nga ky ndahet mjedisi i dimnit i cili vendoset më 5 shkurt, e ky është parakusht për t’i kthyer festat në datat e veta. Në këtë rast edhe emri “mjedisi i dimnit” është kuptimplotë, sepse në këtë datë ai gjendet pikërisht në midis të stinës së dimrit duke qenë 90 ditë larg nga Shmitri (mesi i vitit) dhe po aq ditë larg nga Shëngjergji (Kryet e motmotit). Për më tej japim listën e festave me datat përkatëse:
Kryet e motmotit – 6, 7, 8 maj
Festa e të korrave – 23 qershor
Festa e maleve – 7 gusht
Dita e Vjeshtës – 21 shtator
Mesi i vitit – 5, 6 nëntor
Buzmi – 22 dhjetor
Mesdimri – 5 shkurt
Dita e Pranverës – 22 mars
Me këtë datim të festave rregullohet edhe datimi i muajve, pasi këta të gjithë fillonin me një festë:
Kryet e Motmotit – muaji i parë i verës
Festa e të korrave – “Korriku”
Festa e maleve – “Djegaguri”
Dita e vjeshtës – “Vjeshta”
Mesi i vitit – muaji i parë i dimrit
Buzmi – “Brymsi”
Mesdimri – “Ngrijsi”
Dita e Pranverës – “Pranvera”
Sa i përket emrave të dy muajve që Zojzi nuk ka arritur të gjejë, ne nuk kemi asnjë të dhënë por do ishte mirë t’i gjenim emra të natyrshëm sipas një kriteri siç do t’a shohim më poshtë, emra që do t’i përgjigjeshin këtyre muajve. Kështu shohim që “Korriku” dhe “Djegaguri” të kalendarit të lashtë, kanë shërbyer si emra për muajt në kalendarin e ri (romak / 12-muajsh), duke zëvendësuar muajt latinë ‘jul’ dhe ‘august’. Sipas këtij parimi, meqë muaji i parë i dimrit në kalendarin e lashtë ka shtrirje pjesërisht në nëntor dhe pjesërisht në dhjetor (nga tri javë secili), atëherë do ketë patur emrin e njërit prej tyre, ndonjë emër jo-kristian të gurrës shqipe. Kështu nëntori ndryshe quhej brymor, vjeshtë e tretë, britëm i tretë, ndërsa dhjetori quhej edhe dimëror. Por termi ‘brymor’ nuk mund të ketë qenë ndonjëherë emër i këtij muaji sepse do të shkaktonte konfuzion në popull, duke qenë i ngjashëm me “Brymës” që gjendet menjëherë pas tij. Termi “Vjeshtë” nuk bën sepse si muaj 45-ditësh gjendet para tij, e nuk mund të bëhen dy muaj me një emër. Britëm, mbase mund të jetë i përdorshëm, porse ky në ditët tona ka kuptimin e vjeshtës dhe është sinonim me të. Kështu na mbetet e lirë shprehja dimëror/dimnor, me të cilin në kalendarin e ri quhej dhjetori deri vonë. Tri javë të dhjetorit bëjnë pjesë në këtë 45-ditësh, prandaj emri i tij dimëror mund të ketë qenë emër i këtij 45-ditëshi, njëjtë sikurse tri javë të gushtit bëjnë pjesë në ‘djegagur’, prej nga edhe gushti e mori këtë emër shqip. Përveç kësaj ky është muaji me të cilin fillon dimri. Për muajin e parë të verës, Zojzi dyshon se mund të ketë qenë “Qershor”, mundësi të cilën as ne nuk e përjashtojmë, duke qenë se qershori me afro tri javë të tij futet në muajin e parë të verës të kalendarit të lashtë. Ndoshta edhe ka ndonjë krahinë ku ruhen ende emrat e pavjelur të këtyre dy muajve (nëqoftëse nuk kanë qenë të tillë siç po i paraqesim).[6]

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here